Prokuroria e Shtetit në Kosovë ka nisur hetim ndaj kupolës se shërbimit inteligjent vendas, AKI (Agjencia Kombëtare e Inteligjencës). Bëhet fjalë për për ish-drejtorin Agron Selimaj, Inspektorin e Përgjithshëm Shkëlzen Sopjani, zëvendësdrejtorin Latif Merovci, drejtorin e Departamentit të Inspektimeve, Gazmend Isufi, dhe drejtorin e Departamentit të Mbikëqyrjes Teknike, Selami Hashani. Ata po hetohen për një seri veprash penale, si keqpërdorim të pozitës zyrtare, cenimi i marrëdhënies së punës, ushtrimi i ndikimit, shantazh, moslajmërim i veprave penale, fotografim dhe incizim i paautorizuar. Por kjo nuk ka ndikuar që kryespiuni i ri, Driton Gashi të deklarohet për çështjen në fjalë.
Gashi ka raportuar së fundmi në komisionin kuvendar për AKI-në por e gjitha çfarë ka dalë nga aty është se “gjendja e sigurisë në vend është në nivel”, kurse një takim tjetër i mbajtur ka qenë tërësisht i mbyllur dhe nuk është dhënë asnjë informacion nëse është diskutuar për keqpërdorimet e mundshme në këtë institucion.
Kryespiuni Gashi të reagojë…
Se gjendja brenda këtij institucioni të sigurisë ka dalë jashtë binarëve, e thonë edhe nga Instituti i Kosovës për Studime Ndërkombëtare (IKSN).
Bedri Elezi, drejtor për siguri i IKSN-së, këtë rast e vlerëson shumë të rëndë për sigurinë e vendit, ngase thotë se ka të bëjë me udhëheqësit e institucionit më të ndjeshëm të sigurisë.
Andaj, Elezi kërkon që kryespiuni Gashi të shkarkojë të akuzuarit, pasi thotë se ekziston mundësia e ndikimit nga ana e tyre në këtë proces hetimor.
Të zgjerohen hetimet ndaj ish-kryespiunit Selimi…
Elezi thotë se Instituti i tyre dyshon se ish-kryespiuni Selimi ka bërë shumë shkelje dhe kërkon nga Prokuroria të zgjerojë hetimet ndaj tij.
“Ne si institut kemi dyshime se mund të jenë kryer. P.sh. blerja e veturave operative në fund të vitit 2016, me rreth 350.000 euro, ndarja e shpërblimeve për zyrtaret ( u shpërblyhen zyrtarët që ishin në komisione për vlerësimin e blerjes së veturave), mundësinë e keqperdorimit të FSO-ve ( fondet speciale operative ) nga zyrtarë të besueshëm të z. Selimaj. Gjithashtu të hulumtohet edhe për suspendimin e një numri të madh të zyrtareve në mënyrë jo ligjore, pengimi i zhvillimit të planëve operative sidomos atyre për prezencen shërbimeve ruse dhe serbe. Përzgjedhjen e zyrtarëve për trajnime jasht vendit me preference e jo sipasnevoje etj”, thotë Elezi për tesheshi.com.
Rrahje mes spiunëve në Ferizaj…
Ai thotë se sipas infromacioneve që posedojnë si institut brenda AKI-së, janë krijuar grupe me anime politike të cilat janë duke luftuar njëri-tjetrin.
“Madje, puna ka arritur deri aty sa që në drejtorinë regjionale te AKI-së në Ferizaj ka pasur edhe përleshje fizike mes zyraterve të kësaj drejtorie. Gjithashtu, shqetësuese është edhe krijimi i dosjeve në bazë te spekulimeve dhe informacioneve të pa argumentuara etj. Instituti i Kosovës për Studime Ndërkombëtare, kërkon nga prokuroria e shtetit zabrdhjen sa më të shpejtë te këtyre akuzave”, thotë Elezi. /tesheshi.com/