ryetari i Kongresit të Shoqatës Muslimano-Amerikane (MAS) dhe Rrethit Islam të Amerikë Veriore (ICNA), Huseyin Ata, paralajmëroi se të drejtat dhe liritë e muslimanëve në SHBA përballen me më shumë kërcënime se kurdo, raporton Anadolu Agency (AA).
Duke folur në hapjen e Kongresit i cili në Chicago mblodhi dhjetëra mijëra muslimanë nga të gjitha vendet e botës, Ata theksoi se pas garës presidenciale të vitit të kaluar kanë pritur pasoja për muslimanët amerikanë.
Ai theksoi se ka vazhduar propaganda anti-muslimane e presidentit amerikan, Donald Trump. Ata deklaroi se propaganda e Trumpit nuk ka mbetur në fjalë, por është shndërruar në politikë.
“Kaosi dhe shkujdesja e administratës së tanishme ka rritur paqartësitë dhe pasigurinë si për të gjithë amerikanët ashtu edhe për muslimanët amerikanë”, porositi para muslimanëve të pranishëm.
Ai rikujtoi se vendosja e vizave për qytetarët e vendeve muslimane, por edhe vendimi për të njohur Kudsin si “kryeqytet të Izraelit”, e gjithë kjo, konsideron Ata, janë hapa të pamatura dhe të papërgjegjshëm. Ky vendim, sipas tij, është shembull i vështirësive me të cilat përballen muslimanët amerikanë.
Në Kongres foli edhe sekretari i përgjithshëm i Këshillit të Organizatës së Muslimanëve Amerikanë, Usame Cemal, duke porositur se muslimanët janë pjesë e Amerikës. Retorikën e Trumpit kundër muslimanëve e cilësoi si të rrezikshme. Cemal tha se nevojitet që, jo vetëm muslimanët amerikanë, por edhe përfaqësuesit e të gjitha feve në këtë vend, të reagojnë dhe kritikojnë vendimin e Trumpit lidhur me Kudsin.
“Doemos duhet të tregojmë se muslimanët në Amerikë janë bashkësi dinamike dhe e rëndësishme”, tha Cemal. Ai theksoi rëndësinë e pjesëmarrjes së muslimanëve të Amerikës Latine në Kongresin e sivjetshëm.
Zëvendëspresidentja e bashkësisë muslimane në Amerikën Latine, Vilma Lopez, deklaroi se muslimanët e Amerikës Latine përfundimisht do të marrin pjesë në aktivitetet e muslimanëve në SHBA. Ajo rikujtoi se në Amerikën Latine është bashkësia ku më shpejtë rritet numri i atyre që pranojnë Islamin. Të pranishmit porositën se Islami në këto hapësira do të qëndrojë edhe 200 vite.
Në Kongres do të mbajë një fjalim edhe zëvendëskryetari i Partisë së Drejtësisë dhe Zhvillimit (AK Parti), Mehdi Eker.