4 C
Pristina
Wednesday, November 27, 2024

Vetëm engjëjt nuk gabojnë

Më të lexuarat

Nga profeti Muhamed a.s transmetohet të ketë thënë:”Nëse ju nuk do të gabonit, Zoti do u hiqte dhe do të sillte njerëz të tjerë, që gabonin, kërkonin falje dhe i falte.”

A mund të ketë dhembshuri dhe mëshirë hyjnore më të madhe se kjo? Zoti e di mirë natyrën njerëzore, të cilën nuk e ka krijuar të pagabueshme. Ne nuk jemi të pagabueshëm siç janë engjëjt, të cilët nuk i kundërshtojnë urdhrat e Zotit dhe bëjnë gjithçka që u kërkohet. Neve Zoti na ka pajisur me arsye për ta dalluar të mirën nga e keqja, e megjithatë, ne vazhdojmë të gabojmë. Diferencën nuk e bën fakti nëse bën gabime apo jo, por e bën fakti nëse pendohesh dhe i kthehesh Zotit sërish pas gabimit apo jo. Kjo, edhe pse gabimi mund të përsëritet disa herë. Nuk ka përse të humbet shpresa tek rahmeti i Zotit dhe dhembshuria e Tij. Zoti nuk i do ata që e humbasin shpresën tek Ai dhe demoralizohen, sakaq krenohet me penduesit dhe ata që kërkojnë falje.

Kjo ishte një hyrje përmbledhëse për atë që dua të shtroj për diskutim më poshtë. Prandaj dhe kushdo që nuk do ta vazhdojë leximin e artikullit, ky ishte mesazhi që doja të përcjell nëpërmjet tij. Ndërsa ai që do ta lexojë gjer në fund për tu njohur me detaje të tjera, të cilat kanë të bëjnë me historinë e një gruaje, e cila gabon dhe ia qëllon në jetë, si çdo njeri tjetër, burrë apo grua qoftë, mund të na ndjekë.

Po, ajo gaboi karshi të shoqit. U pendua, kërkoi falje, e pranoi gabimin dhe premtoi se nuk do ta përsërisë më. Në fakt, i qëndroi besnike premtimit të bërë, ishte e sinqertë dhe besnike edhe me familjen, fëmijët dhe të shoqin. Por, i shoqi e kishte ngulitur mirë në mendje gabimin dhe shkarjen e të shoqes. Ai e kontrollonte të shoqen në maksimum, saqë arrinte në nivel poshtërimi të plotë. Sa herë që donte të marrë miratimin e saj, ai i nxirrte para syve gabimin dhe ajo, nuk bëzante, ulte kokën dhe pranonte pa fjalë. Ajo sillej ashtu siç donte ai.

Kjo nuk zgjati vetëm për disa ditë apo dhe muaj, por për dhjetë vite, ndërkohë që ajo manifestonte durim dhe maturi. E gjitha kjo, për të mos i dhënë shansin të shoqit që të marrë një vendim për prishjen e familjes. Gjatë gjithë këtyre viteve, ajo vuante nga ndjenja e fajit. Nëse donte të bëjë diçka me pasoja pozitive për veten dhe familjen, padyshim që këtë nuk mund ta bënte veçse me lejen dhe miratimin e tij, edhe nëse ishte diçka e drejtë 100 %. Tashmë i ishte shndërruar në kompleks dhe se i shoqi do e refuzojë sepse është iniciativë e saj.

Askush prej nesh nuk mund të pretendojë se është i pagabueshëm, ne nuk jemi më të urtë dhe më ditur se Zoti i lartësuar, karshi robërve të Tij. Kush jemi ne që të mos falim, mos tolerojmë dhe të mos e mëshirojmë njëri-tjetrin? Përse i hyjmë në hak kaq fort njëri-tjetrit? Çfarë është kjo ashpërsi dhe ftohtësi në marrëdhëniet tona njerëzore, e kryesisht me të afërmit dhe familjarët tanë?

Në historinë e kësaj gruaje, shohim që ajo u soll në mënyrë korrekte që në fillim, duke e pranuar gabimin, pendimin dhe premtimin se nuk do të përsëritet më. Jo vetëm kaq, por ajo u shndërrua në një grua të ndershme dhe të përkushtuar ndaj shtëpisë së saj. Në një rast të tillë, vazhdimi i ndjenjës së kompleksit dhe fajit, që e shoqëronte në çdo hap të jetës, ishte një pengesë e madhe që e pengonte nga vazhdimi i jetës në mënyrë normale. Zgjidhja e duhur konsiston në daljen nga ky kompleks, duke ndjerë se Zoti i fal gjynahet dhe shkarjet, duke qenë e sigurt se sado të mëdha të jenë gjynahet e robit, as që krahasohen me rahmetin dhe dhembshurinë e Zotit. Kjo është pika e parë.

Pika e dytë, është se në këtë rast, gruaja duhej të ulej me të shoqin kokëfortë i cili ia mbante parasysh gjithmonë faktin se kishte gabuar dhe ti shpjegohej si qëndron çështja. Ajo që duhej bërë nga ana e gruas ishte bërë. Kështu, nëse burri do e pranonte, mirë, në të kundërt, ishte problemi i tij që nuk bindet dhe nuk dëshiron të heqë dorë nga mendimi i vet. Nuk është problemi i gruas që të jetojë gjithë jetën e shoqëruar nga komplekse të tilla. Ajo duhet të gjejë forcë për tu përballur me të shoqin, pasi në fund të fundit, është njeri dhe jo engjëll.

Gabimi i kësaj gruaje përgjatë dhjetë viteve është dorëzimi i saj ndaj pasivitetetit dhe nënshtrimit, për shkak të ndjenjës së fajit. Ky nënshtrim ka ardhur si pasojë se ajo nuk e ka falur veten dhe mos besimit të plotë se Zoti është falës i gjynaheve dhe jo krijesat e Tij të krijuara nga balta. Kjo nuk do është miratim i gabimit që ka bërë dhe që i ka shkaktuar këtë kompleks. Problemi nuk është tek të qenit i pagabueshëm, por tek insistimi në gabim, mos kërkimi falje, mos pendimi dhe mos kthimi nga Zoti menjëherë pas gabimit, për ti kthyer vetes besimin dhe energjinë e duhur për të rezistuar ndaj të keqes më pas në këtë jetë, ku jemi sjellë për tu sprovuar.

Prandaj, lipset që të jemi tolerantë me njëri-tjetrin, ta kemi parasysh se Zoti është falës, i mëshirshëm dhe bujar. Ne nuk jemi veçse robërit e Tij, marrim frymëzim nga emrat dhe cilësitë e Tij, gjë e cila na ndihmon në komunikimin me njëri-tjetrin. Le të falim, le të tolerojmë, le të mbyllim njërin sy dhe të tregohemi zemërgjerë me të metat dhe shkarjet e njëri-tjetrit. Jeta është shumë e shkurtër dhe nuk ia vlen të gjurmojmë shkarjet, gabimet, gjynahet dhe të metat e tjetrit. Kushdo që ia mbulon të metat një myslimani, do i mbulohen nga Zoti ditën e Kiametit. E ç’mund të ketë diçka më të bukur sesa mbulimi i të metave Ditën e Kiametit? O Zot na i mbulo të metat, na fal qetësinë e duhur, na ruaj gjatë që e keqja të mos na vijë as nga para, as nga pas, as nga e majta dhe as nga e djathta! Amin!

Perktheu: Elmaz Fida

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit