0.3 C
Pristina
Friday, December 27, 2024

Si mund të garantohet siguria e ushqimeve?

Më të lexuarat

Skandalet me produktet ushqimore i trembin vazhdimisht konsumatorët. Parandalimi duket i pamundur. Por idetë, për të detyruar firmat të kujdesen për higjenën, nuk mungojnë.

Kioska e dënerëve, apo restoranti i peshkut, një bar me sushi, apo banaku në treg, të gjitha sipërmarrjet e gastronomisë, ashtu si prodhuesit, duhet të respektojnë standarde të larta, sa i takon higjienës së produkteve ushqimore dhe cilësisë së përbërësve. Por për fat të keq nga jashtë është e vështirë të dallohet se çfarë fshihet prapa kulisave të një lokali. Për këtë arsye çdo vit kontrollorët e ushqimeve shkojnë nëpër lokale dhe kontrollojnë me imtësi gjithçka.

Ajo, që zbulojnë, është shpesh shkak për shqetësim dhe tregon se Gjermania nuk është shembull në higjenën e produkteve ushqimore. Vitin e kaluar kontrollorët zbuluan mangësi në një të katërtën e gjithë firmave të kontrolluara. Kjo vlerë është edhe vetë alarmante, por numri i panjohur mund të jetë shumë më i lartë, pasi vetëm 40 për qind e gjithë firmave ishin objekt i kontrolleve. Një nga arsyet për numrin e ulët të kontrolleve është mungesa e parave për më shumë personel në komuna, të cilat janë përgjegjëse për higjenën e produkteve ushqimore.
Për Martin Müller, president i Shoqatës Federale të Kontrollorëve të Produkteve Ushqimore, financat e pamjaftueshme janë vetëm një pjesë e problemit. Kësaj i shtohet fakti që ekonomia vendase duhet të mbrohet. “Kush kontrollon, nuk është patjetër popullor. Dhe pikërisht aty, ku bëhet fjalë për vende pune, bëhen nganjëherë përpjekje për të lënë në hije gjëra të pakëndshme.”

Kërkohen procedura të njësuara në nivel federate
Edhe qendrat për mbrojtjen e konsumatorëve kritikojnë kontrollet sipas tyre të pamjaftueshme. Kjo i bën të pamundura ndryshimet. Këtë e tregon një vështrim në statistikën e mangësive që në 2012 ishte e njëjtë me vitet më parë, thotë Jutta Jaksche nga shoqata federale e qendrave për mbrojtjen e konsumatorit. Sipas saj autoritetet komunale janë të mbingarkuara. Në kohën e globalizimit nuk është më e mundur të ruash pamjen e përgjithshme të rrugëve të prodhimit, thotë Jaksche: “Nevojitet një vështrim nga lart dhe një procedurë e njësuar në rang federate. Kompetencat duhet të ripërcaktohen dhe duhet t’i përshtaten më mirë mundësive pa kufi të tregtimit, p.sh. përmes internetit. Dhe këtë në radhë të parë duhet ta rregullojë federate. Por edhe BE duhet të kujdeset për rregulla të qarta.”
Aktualisht në nivelin e BE-së po negociohet për rinovimin e rregullit për kontrollet zyrtare. Një nga pikat është rishpërndarja e kostove për kontrollet.
Jutta Jaksche mendon se ligjet më të rrepta janë të drejta por ato edhe duhet të zbatohen. “Në thelb është si me edukimin e fëmijëve. Sjellja ndryshon vetëm kur kërcënimet edhe zbatohen. Edhe ligjet më të mira nuk vlejnë asgjë, nëse nuk vihen në zbatim me rreptësi.”

Nuk ka zgjidhje universale
Në luftën kundër mashtrimeve me sigurinë e produkteve ushqimore nuk kërkohet vetëm puna e kontrollorëve, edhe konsumatorët kanë një rol të rëndësishëm, thotë kontrollori Müller. Ata mund të ndikojnë me sjelljen e tyre, p.sh. duke blerë nga ato firma, të cilat i japin rëndësi të madhe higjienës së mallrave ushqimore. Por për këtë iu duhet të dinë se si sillen firmat e ndryshme.
Në vende si Kanadaja dhe Danimarka ka ndërkohë sisteme të ashtuquajtura transparence. Atje konsumatorët informohen përmes semaforëve të kontrollit, apo piktogramëve. Një shenjë e gjelbër apo një fytyrë e qeshur do të thotë: “Këtu gjithçka është shumë mirë!” Një shenjë e kuqe, apo një fytyrë e trishtuar do të thotë se higjiena nuk merret aq seriozisht.
Shoqata federale gjermane e qendrave për mbrojtjen e konsumatorit i konsideron ide të mirë semaforët e kontrollit dhe smiley-t. Por nuk duhet të kënaqemi me kaq, thotë Jutta Jaksche. “Vetëm kjo nuk mund t’i zgjidhë problemet. Gjithnjë e më shumë konsumatorët duan të dinë, se si janë prodhuar ushqimet, që ata konsumojnë. Për këtë na duhet më shumë besueshmëri në shenjat identifikuese të firmave dhe deklaratat e tyre”, thotë Jutta Jaksche nga Shoqata federale e qendrave për mbrojtjen e konsumatorit./dw

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit