Vëlla dhe motër!
Vadite zemrën tënde të djegur dhe të përvëluar nga qëndrimi larg Zotit dhe nga gjynahet! Zemra jote është besimtare dhe thirrja e natyrshme e fton çdo ditë ti kthehet Zotit dhe Krijuesit të saj, ti kthehet normalitetit, pjekurisë dhe maturisë.
E kush është ai që kurrë nuk ka gabuar?
Nëse Zoti nuk dëshiron të ti pranojë lutjet, nuk do të ta kishte frymëzuar dëshirën për t’iu lutur..
Ai nuk na varfëron, veçse për të na pasuruar, nuk na vdes veçse për të na ngjallur..
Thotë Ibnul Kajjim:
“Zemra përjeton ndonjëherë gjendje lëmshi, të cilin nuk e zgjidh veçse afrimi me Zotin. Ajo përjeton vetmi, të cilën nuk e largon veçse intimiteti me Zotin. Ajo përjeton dëshpërim, të cilin nuk e heq veçse kënaqësia që të fal njohja më e thellë e Zotit dhe ndjesia se Ai kujdeset për ty në çdo çast. Zemra përjeton stres, të cilin nuk e qetëson veçse grupimi me besimtarë për hatër të Zotit dhe respekti i koordinatave hyjnore. Zemra përjeton djegie dhe dhimbje, të cilat nuk i shuan veçse pranimi dhe respektimi u urdhrave dhe ndalesave të Zotit, pranimi i caktimit dhe përqafimi i durimit deri Ditën e takimit të Tij. Zemra pushtohet edhe nga lakmi e shfrenuar, të cilën nuk e frenon veçse nëse i kërkuari është Zoti dhe kënaqësia e Tij. Zemra pushtohet nga varfëria, të cilën e mbush vetëm dashuria për Zotin, përmendja e Tij sa më e shpeshtë dhe sinqeriteti. Nëse njeriut i jepet e gjithë bota, nuk ia mbush varfërinë e zemrës.”
E di që je ndjerë i dëshpëruar edhe pa shkak, ke përjetuar dhimbje pa shkak, je ndjerë i huaj në mes të familjes, je ndjerë i vetmuar në mesin e miqve, i pashpresë në mesin e të mirave… Sa të nevojshme e kemi të jemi pranë Teje o Zot!
Kjo botë është shumë e shkurtër, ditët ndjekin njëra-tjetrën si akrepi i orës sekondat, minutat dhe orët. Asnjë kënaqësi e kësaj bote nuk është perfekt, madje, do të thosha që të gjitha pasohen nga lodhje dhe këputje.
Nuk është turp që njeriu të gabojë dhe të bëjë gjynahe, por turp është të insistojë në gjynahe, tu hapë derën dhe të mos pendohet tek Zoti. Thotë profeti Muhamed a.s:”Të gjithë bijtë e Ademit janë gabimtarë dhe gabimtarët më të mirë janë ata që pendohen.”
Unë e di, që sa herë që orvatesh të pendohesh dhe të përmirësohesh, të vjen shejtani dhe të thotë:”Ti je hipokrit/e. Një ditë zhytesh në gjynahe, ligësi dhe pisllëk, e ditën tjetër dashke të pendohesh, të përmirësohesh dhe të pastrohesh.”
Kjo është diçka që u ndodh shumë njerëzve. Po cila është zgjidhja atëherë? Si ta përballoj këtë ndjesi, e cila më kujton të ligën, sa herë dua të hedh hapin drejt të mirës?
Zgjidhja e shejtanit është e tillë, që të thotë më mirë vazhdo me gjynahe, se kështu, të paktën, nuk bëhesh njeri me dy fytyra. Po, kështu e di vetë dhe e dinë të tjerët se je njeri i keq.
Thuaji: Faleminderit për këtë këshillë o i mallkuar! Por, përse nuk më këshillon ndryshe? Përse nuk më thua që largohem një herë e mirë nga gjynahet? Përse nuk më thua ti bashkëngjitëm një herë e mirë njerëzve të ndershëm dhe besimtarë?
Me të drejtë, mund të pyesësh: Po si të imunizohem ndaj gjynaheve, nën hijen e këtyre faktorëve joshës dhe tundues?
Përgjigja: Kemi dy kampe, atë të besimit, dashurisë dhe drojës nga Zoti, si dhe atë të shejtanit, epshit dhe pasionit të shfrenuar. Nëse duam që njëri prej tyre të triumfojmë, e forcojmë dhe e motivojmë maksimalisht.
Burimi: ardhmeriaonline.com