Ekspertët thonë se media sociale mundëson njerëzit të lidhen me botën, por ka një rrezik të përhapjes së shpejtë të keqinformimit.
Popullariteti i medies sociale në Ballkan e Turqi është rritur me të shpejtë në vitet e fundit, si me shtetasit e zakonshëm dhe me degët e medies tradicionale që marrin pjesë në këtë prirje. Por eksperttë paralajmërojnë se dukuria po shton gjithashtu përhapjen e informacionit fals.
Media sociale ndrihmon medien tradicionale të bëhet më e shpejtë në raportim, tha Boris Miljanoviç, asistent profesor në fakultetin e shkencave politike të Beogradit.
“TV dhe botuesit e shtypit në Serbi po kuptojnë gradualisht se agjencitë klasike të lajmeve nuk janë burimi i vetëm i informacionit dhe se informacioni është shpesh në dispozicion së pari në Twitter apo Facebook. Informacioni mbi një aksident trafiku apo sulm kriminal shpërndahet në një mënyrë shumë më të shpejtë në qoftë se një dëshmitar poston informacion në një rrjet social. Kështu ato kanë më tepër kohë të reagojnë, në vend që të presin për agjencinë e lajmeve për ngjarjen,” i tha Miljanoviç SETimes.
Por kjo ka të keqen e vet, tha Ozgur Uçkan, një specialist i medies nga Universiteti Bilgi i Stambollit.
“Në një platformë të medies sociale, ku gjithkush bëhet një botues dhe gazetar, nuk ka proces redaktimi mbi përdoruesit, gjë që bën të mundur keqinformiminIn,” shtoi Uçkan.
Uçkan i tha SETimes se në pesë vitet e fundit, media sociale në Turqi ka fituar një rëndësi mbi rrjedhën e medies, për shkak të rekordit të përkeqësuar të lirisë së medies në Turqi, ku shumë gazetarë janë prapa hekurave dhe qeveria ushtron kontroll mbi medien nëpërmjet presionit politik apo lidhjeve ekonomike me bosët e medies.
Sipas InterntetWorldStat, janë më shumë se 35 milion përdorues interneti në Turqi.
Që prej demonstratave masive të Gezi Parkut këtë verë, qeveria e Turqisë ka nisur një nismë për të gjetur opsione për kufizimin e medies sociale në vend. Orët fillestare të protestave u lanë kryesisht mënjanë nga media transmetuese e vendit, por fjala për protestat u përhap me shpejtësi në medien sociale.
Ministri i brendshëm Muamer Guler tha se faqet e medies sociale luajtën një rol në organizimin e protestave dhe nxitjen e trazirave.
“Twitter dhe Facebook janë efektive. Ne mund të ndajmë fotografi apo historira me qindra njerëz menjëherë,” u tha gazetarëve protestuesi Timur Karadeniz në qershor. “Media tradicionale ka qenë e tmerrshme. Ne luftonim në rrugë dhe CNN Turk transmetonte një dokumentar për pinguinët. Ne e quajmë këtë tani ‘Revolucioni Pinguin’.”
“Është një bela e quajtur Twitter,” tha në një intervistë televizive kryeministri Rexhep Taip Erdogan, gjatë protestave. “Atje [në Twitter] janë gënjeshtrat e pazvogëluara.” Sipas InterntetWorldStat, në Serbi përdorën internetin më shumë se 3,5 milion vetë në 2012 dhe 3,3 milion janë përdorues të Facebook. Midis tyre ka zyrtarë të lartë të shtetit që ndonjëherë i drejtohen publikut nëpërmjet profilit të tyre në Twitter apo Facebook.
Situata është e ngjashme në Malin e Zi, ku sipas InterntetWorldStat 50 përqind e popullsisë përdori internetin në 2012 dhe pothuajse gjysma kanë llogari në Facebook. Media tradicionale në vend përdor platformat sociale për të raportuar aksidentet apo emergjenca, i tha SETimes Miodrag Strugar, drejtor ekzekutiv në Radio Antena në Podgoricë dhe një trajner i marrëdhënieve me medien e pavarur.
“Këtë verë, pati një aksident të madh autobuzi në kanionin Platije. Media tradicionale gjeti fotografi dhe informacion nga shtetasit që patën informim publik lidhur me aksidentin nëpërmjet medies sociale. Media tradicionale e përdori medien sociale si një mjet gazetarie në kohë reale, me qëllim që t’u ofrojnte përdoruesve të tyre më shumë informacion të detajuar e të shpejtë,” tha Strugar.
Megjithatë, Miloje Sekuliç, konsulent interneti dhe bashkëpronar i agjencisë Homepage në Beograd, tha se për hatër të shpejtësisë së marrjes së informacionit, hollësitë nuk kanë më rëndësi.
“Kjo është një mënyrë e re të shkruari për të bërë informacionin ‘të ndashëm’, që do të thotë të rrëmbesh vëmendjen e përdoruesve të rrjetit social. Kur gazeta më popullore e përditshme në Serbi ka dy ose tre herë më shumë vizita në faqen e saj të internetit se sa lexues, forma në të cilën përmbajtja botohet nuk është më një parametër i rëndësishëm,” i tha Sekuliç SETimes.
“Me të vërtetë, pse duhet përdoruesit e rrjetit social të ndajnë të dhëna të vërteta dhe informacion të besueshëm? Kjo është një çështje e moralit apo nderit të tyre por asgjë nuk i detyron ata, ndryshe nga media tradicionale ku ka kode dhe ligje profesionale,” tha Sekuliç.
Faqet e medies sociale janë gjithashtu popullore në Bosnje dhe Hercegovinë dhe rritja lidhet me ndikimin politik mbi medien dhe portalet tradicionalë,” i tha SETimesSejn Husejnefendiç, asistent në departamentin e gazetarisë në Universitetin e Tuzlës.
“Media tradicionale është e kushtëzuar nga forcat politike. Ato janë reklamuar nëpërmjet medies sociale dhe kapin një audiencë të madhe, veçanërisht të rinjtë. Sot ato janë një burim primar informacioni, ndërsa media sociale po përdoret kryesisht si një mjet për përhapjen e mëtejshme të informacionit,” tha ai.
“Në fakt gazetarët përdorin medien sociale si një burim informacioni dhe një vend ku ata gjejnë ide për çështje që ata mumd t’i eksplorojnë në një shkallë më të lartë. Interneti na mundëson ne të lidhemi me botën, por në të njëjtën kohë ka një rrezik për përhapjen e keq-informimit,” tha Miljanoviç./set