Shtëpia e Bardhë mohoi pretendimin e kryeministrit të Izraelit, se ai kishte diskutuar me administratën e presidentit të SHBA-së për aneksimin e vendbanimeve hebreje në Bregun Perëndimor.
“Raportet se SHBA-ja diskutoi me Izraelin për planin e aneksimit të Bregut Perëndimor janë të gabuara. SHBA dhe Izraeli nuk e kanë diskutuar një propozim të tillë,” tha zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Josh Rafael, transmetojnë mediat izraelite.
Pasi deklarata e kryeministrit izraelit u mohua nga Shtëpia e Bardhë, opozita izraelite tha se Netanjahu ishte duke gënjyer.
Në Jerusalemin lindor dhe Bregun Perëndimor, jetojnë më shumë se 600,000 hebre në mesin e tre milionë palestinezëve.
Shumë politikanë izraelitë të krahut të djathtë besojnë se ata kanë një shans për të zbatuar plane për aneksimin e pjesëve ose të gjithë Bregut Perëndimor, derisa të zgjasë mandati i Donald Trumpit.