3.4 C
Pristina
Wednesday, November 27, 2024

Budallallëk: për të ndreqë partinë, prishin shqiptarinë

Më të lexuarat

Deklarata e fundit e Edi Ramës se për zyrtarizimin e gjuhës shqipe në Maqedoni ishte vendimtare Partia Socialiste e Shqipërisë është një budallallëk aq shumështresësh sa do duhej shumë fjalë dhe kohë që një për një të shqyrtohen gjithë nivelet që dëmton kjo qasje e papërgjegjshme ndaj shqiptarëve të Maqedonisë dhe përpjekjes së tyre kombëtare. Që të jemi më ilustrativ dhe sa më afër disa paragjykimeve për neve kjo duket tamam si një lakër të cilën e ka prekur krimbi dhe tani duhet fletë për fletë të gjejmë se çka nga ajo lakër mund ende të përdoret apo nëse e tëra duhet të hudhet në kosh të plehrave.

Pasi, lakra si lakër përveç krejt të mirave tjera edhe kushton lirë.
Të nisim prej të pavërtetës dhe gënjeshtrës që ka në këtë gjë. I gjithë kontributi i Edi Ramës në zhvillimet politike të vitit të fundit në Maqedoni mund të përmblidhet në atë se arriti të bëjë tok përfaqësuesit politik shqiptarë të këtuhit që ishin aq të përçarë dhe të pabesueshëm ndaj njëri tjetrit sa që nuk arrinin të shihnin rezultatin e thjeshtë numerik që nxorën votuesit shqiptarë në zgjedhjet e fundit parlamentare kur më një votë precize edhe e rrëzuan regjimin e Gruevskit por edhe në një mënyrë çliruan Maqedoninë dhe treguan për të satën herë se janë të pashmangshëm në çfarëdo vizioni për vazhdim të Maqedonisë.

Pra, Rama arriti të mbledh tok ata përfaqësues shqiptarë, që siç shohim nga ndodhitë e fundit, së pari nuk kanë besuar në vete e mandej as në tjerët që të funksionalizojnë numrat e artë nga ata zgjedhje. Pra, as nuk pati ndonjë ligj dhe platformë të përgatitur në Tiranë as ndonjë negocim direkt të Shqipërisë me Maqedoninë për ndonjë gjë nga politika e shqiptarëve të Maqedonisë.

Vetëm mundësim i uljes bashkë në një tavolinë të njerëzve të një lloji dhe kalibri, që fare lehtë do mund ta kishte bërë edhe ndonjë organizatë joqeveritare nga Shqipëria, po të ishim në atë stad zhvillimi institucional si komb ose edhe diplomacia shqiptare prezent në Maqedoni, po të ishte në nivel normal të duhur. Nëse s’do kishte Edi Ramë e Shqipëri kjo me siguri do bëhej nga ndonjë ambasadë mike në vend që do ua hapte sytë shqiptarëve, të ndarë aq sa do i nxirrnin njëri tjetrit sytë, se numrat këtë herë ishin rast historik për të përmirësuar disa ngecje historike. Gënjeshtra në këtë deklaratë për kinse meritë të Partisë Socialiste është në atë se edhe krejt ajo pak që ka bë Edi Rama është mundësuar se e kanë pa njerëzit si kryeministër të Shqipërisë. Sa për socialist, piktor, shkrimtar dhe politikan në opozitë shqiptarët e Maqedonisë e nderuan vite më parë kur në promovim libri në Shkup ishim shumë shqiptarë prezent dhe nderuam një të mençur. Çfarë zhgënjimi?!

Shtresa tjetër e budallallëkut është mospotencimi tërë kohës se në fakt Partia Socialiste është meritore që në Shqipëri është bërë zyrtarizimi i maqedonishtes, një gjuhë e kontestuar nga shumë popuj dhe fqinj, në nivelin më të lartë ligjor në rajon dhe botë.
Për të analizuar shtresat tjera duhet të shkohet edhe më thellë në histori për të ditë se Maqedonia vetëm në kohë të çrregullta historike nuk ka patur të zyrtarizuar gjuhën shqipe dhe shqiptarët pasi në tërë kohën e historisë së saj politike shtatëdhjetë e ca vjeçare edhe me kushtetutë dhe ligjërisht shqiptarët ishin dhe janë komb konstitues i Maqedonisë. Kështu ishte gati gjatë gjithë kohës brenda Jugosllavisë dhe pas konfliktit të 2001 dhe Marrëveshjes së Ohrit kur shqipja dhe shqiptarët herë me emra, herë më numra ishte në Kushtetutë. Të mos shkojmë ende më thellë në histori të tregojmë se sa e pahijshme duket që dikush jashtë tyre të i tregojë një pjese të kombit me Kongresin e Manastirit dhe Kryengritjen e Dervish Carrës, siç janë shqiptarët e Maqedonisë.

Kjo pasi nga katër ngjarjet përdëlluese të theksimit kombëtar shqiptar në historinë moderne dy ndodhën këndej pari, në ato vise që tash janë Maqedoni. Kongresi i alfabetit dhe kryengritja ndaj sundimit osman. Ashtu në një ndarje kësisoj Shqipërisë dhe Kosovës do i mbeteshin vetëm nga një; Lidhja e Prizrenit dhe Shpallja e Pavarësisë në Vlorë.

Pa pasur nevojë të hyjmë në shtresa tjera kjo deklaratë ishte zhgënjim dhe përçmim për krejt kontributin e tjerëve në sjelljen e ligjit që buron nga Kushtetuta aktuale e Maqedonisë. Duke nisë nga Ushtria Çlirimtare Kombëtare e Maqedonisë e deri tek gjithë deputetët shqiptarë dhe joshqiptarë që para disa ditëve e votuan këtë ligj.

Në fund kjo gafë dhe budallallëk ndoshta shërben vetëm për ti bërë adaptim thënies së moçme shqiptare për ata që për të ndreq hajat prishin shtëpinë se edhe kësaj here, fatkeqësisht, si shumë ku ndër shqiptarë: për të ndreqë partinë, prishën shqiptarinë.

Ramadan Ramadani

 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit