Policia e Kosovës ka konfirmuar se ka qenë pjesëmarrëse në një operacion të Departamentit Amerikan të Shtetit, i cili ka ngritur aktakuzë kundër 36 personave për mashtrim dhe vjedhje përmes internetit, e ku në mesin e tyre ndodhen edhe dy kosovarë.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha ka thënë për Insajderin se policia ka arrestuar dje dy kosovarët e dyshuar për vjedhje kibernetike: Besart Hoxha dhe Liridon Musliu.
“Lidhur me rastin janë arrestuar dy persona të dyshuar meshkuj K-Shqiptar dhe te njëjtit pas intervistimit me urdhër të Prokurorit dërgohen në mbajtje për procedura të mëtejme”, deklaroi Hoxha.
“Sektori për krime kibernetike në koordinim me autoritetet kompetente ka ndërmarr veprime të nevojshme sipas autorizimeve dhe ka realizuar kontroll në dy lokacione me ç ‘rast janë konfiskuar, dy vetura, kompjuterë Laptop, shtëpiza kompjuteri, telefona celular, USB, foto aparat”, ka thënë Hoxha.
Departamenti i Drejtësisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës njoftoi sot se ka ngritur aktakuzë ndaj 36 personave, të përfshirë në një skemë globale të vjedhjes në internet që kanë shkaktuar dëme prej 530 milionë dollarëve.
Departamenti i Drejtësisë së SHBA-ve ka publikuar emrat e 36 personave të akuzuar për mashtrim kibernetik dhe vjedhje, teksa janë bërë të ditur edhe dy emrat e kosovarëve: Besart Hoxha dhe Liridon Musliu.
Zyrtarët e Departamentit të Drejtësisë kanë bërë të ditur, se ata kanë bërë kërkesë për ekstradimin e tetë të pandehurve nga vendet jashtë SHBA-ve, e që njëra prej tyre është Kosova.
Aktakuza e ngritur nga prokurorët amerikan liston 117 vepra të kriminalitetit kibernetik nga anëtarët e këtij grupi të hakerëve, e që përfshin keqpërdorime me karta të kreditit dhe shitje të informacioneve të vjedhura në internet.