“Pa macet, Stambolli do të humbte një pjesë të shpirtit të tij”, shpjegon një banor në “Kedi” (Macja), dokumentari i ri tërheqës që përshkruan jetën në një prej vendbanimeve magjike të Mesdheut. Në kryeqytetin kulturor të Turqisë, që vetëm zgjerohet, macet janë një simbol dinjitoz i 16 milionë “milingonave” punëtore që jetojnë në lagjet e Stambollit. Kafshët janë po aq rehat duke u sjellë mes kafeneve sa edhe kur shmangin trafikun në rrugët e ngarkuara.
Stambollinjtë shpesh vendosin kupa me ushqim dhe ujë në anë të trotuareve në një përpjekje të përbashkët për të lejuar macet të jetojnë të lira. Paratë në kutitë e bakshisheve në një restorant shkojnë drejt e për faturën e veterinerit për kafshët e sëmura apo të lënduara; në një kioskë peshku, macet shijojnë sardelet e vogla të kapura në Bosfor. Njerëzit shpesh ndjehen sikur kanë detyrën për t’u kujdesur për kafshët që vërdallisen rreth shtëpisë së tyre apo vendit të punës, pavarësisht mospërfilljes që tregojnë vetë macet. “Macet e dinë se njerëzit veprojnë si ndërmjetës të vullnetit të Zotit”, thotë një banor i Stambollit në dokumentar. “Ato nuk janë mosmirënjohëse – thjesht dinë më shumë”.
“Kedi” e pati premierën në festivalin e filmave të pavarur në Stamboll e tashmë po shfaqet edhe në kinematë e qyteteve të tjera nëpër botë. Regjisorja Ceyda Torun, e cila ka jetuar në Stamboll deri në moshën 11-vjeçare, hulumton jetën në metropol nga perspektiva e shtatë felineve guximtare me emra të tillë si “Batakçiu” apo “Psikoja”.
Rrugëtimi i tyre nxjerr me lezet mendimet e “pothuajse-pronarëve” të tyre për jetën, dashurinë dhe Zotin. Kamera e Torun alternohet nga filmimet e këmbëve në trotuare ku macet kanë territorin e tyre e shkon deri sipër çative për pamje ajrore të Kepit të Artë.
Stambolli është perfekt për median sociale të fiksuar pas maceve. Një faqe Facebook-u “ Macet e Stambollit” ka mbi 66 mijë ndjekës, dhe në Instagram, pamjet-ikonë të Stambollit vijnë përmes felineve fotozhenike. Lagjia Kadikoy memorizoi një mace të quajtur Tombili me një statujë bronci pas një fushate online. Tombili u bë një sensacion në internet pasi një foto e shfaqi atë ashtu rrumbullake, me një putër të varur shkujdesur jashtë një shkalle. Në xhami në anën aziatike të qytetit po ashtu doli në titujt e parë të medias pas qarkullimit të disa fotove që tregonin macet që qëndronin si në shtëpinë e tyre mes besimtarëve. Imami i sjellshëm, Mustafa Efe, i pret macet krahëhapur.
Turqia nuk është vendi unik midis vendeve me shumicë muslimane që i vlerëson macet e veta, të cilat konsiderohen kafshë të pastra rituali në Islam. Në hadithe, që janë thëniet dhe veprimet e mbledhura të profetit Muhamed, ka shembuj të shumtë të dhimbsurisë së Profetit ndaj maceve. Sipas një rrëfimi, Profeti preu mëngën e rrobës së tij kur u ngrit për t’u falur që të mos shqetësonte një mace që ishte shtrirë mbi të për një sy gjumë.
Në një tjetër, macja shtëpiake e Abu Hurayrah (fjalë për fjalë “babai i koteles”) e shpëtoi profetin Muhamed nga një sulm prej një gjarpri vdekjeprurës. Muhamed e bekoi macen në shenjë mirënjohje, duke u dhënë maceve aftësinë që gjithnjë të bien në tokë në këmbë. Macet konsiderohen rojtare në vende të tjera të botës Islame: ato mbrojnë bibliotekat nga shkatërrimi prej minjve dhe mund të kenë ndihmuar në mbrojtjen e popullsive të qyteteve nga murtaja të përcjella prej minjve.
Historia e dashurisë së Stambollit me macet po ashtu është më e vjetër sesa republika e Turqisë. Nën perandorinë Osmane, besimtarët kujdeseshin për macet, përmes fondacioneve lokale të bamirësisë apo vakëfeve; në kontrast, macet shpesh ishin personazhe të frikshme dhe të përfolura në qytetet mesjetare europiane.
Karikaturisti Bulent Ustun—krijues i “Serafettin”, maces së ilustruar- përshkruan në “Kedi” sesi lagjia e tij, Cihangir u shndërrua në strehë për shumë raca macesh pasi mjetet lundruese osmane nga e gjitha bota do të ankoroheshin aty dhe pasagjerët-felinë do të zbrisnin në tokë. Anadolli është po ashtu vendlindja e racave Angora dhe Van, maceve borë të bardha që shpesh kanë “Heterochromia iridium”, apo bebza sysh me ngjyra të ndryshme. Macet Van kanë një simpati të pazakontë për ujin, që i bën ato të përshtatura mirë për ta pasur shtëpinë pranë liqenit më të madh të Turqisë. Sipas legjendës, një çift prej tyre ishte në bordin e varkës së Noas; kur anija preku tokë në majë të malit Ararat, macet kërcyen dhe notuan drejt bregut.
Pavarësisht shumë skenave të ndjera në dokumentarin “Kedi”, filmi po ashtu reflekton edhe përvojën e ashpër të ekzistencës për shumë nga këto kafshë. Një intervistues thotë se popullsia njerëzore e Stambollit po përpëlitet me të njëjtat sfida që kanë edhe këto kafshë: rritja e dendësisë së popullsisë dhe zhvillimi marramendës urban e kanë transformuar qytetin viteve të fundit. Edhe pse mijëra emigrantë ekonomikë nga pjesa rurale e Anadollit, projektet masive infrastrukturore dhe ndasitë politike po e riformatojnë metropolin, macet mbeten konstantja e tij. Ashtu si edhe qyteti në dy kontinente, macet ekzistojnë midis botëve – të zbutura shtëpiake dhe të egra – por me një karakter tërësisht të vetin.
Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/