PRISHTINË (AA) – Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) në Kosovë ka bërë përurimin e dy projekteve të ndërtimit dhe rinovimit në dy kopshtet e fëmijëve në kryeqytetin e vendit, Prishtinë, raporton Anadolu Agency (AA).
TIKA, në kopshtin e fëmijëve i cili ndodhet në lagjen Hajvalia të Prishtinës, “Ngjyrat” ka bërë ndërtimin dhe mobilimin e një aneksi me dy klasa duke ndihmuar në rritjen e kapaciteteve të këtij kopshti.
Ambasadorja e Republikës së Turqisë në Prishtinë, Kıvılcım Kılıç dhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti të cilët ishin të pranishëm në këtë hapje u informuan për punën dhe procesin e edukimit nga drejtoresha dhe edukatoret e kopshtit.
Drejtoresha e kopshtit, Anduena Arni duke falënderuar TIKA-n për zgjerimin e objektit të kopshtit, theksoi se për momentin në këtë kopsht janë 35 fëmijë por falë ndihmës nga TIKA do të shtohet së shpejti edhe numri i fëmijëve që do të pranohen në këtë institucion.
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti nënvizoi marrëdhëniet e shkëlqyeshme në mes të Kosovës dhe Turqisë. Ai tha se do të vazhdojnë bashkëpunimin e mirë me ambasadën turke në Prishtinë si dhe me TIKA-n edhe gjatë vitit 2018. Ahmeti theksoi se TIKA me projekte të tilla sociale është bërë donatori kryesor në komunën e Prishtinës.
Ahmeti njoftoi se me ndihmën e shtetit turk do të shikojnë mundësitë për bashkëpunim në projektin për Qendrën për autizëm dhe sindromën down përmes një qendre në qytetin e Konjës në Turqi. Ai po ashtu tha se në bashkëpunim me TIKA-n do të bëjnë edhe rinovimin e njërës nga objektet më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore në Prishtinë, e cila është Xhamia e Çarshisë.
Ndërsa, gjatë ditës është bërë përurimi i këndit të lodrave dhe rinovimit të “Klasës së Mozaikut” nga TIKA në kopshtin “Gëzimi Ynë” i cili ndodhet në qendër të Prishtinës.
Ambasadorja e Republikës së Turqisë në Prishtinë, Kıvılcım Kılıç gjatë përurimit të kopshtit “Gëzimi Ynë” tha se krenohen me projektet dhe ndihmat e TIKA-s në shtetet mike. Ajo vuri theksin tek rëndësia e investimeve sociale sa u përket fëmijëve dhe grave duke shtuar se Turqia edhe në të ardhmën do të vazhdojë ta përkrah Kosovën dhe kosovarët me anë të projekteve të ngjashme.
“Institucionet e Republikës së Turqisë, në krye me TIKA-n do të vazhdojnë t’i përkrahin fëmijët, të rinjtë dhe gratë e Kosovës me projekte të ndryshme. Në këtë aspekt do të vazhdojmë të qëndrojmë pranë miqëve tanë kosovarë”, tha Kılıç.
Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti duke theksuar se ky investim i TIKA-s ka qenë shumë i nevojshëm për këtë institucion i cili është ndër kopshtet më të vjetra të Prishtinës tha: “Sot në emër të Komunës së Prishtinës, të qytetarëve, të çerdhes shfrytëzoj rastin ta falënderoj edhe shtetin turk, por edhe TIKA-n për ndihmën e vazhdueshme në Komunën e Prishtinës. Posaçërisht këto investime janë tepër të rëndësishme sepse ndikojnë drejtpërdrejt në mirëqenien e fëmijëve dhe familjeve tona”, tha Ahmeti.
Drejtoresha e kopshtit, Indira Huruglica tha se në “Klasën e Mozaikut” të rinovuar nga TIKA mësojnë së bashku fëmijë nga komuniteti turk dhe ai shqiptar që nga viti 2007.
“Falënderoj agjencinë turke TIKA e cila bëri të mundur rinovimin e këndit të lodrave në institucionin tonë. Institucioni ynë i cili ka mbi 400 fëmijë dhe me të vërtetë ka qenë i nevojshëm rregullimi i këtij këndi që t’u ofrojmë këtë lumturi që po shihni edhe ju tek fëmijët”, tha Huruglica.
Pas vizitës në “Klasën e Mozaikut” në këtë kopsht të pranishmit biseduan me fëmijët në gjuhën turke dhe atë shqipe duke u argëtuar më pas me programin muzikor i cili ishte përgatitur nga fëmijët dhe edukatoret e tyre.