4.7 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Rrëfimi i vrasësit të pasluftës

Më të lexuarat

Një vrasës i penduar ka vite që ka filluar të bashkëpunojë me Prokurorinë. Shkumbin Mehmeti, është pjesë e një grupi kriminal që ka marrë pjesë në vrasje, kontrabandim të lëndëve narkotike, plaçkitje, hajni, vrasje, eksplodime, kidnapime.

Mehmeti, (1979) ish-pjesëtar i UÇK-së dhe SHPK-së, prej marsit të vitit 2004 është në burg. Ai pretendon se di për të paktën 6 vrasje, tri prej të cilave me motive politike.

Këto dëshmi ua ka dhënë prokurorëve ndërkombëtarë të EULEX-it. Mehmeti aktualisht është në burgun e sigurisë së lartë në Gërdovc duke vuajtur dënimin me burgim prej 30 vjetësh për vrasjen e dy policëve, njëri i UNMIK-ut dhe njëri i Kosovës në një shkëmbim zjarri afër Podujevës. Në këtë krim Mehmeti ka thënë se ka qenë pjesëmarrës por jo kryesor.

Kryesor pretendon se ka qenë Agron Sylejmani, i vrarë në atë incident dhe të tjerët të cilët sipas tij janë liruar me ndërhyrjen e ish-zëvendësshefit të UNMIK-ut, Steven Schook dhe njërit prej drejtuesve të LPK-së, Ibrahim Kelmendi.

Të arrestuar dhe të akuzuar së bashku me Mehmetin atë kohë kanë qenë Nazim Kadriu, Arben Ahmeti, Arsim Rashiti, Jeton Sylejmani, Osman Kelmendi, Florim Ejupi, Xhavit Kosumi, Faik Shaqiri, Nezir Kelmendi, Irfan Ademi, Xhafer Zymberaj dhe Bajram Kiqmari.

Ishin akuzuar për terrorizëm nga Prokuroria e UNMIK-ut. Të gjithë qenë liruar më vonë nga akuzat pos Shkumbin Mehmetit i cili sipas dëshmive që ka dhënë në Prokurori ka pasur një top dore me të cilin ka gjuajtur por, askush nuk ishte vrarë nga ajo armë. Policët sipas hetimeve ishin vrarë nga plumba kallashnikovi.

Mehmeti u ka thënë prokurorëve ndërkombëtarë se të arrestuarit ishin liruar me si rezultat i ndërhyrjeve politike. Pretendon se kishte ndërhyrë ish-zëvendëskryeadministratori i Kosovës, Stiven Schook dhe Ibrahim Kelmendi direkt.

Dëshmitari kishte thënë këtij grupi kriminal i ishte bashkuar në mars të vitit 2003. Atë kohë ka thënë se kishte dalë në arrati për shkak se Policia i kishte zënë në shtëpi një sasi të madhe eksplozivi. “Prej asaj kohe kam ndejt me atë grup nëpër Kosovë, në Tiranë, Durrës. Grupi i ka pasur mbi 10 anëtarë, nga Peja, Drenica e Llapi”, kishte thënë Mehmeti.

“Ky grup është marrë me të gjitha llojet e krimeve”.

Mehmeti ka qenë polic i SHPK-së. Ai kishte dëshmuar për një seri procesesh hetimore. Ka thënë ser ishte i ngarkuar për vrasjen e njerëzve që konsideroheshin e keqja e vendit, mes të cilëve edhe anëtarët e LDK-së.

“Unë nuk mund të them se kemi pasur ndonjë bisedë se duhet me e mbrojt këtë apo atë grup apo parti, apo se ne furnizohemi prej kësaj apo asaj partie. Mirëpo mllefi ma shumë ka qenë për personat e LDK-së”, kishte thënë ai.

Mehmeti kishte thënë se këta njerëz që janë në politikë u kishin thënë se njerëzit e LDK-ja e ka penguar luftën, është parti pacifiste dhe i ka sjell vendit dëm shumë të madh. Ai kishte pohuar se ka qenë i manipuluar prej personave të ndryshëm të cilët janë thirrur në emër të patriotizmit.

