Imami i Xhamisë Al-Aksa pohoi se protestat e fundit në mbarë botën ndaj hapit të SHBA-ve tregojnë se Kudsi “nuk i përket vetëm palestinezëve, por të gjithë muslimanëve”
KUDS (AA) – Sipas imamit të Xhamisë Al-Aksa dhe njëherësh kreut të autoritetit islam të Kudsit, Ekrima Sabri, vendimi i javës së kaluar i administratës amerikane për ta njohur Kudsin si kryeqytet të Izraelit është i barabartë me një “shpallje lufte”, raporton Anadolu Agency (AA).
Duke folur për AA, Sabri pohoi se protestat e fundit në mbarë botën ndaj hapit të SHBA-ve tregojnë se Kudsi “nuk i përket vetëm palestinezëve, por të gjithë muslimanëve”.
Më tej, ai vazhdoi të bëjë thirrje deri te palestinezët dhe banorët e Kudsit që “me çdo kusht” të mbrojnë qytetin e shenjtë.
“Arroganca amerikane nuk do të arrijë asgjë. Qëndrimi ynë buron nga besimet tona”, u shpreh Sabri, duke shtuar se, “Negociatat ose çfarë do lloj i procesit të paqes tani janë jashtë çështjes, sepse SHBA-të tashmë kanë vendosur qëndrimin e tyre mbi Kudsin, duke kundërshtuar vetveten dhe duke zgjedhur luftën”.
Pavarësisht kundërshtimit të gjerë rajonal dhe ndërkombëtar, presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, të mërkurën e kaluar njoftoi vendimin e tij për të njohur Kudsin si kryeqytet të Izraelit.
Sipas presidentit Trump, Departmenti Amerikan i Shtetit tashmë ka filluar përgatitjet për të zhvendosur ambasadën amerikane në Izrael nga Tel Avivi në Kuds.
Zhvendosja dramatike në politikën e SHBA-ve ngjalli demonstrata në territoret e okupuara palestineze dhe në disa vende muslimane.
Kudsi mbetet në thelb të konfliktit mes Palestinës dhe Izraelit, teksa palestinezët shpresojnë se Kudsi Lindor, tani i pushtuar nga Izraeli, mund të shërbejë si kryeqyteti i një shteti palestinez.
Gjatë fushatës së tij elektorale vitin e kaluar, presidenti Trump në vazhdimësi kishte premtuar zhvendosjen e ambasadës së SHBA-ve nga Tel Avivi në Kuds dhe njohjen e Kudsit si kryeqytet të shtetit hebraik.
Në muajin prill, Moska njoftoi njohjen e Kudsit Perëndimor si kryeqytet të Izraelit, duke shprehur shpresën se gjysma lindore e qytetit mund të shërbejë përfundimisht si kryeqyteti i Palestinës.
Trump, posaçërisht në njoftimin e tij të javës së kaluar, theksoi se aministrata e tij ende nuk ka marrë një qëndrim lidhur me “kufijtë specifikë të sovranitetit izraelit në Kuds”.