Ndjekjet penale agresive të administratës Obama ndaj zbulimit të sekreteve dhe përpjekjet e saj për të kontrolluar informacionin janë duke u bërë një kërcënim për lirinë e shtypit dhe demokracinë, sipas Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve.
Një raport i nxjerrë sot nga grupi mediatik me bazë në Nju Jork thotë se veprimet e presidentit amerikan Barack Obama kanë qenë në kundërshtim me premtimin e tij të transparencës dhe të qeverisë së hapur.
Ish-editori ekzekutiv i gazetës Washington Post Leonard Downie, autor i raportit, thotë se “zyrtarët e administratës dhe punonjësit janë gjithnjë të frikësuar të flasin me shtypin,” për shkak të vëzhgimeve të vazhdueshme ndaj nxjerrjes së informacionit.
Ai thotë se gjashtë punonjës qeveritarë dhe dy kontraktorë janë ndjekur penalisht sipas Aktit të 1917-ës për spiunazh sepse i dhanë informacion të klasifikuar shtypit. Zoti Downie thotë se ky është shfrytëzim i një ligji të përdorur “vetëm në tre raste të mëparshme në nëntë dekadat e kaluara.”
Zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë të intervistuar lidhur me raportin kundërshtuan fuqimisht portretizimin e tyre si kundërshtarë të lirisë së shtypit. “Ideja se njerëzit po mbyllin gojën dhe nuk po i japin informacione gazetarëve është përgënjeshtruar nga faktet,” tha sekretari i shtypit i presidentit Obama, Jay Carney./voa