“Ka qenë njëfarë stimulimi me vepru kundër njerëzve të LDK-së. Ka pas persona prej Pejës që kanë fol dhe na kanë stimulu që me i luftu këta njerëz. Mirëpo jo me laps por me forma tjera”, kishte thënë Mehmeti.

Dëshmitari kishte pohuar se ka informacione për vrasjen e Xhemajl Mustafës, Smajl Hajdarit, Tahir Zemajt, por të dëgjuara nga shokët.

“Kam informacione, por nuk kam marrë pjesë. Fatmirësisht unë personalisht nuk jam përfshirë në asnjë vrasje politike”, kishte thënë ai.

Mehmeti kishte thënë se se gjithmonë kanë qenë bashkë dhe kanë biseduar shpesh për këto krime. Mehmeti ka thënë se ka informacione për të paktën gjashtë vrasje, kidnapime, reket, shantazhe, tregti me narkotik. Pos kësaj kishte thënë se ka pasur edhe financues siç është birraria e Pejës, e cila atë kohë ishte nën kontrollon e biznesmenit, Agim Elshani.

“Birrarinë e ka udhëhequr Agim Elshani. Kemi ba pazare edhe me Ibrahim Kelmendin sepse ai ka qenë pjesë e grupit më herët, mirëpo atë kohë ka qenë një thyerje mes neve dhe tij dhe jemi nda. Ibrahim Kelmendi është tërheq prej birrarisë dhe një përgjigje e kemi marrë ne”.

Mehmeti kishte shpjeguar se grupi ka pasur para nga burime të ndryshme. Pos financimit nga birraria dhe përfaqësuesi i Tekillës, forma tjera sipas tij kanë qenë haraçi, nxjerrja e borxheve me përqindje dhe tregtia me narkotikë. Kishte thënë se kur dikush nuk ka mundur ta nxjerr një borxh, kishin shkuar ata dhe e kishin nxjerr.

Përqindja kishte thënë se ka ndryshuar varësisht nga shuma. Ka përmendur kidnapimin e një të riu në të cilin ka thënë se kanë qenë shumë persona. Ka thënë se ideator ka qenë Qerim Kelmendi. Për këtë kidnapim ishin arrestuar dhe dënuar Driton Sylejmani, Arton Sylejmani, Bashkim Haziri dhe ai.

“Ky ka qenë kidnapimi i vitit 2003 i Valon Dreshajt. Atij ju kanë kërkuar dy milion euro”, kishte thënë ai.

Mehmeti kishte thënë se në vitin 2003 ishte zbuluar rasti por ai kishte qenë në arrati deri në 2004. Kishte thënë se ishte zbuluar kur ishte gjetur arma e tij e Policisë.

“Driton Sylejmani ka dhënë deklaratë se kinse unë jam kanë kryesori. Në gjykatë e ka mohu. Ka thanë nuk është deklarata jeme, dhe unë në një proces të ndarë jam dënu 12 vjet dhe pas shpalljes së dënimit unik më janë dhënë 30 vjet”, kishte thënë ai.

Mehmeti kishte thënë se pos tij dhe tre të tjerëve të dënuar me nga 3 deri në pesë vjet burg, të tjerët nuk ishin arrestuar kurrë.

“Edhe në këtë rast unë jam cilësuar kryesori sepse nuk kam fol”, kishte thënë ai.

Dëshmitari kishte thënë se udhëheqës e ka pasur Agron Sylejmanin. Kishte shtuar se kanë pasur kontakte edhe me grupe tjera kriminale në çdo qytet të Kosovës.

Mehmeti nga Podujeva ka qenë pjesëtar i UÇK-së. Shumicën e kohës ka shërbyer në zonën e Llapit. Një kohë ka qenë pjesëtar i njësisë vëzhguese diverzante ‘Arbëri’ me bazë në Kleçkë nën komandën e Tahir Sinanit pranë shtabit të përgjithshëm. Pas luftës nga viti 2001-2003 ka qenë pjesëtar i SHPK-së. Në vitin 2003 ishte largu nga Policia dhe i ishte bashkëngjit një grupi kriminal me të cilin edhe më herët siç ka thënë ai ka pasur kontakte. Me këtë grup ka thënë se ka bashkëvepruar deri në prill të vitit 2004, kur ishte arrestuar. Prej atëherë është në burg./Insajderi.com

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit