Turqia ka ndërmarrë një valë dëbimesh qytetarësh evropianë të lidhur me grupet e opozites që janë përfshirë në luftime në Sirinë fqinje. Ankaraja përballet me një presion në rritje nga aleatët perëndimorë për të shtypur muxhahidat.
Në një njoftim të medias turke, ku citohet një burim qeveritar, thuhet se mbi një mijë muxhahide të lidhur me grupe që po luftojnë kundër qeverisë siriane, janë deportuar këtë vit.
Një zyrtar i Ministrisë së Jashtme turke, duke folur pa u identifikuar, tha se nuk mund të konfirmonte shifrën por shtoi se forcat turke të sigurisë po bashkëpunonin me homologët e tyre ndërkombëtarë.
Semih Idiz, një analist diplomatik për gazetën turke Taraf dhe faqen e internetit Al Monitor, thotë se ky shënon një ndryshim në politikën turke. Ankaraja është akuzuar se ka mbyllur një sy për “radikalët” që po luftojnë për të përmbysur Presidentin sirian Bashar al-Assad.
“Turqia është në kryqëzimin e rrugëve ndërkombëtare. Është përballë Kaukazeve, është përballë Ballkanit. Shiko për shembull Dagestanin, ose Ceceninë. Po ashtu ka komunitete islamike në Evropë. Pra në këtë këndvështrim është një rrugë që bashkon shumë rajone, dhe po përpiqet të kontrollojë situatën”, tha Idiz, transmeton Zëri i Amerikës.
Analistët thonë se Ankaraja ka qenë nën një trysni në rritje nga aleatët perëndimorë, veçanërisht Uashingtoni lidhur me grupet islamike që po përdorin Turqinë si një bazë lufte për Sirinë. Presidenti Barack Obama, sipas njoftimeve e ngriti këtë çështje me kryeministrin turk Recep Tayyip Erdogan gjatë vizitës së tij në Uashington në maj.
Analisti Idiz thotë se edhe Evropa e ka rritur trysninë diplomatike ndaj Ankarasë.
“Mendoj se ka qenë një trysni e jashtëzakonshme. Duke u nisur nga deklaratat zyrtare në Evropë, ata kanë frikë se këta qytetarë, veçanërisht në Francë, Britani dhe Gjermani, janë shumë të shqetësuar për këtë çështje, druhen se këta qytetarë do të radikalizohen edhe më shumë dhe do të sjellin Xhihadin në vendet e tyre. Këta luftëtare nuk po luftojnë për një kauzë, por për Xhihad dhe Xhihadi është universal. Sot Damasku, nesër Frankfurt. Është e njëjta gjë për ta”, druhet ai.
Kjo çështje ka qenë një pikë tensionesh mes Ankarasë dhe Evropës, thotë Soli Ozel, një pedagog marrëdhëniesh ndërkombëtare në Universitetin Kadir Has. Ai thotë se Ankaraja ka përshtypjen se homologët evropianë nuk kanë ndihmuar sa duhet në këtë drejtim.
“Qeveria turke ankohet se qeveritë në vende të tjera e dinë se kush po hyn në Turqi, si edhe pretendon se vendet qytetarë të të cilëve po vijnë në Turqi nuk po i japin informacionin e duhur qeverisë turke”, tha Ozel.
Por vëzhguesit thonë se muajt e fundit një atmosferë e re bashkëpunimi është vënë re mes vendeve evropiane dhe Ankarasë, si rezultat i përparimit në përpjekjet e Turqisë drejt integrimit në Bashkimin Evropian. Para disa ditësh, Ankaraja nënshkroi një marrëveshje të vonuar shumë herë me Brukselin për refugjatët dhe emigrantët e paligjshëm. /Telegrafi/
*Artikulli është marrë nga redaksia telegrafi.com, ai nuk reflekton patjeter qendrimet e kohaislame.com.