-4.3 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Të çahet “konspiracioni i heshtjes” – Projekte për shërimin e traumave në Ballkan

Më të lexuarat

Projekte për shërimin e traumave në Ballkan
Luftërat dhe diktaturat lënë plagë të rënda shpirtërore, si për viktimat, ashtu dhe për autorët. Në projektin “Trauma – Kujtimi -Besimi” psikologë nga Gjermania, Bosnjë-Hercegovina, Serbia dhe Bullgaria kërkojnë shërim.
Srebrenica 18. Jahrestag Potocari 11.07.2013
Srebrenica, emri i qytetit në lindje të Bosnjë-Hercegovinës kujton masakrën më të rëndë në Evropë pas luftës së Dytë Botërore. Në vitin 1995 pjesëtarë të ushtrisë të serbëve të Bosnjës, nën komandën e Ratko Mladiçit, vranë gati 8000 muslimanë boshnjakë, që kishin ikur për të gjetur siguri në zonën e mbrojtur nga OKB.
Aleksandar Dimitrijević jep psikologji në universitetin e Beogradit dhe e ka vizituar Srebrenicën me disa prej studentëve të tij dhe me të tjerë anëtarë të projektit hulumtues: “Trauma – Kujtesa – Besimi” dhe e ka të vështirë, që të përshkruajë ndjenjat e tij: “Kjo ka qenë për ne një përvojë shumë e rëndësishme, sepse kemi konstatuar se vetëm dëgjimi e historive për këtë ngjarje, është i padurueshëm. Sa i tmerrshëm duhet të ketë qenë atëherë realiteti, kur vetëm përfytyrimi i asaj, që ka ndodhur, është i padurueshëm.”
Pjesëmarrësit në projekt duan të shkëmbejnë rezultatet dhe njohuritë në hulumtimin e traumës. Ata trajtojnë këtu si përvojat traumatike, që janë shkaktuar nga lufta, ashtu edhe traumat si rezultat i jetesës në një diktaturë. Projekti është i koordinuar nga “International Psychoanalytic University”, një universitet privat me qendër në Berlin.
Të çahet “konspiracioni i heshtjes”
Dimitrijeviç thotë, se vetëm pas vizitës në Srebrenicë atij iu bë e qartë, se pse kaq shumë njerëz në Serbi nuk mund të gjejnë forcën për t’u përballur me kujtimet e masakrës, ose për të folur për ngjarjet: “Në Serbi, për mendimin tim, nuk bëhen ende përpjekje për t’u marrë me ngjarjet e të kaluarës sonë të kohëve të fundit.”

Por ballafaqimi konstruktiv me të kaluarën është detyrë si e individit, ashtu edhe e kolektivit, thotë neuropsikiatria Amra Deliç, një nga pjesëmarrëset në projekt. Sado e dhimbshme që të jetë kjo, plagët e vjetra duhen hapur dhe faktet historike duhen zbuluar pa rezerva, përndryshe mund të ketë rigjallërim të konflikteve të pazgjidhura.
Kushti paraprak është që të thyhet “konspiracioni i heshtjes”, thotë Amra Deliç: “Kjo vlen të thuhet kryesisht për ato, zëri i të cilëve nuk është dëgjuar ende, ose i atyre, që ende nuk mund të flasin.”

Amra Delić ankohet se momentalisht e marrin fjalën vetëm ato, që janë aktivë në kuptimin politik. Dhe jo vetëm për të pajtuar, por edhe për të mbajtur gjallë dhe për të nxitur konfliktet ekzistuese në mes të grupeve të ndryshme etnike. Serbë, kroatë, apo boshnjakë, siç e quajnë veten boshnjakët muslimanë, të gjithë i referohen atyre, që grupet e tjera i kanë bërë grupit të tyre etnik, perspektiva e anës tjetër përjashtohet krejtësisht.
Studjuesit e shohin problemin në faktin, “se në të gjithë rajonin deri tani nuk ka qenë e mundur të zgjidhen në mënyrë konstruktive përvojat traumatike. Deri tani mungonte edhe gatishmëria për t’u marrë me të kaluarën e përbashkët tragjike, të karakterizuar nga humbje të mëdha personale dhe vuajtje të popullsisë”, shton Delić.

Të ndjekur nga traumat

Plagët shpirtërore nuk prekin vetëm njerëzit, që vetë kanë kaluar gjëra të tmerrshme, por edhe fëmijët e tyre, mendojnë ekspertët. “Ndjenjat, që janë shkaktuar nga përvoja traumatike, transmetohen në mënyrë të pandërgjegjshme nga brezi në brez.” Është e njohur se popujt, që nuk kanë mësuar asgjë nga e kaluara, nuk dalin dot nga kjo e kaluar. “Për ta e kaluara përsëritet vazhdimisht”, thotë Deliç.
Për ta çarë këtë rreth vicioz në rrafshin individual dhe kolektiv, nevojitet psikoanaliza. “Puna psikoanalitike do të thotë, t’i hapësh dikujt një hapësirë, ku personi të arrijë vetë në përfundime”, thotë Andreas Hamburger, profesor në International Psychoanalytic University dhe drejtues i projektit hulumtues “Trauma – Kujtesa -Besimi”. “Kur ne ofrojmë një hapësirë të mbrojtur për një bisedë, atëherë ne besojmë, se mund të kapërcehen edhe mekanizmat e ndrydhjes kolektive të gjërave të përjetuara”, thotë Hamburger.
Në studimet e tij të deritanishme ai është marrë gjerësisht me përvojat e të mbijetuarve të Holokaustit. Përpunimi i së kaluarës në Gjermani ka zgjatur dekada. “Ai ka qenë një proces i gjatë dhe i dhimbshëm, pavarësisht nëse është fjala për përvojën e luftës, apo për pasojat e diktaturës.” Plagët në Ballkanin Perëndimor janë relativisht ende shumë të freskëta dhe të dhimbshme.

Të hapen plagët dhe të pastrohen

Në Gjermani në mesin e viteve 60-të kanë arritur në përfundimin se ndrydhja nuk është zgjidhje, thotë psikoanalisti Hamburger: “Ka kaluar shumë kohë, derisa është mundur të flitet për këtë.”
Kolegu i tij nga Beogradi Aleksandar Dimitrijević pajtohet me të. Konfrontimi me të kaluarën është e vetmja rrugë, sado e dhimshme që të jetë ajo. Apo për ta shprehur me fjalët e Desmond Tutu, i cili ka qenë për shumë vite në krye të komisionit për të Vertetën dhe Pajtimin në Afrikën e Jugut: “Eshtë e nevojshme, që të hapen plagët e të pastrohen, me qëllim që ato të mos infektohen. Dhe psikoanalistët mund të shtonin, edhe për të mos infektuar brezat, që vijnë më pas./dw

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit