Dy dëshmorë të tjerë palestinezë, prej të cilëve njëri me aftësi të kufizuara, kanë rënë si rezultat i ndërhyrjes së ushtarëve izraelitë në protestën në kufirin e Gazës kundër vendimit të SHBA-ve për njohjen e Kudsit si kryeqytet të Izrelit, ndërkohë që 82 të tjerë janë plagosur, nga të cilët pesë më rëndë, raporton Anadolu Agency (AA).
Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, Eshref el-Kudra, për AA tha se bëhet fjalë për Jasir Sukar, 23 vjeçar, dhe Ibrahim Ebu Sureja, 29 vjeçar.
Ai tha se Ebu Sureja ishte person me aftësi të kufizuara, pasi në vitin 2008 kishte humbur dy këmbët si rezultat i sulmeve arjore të Izraelit.
Kudra njoftoi se 25 palestinezë në lindje të qytetit Han Junus, 26 në lindje të Gazës dhe 23 në lindje të qytetit Xhibalije janë plagosur me plumba të vërtetë, ndërsa tetë palestinezë të tjerë në Kampin e Refugjatëve El-Berixh.
Mijëra persona sot u bashkangjitën në marshimin në lindje të Gazës, duke marshuar në drejtim të kufirit që ndan Izraelin me Gazën.
Ushtarët izraelitë kanë përdorur plumba të vërtetë dhe të gomës dhe gaz lotjsellës kundër palestinezëve të cilët kanë gjuajtur në drejtim të tyre me gurë.
Dy persona ranë dëshmorë si rezultat i gjashtë sulmeve ajrore të Izraelit të premten dhe të shtunën e kaluar ndaj pozicioneve të rezistencës palestineze në Rripin e Gazës të bllokuar, kurse dy të tjerë si rezultat i ndërhyrjes në protestat e organizuara në kufirin e Gazës në mbështetje të Kudsit.
Ndryshe, palestinezët në rajone të ndryshme edhe sot kanë vazhduar të protestojnë kundër vendimit të SHBA-ve për njohjen e Kudsit si kryeqytet i Izraelit.
Presidenti amerikan, Donald Trump, më 6 dhjetor shpalli njohjen e Kudsit si “kryeqytet i Izraelit” dhe paralajmëroi zhvendosjen e ambasadës në këtë qytet.
Vendimi i SHBA-ve ka shkaktuar reagime të shumta në nivel rajonal dhe ndërkombëtar, ndërsa në shumë shtete vazhdojnë të organizohen protesta.
Rripi i Gazës, ku jetojnë rreth dy milionë palestinezë, që nga viti 2006 është i bllokuar me embargo tokësore, ajrore dhe detare nga ana e Izraelit.