Shtetet e Bashkimit Evropian mund ta pezullojnë në rastet e domosdoshme të drejtën për udhëtimin pa viza të qytetarëve nga vendet e Ballkanit. Ky ishte vendimi i ministrave të brendshëm në takimin e fundit në Bruksel.
Kjo masë është marrë me qëllim që të zvoglohet numri i refugjatëve ekonomikë. Mundësinë për pezullimin e të drejtës për lëvizje pa viza e kanë kërkuar shumë vende, ndër to edhe Gjermania dhe Franca. Por ky hap mund të ndërmirret vetëm në raste të caktuara dhe mund të zgjasë një kohë të caktuar.
Gjithnjë e më shumë njerëz nga Serbia, Bosnjë e Hercegovina, dhe Mali i Zi kërkojnë azil, thuhet në shpjegim. Shumë prej azilkërkuesve janë romë, të cilët llogariten si refugjatë ekonomikë dhe jo të ndjekur politikë, që është parakusht për marrjen e azilit. Autoritetet gjermane i refuzojnë pothuajse të gjitha kërkesat e këtilla. Si një prej shkaqeve përmendet edhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese nga vera e vitit 2012 për rritjen e të dhënave sociale për azilkërkuesit.
Mungesa e marrëveshjeve rreth ndihmave
Shtetet anëtare të BE nuk janë dakord për ndihmat sociale që duhen dhënë personave që vijnë nga Rumania dhe Bullgaria. Gjermania dhe Britania e Madhe kërkojnë më shumë masa të pëbashkëta në nivelin e BE-së. Ndryshe, secili prej këtyre vendeve do të ndëmarrë masa më vete, tha ministri gjerman i Brendshëm Hans-Peter Friedrich: “Në rast nevoje mund të merren edhe vendime multilaterale, për masat e përbashkëta.”
Komisioni i BE-së nuk sheh ndonjë nevojë për veprim, me shpjegimin se përgjegjësia u mbetet vendeve anëtare. Komisionerja Viviane Reding u sugjeron qeverive: “Bëni detyrat tuaja të shtëpisë.” Gjermania mund të ndalojë futjen e personave në këtë vend, nëse konstatohet se ka pasur keqpërdorime të së drejtës së ndihmave sociale. “Vendimet e Gjermanisë për ndihma sociale në këtë vend apo keqpërdorimin e tyre, bazohen mbi rregullat juridike në këtë vend dhe nuk kanë të bëjnë asgjë me drejtësinë në BE”. Ndryshimet juridike në BE, siç ka kërkuar Britania e Madhe janë të pamundura, mendon Reding. “Mundësia e lëvizjes së qytetarëve të vendeve brenda BE është një pasuri e përbashkët që nuk mund të debatohet”. Friedrich ka kritikuar Komisionin e BE me fjalët: “Vetëm debatet apo propozimet dhe sugjerimet nuk mjaftojnë. Kërkohen masa”. Lidhur me këtë temë ministrat nuk kanë mundur të bien dakord.
Grindjet për ardhjen e njerëzve nga Rumania dhe Bullgaria
Për muaj të tërë po zgjasin mosmarrëveshejt rreth ardhjes së personave të varfër nga Rumania dhe Bullgaria në vendet e tjera. Komunat në Gjermani, si ato në Dortmund apo Duisburg, po ankohen se shumë rumunë dhe bullgarë po vijnë vetëm për shkak të ndihmave sociale. Së fundi edhe kryeministri i Britanisë së Madhe, David Cameron ka propozuar që të kufizohet e drejta e lëvizjeve të qytetarëve për shkaqe varfërie. Ministrja e Brendshme britanike Theresa May foli edhe për masa konkrete që duhe ndërmarrë: “Ne duhet të jemi të sigurtë se liria e lëvizjes qëndron mbi baza të shëndosha”. Edhe Holanda dhe Austria kanë shprehur rezerva ndaj hapjes së kufijve me 1 janar 2014 për punëtorët nga Rumania dhe Bullgaria. Prej kësaj date ata mund të kërkojnë punë kudo në BE, por ekziston frika se në tregun perëndimor do të vijë fuqi e lirë punëtore nga vendet lindore. Rumania dhe Bullgaria janë anëtare të BE që nga viti 2007. Prej atëherë në mënyrë konstante është rritur numri i qytetarëve të këtyre vendeve që vijnë në Gjermani. Kontrolli kufitar në kufirin me Rumaninë dhe Bullgarinë nuk të të hiqet për momentin. Gjermania edhe më tej bllokon futjen e këtyre vendeve në zonën Shengen./dw