6.2 C
Pristina
Sunday, November 17, 2024

Kalifi Umer dhe liria e besimit në Jeruzalem

Më të lexuarat

Jerusalemi është një qytet i shenjtë për të 3 besimet më të mëdha monoteiste – Islamin, Judaizmin dhe Krishterimin.

Për shkak të historisë së tij mijëravjeçare ai njihet me shumë emra: Jeruzalem, Kuds, Jerushalem, Aelia dhe të tjerë emra që reflektojnë trashëgiminë e tij të pasur dhe të shumëllojshme. Është një qytet që shumë profetë muslimanë e kanë quajtur shtëpi, nga Sulejmani tek Daudi, dhe më pas Isai.

Gjatë jetës së Profetit Muhamed a.s, ai bëri një udhëtim të jashtëzakonshëm brenda një nate, të konsideruar si mrekulli, nga Meka në Jeruzalem dhe më pas nga Jeruzalemi drejt qiejve. Kjo ndodhi njihet si Israja dhe Miraxhi. Sidoqoftë, Jeruzalemi nuk u vendos nën kontrollin politik të muslimanëve gjatë jetës së Profetit a.s. Kjo situatë do të ndryshonte gjatë kalifatit të Umer ibn Hatabit, kalifit të dytë islam.

Në Siri

Gjatë jetës së Profetit Muhamed a.s, Perandoria Bizantine shprehu qartë dëshirën dhe vendosmërinë për të eleminuar besimin e ri islam që po rritej dhe fuqizohej në kufijtë e saj.

Kjo situatë i dha jetë ekspeditës së Tebukut në tetor të vitit 630, ku Muhamedi a.s udhëhoqi një ushtri prej 30.000 ushtarësh në kufijtë e Perandorisë Bizantine. Edhe pse nuk pati një betejë, ekspedita shënoi fillimin e luftrave muslimano-bizantine që do të vijonin me dekada.

Gjatë kalifatit të Ebu Bekrit, nga vitet 632 deri në 634, në tokën bizantine nuk u krye asnjë ofensivë e madhe. Vetëm gjatë kalifatit të Umer ibn Hatabit, muslimanët filluan të zgjeroheshin seriozisht në drejtim të veriut ku shtrihej sfera e ndikimit bizantin. Ai dërgoi në këto zona disa nga gjeneralët më të zotë muslimanë, përfshi Halid ibn Uelidin dhe Amr ibn Asin.

Beteja vendimtare e Jermukut në vitin 636 ishte një humbje e madhe për fuqinë e bizantinëve në rajon, pasi çoi në rënien e shumë qyteteve siriane, ndër të cilët edhe Damasku.

Në shumë raste, ushtritë muslimanë ishin të mirëpritura nga komunitetet lokale të përbërë nga hebrenj dhe të krishterë. Shumica e të krishterëve të rajonit ishin monofizitë, që kishin një këndvështrim më monotoist mbi Zotin dhe që i përafrohej asaj që muslimanët predikonin. Ata preferuan sundimin e muslimanëve para bizantinëve me të cilët kishin shumë ndryshime teologjike.

Çlirimi i Jeruzalemit

Në vitin 637, ushtritë muslimanë filluan të shfaqeshin në afërsi të Jeruzalemit. Në krye të Jeruzalemit ishte patriarku Sofronius, përfaqësues i Perandorisë Bizantine, njokohësisht edhe prijës i Kishës së Krishterë. Edhe pse ushtri të shumta muslimane nën komandën e Halid ibn Uelidit dhe Amr ibn Asit filluan të rrethonin qytetin, Sofroniusi refuzoi të dorëzonte qytetin, përveçse nëse Umeri vinte vetë ta pranonte dorëzimin.

Pasi dëgjoi këtë kusht, Umer ibn Hatabi la Medinën dhe u nis për udhëtim mbi gomarin e tij, i shoqëruar vetëm nga një shërbëtor. Kur mbërriti në Jeruzalem, ai u prit nga Sofroniusi që padyshim duhet të jetë habitur tejmase sesi kalifi i muslimanëve, një nga njerëzit më të fuqishëm për kohën, ishte veshur me rroba aq të rëndomta sa nuk dallohej nga shërbëtori i tij.

Umerit iu bë një prezantim i qytetit, përfshi edhe Kishën e Varrit të Shenjtë. Kur erdhi koha e faljes, Sofroniusi e ftoi Umerin të falej brenda kishës, por Umeri refuzoi. Ai këmbënguli që nese falej aty, më vonë muslimanët do ta përdornin këtë si argument për ta shndërruar në xhami, duke i mohuar kështu krishtërimit një nga vendet e tij të shenjta. Umeri u fal jashtë kishës, ku më vonë u ndërtua një xhami e njohur si Xhamia e Umerit.

Traktati i Umerit

Si në rastin e çdo qyteti tjetër, muslimanët duhet të hartonin një traktat ku të detajoheshin të drejtat dhe privilegjet e popullatës vendase dhe muslimanëve. Ky traktat u nënshkrua nga Umeri dhe patriarku Sofronius, së bashku me disa nga gjeneralët e ushtrisë muslimane. Përmbajtja e traktatit është:

“Në emër të Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirbërësit. Kjo është garancia dhe siguria që shërbëtori i Zotit, Umeri, komandanti i besimplotëve, u jep banorëve të Jeruzalemit. Ai u jep atyre mbrojtje dhe siguri të plotë për jetët e tyre, për pronat, kishat dhe kryqet, për të dobëtit, të sëmurët dhe të shëndetshmit e qytetit, si dhe për ushtrimin e të gjitha ritualeve që i përkasin besimit të tyre.

Kishat e tyre as do të shkatërrohen dhe as do të popullohen apo banohen nga muslimanët. As ata, as toka ku qëndrojnë, as kryqet dhe as pronat e tyre s’do të dëmtohen. Ata s’do të detyrohen të konvertohen.

Banorët e Jeruzalemit duhet të paguajnë taksat si banorët e qyteteve të tjera dhe duhet të dëbojnë bizantinët dhe grabitësit. Ata që duan të largohen me bizantinët, të marrin pasurinë e tyre dhe të braktisin kishat dhe kryqet, do të jenë të sigurt derisa të mbërrijnë në vendstrehimin apo destinacionin e tyre.”

Për kohën, kjo ishte një nga marrëveshjet më progresive në histori. Për krahasim, vetëm 23 vite më parë kur Jeruzalemi u pushtua nga persianët, menjëherë u urdhërua një masakër e përgjithshme. Një tjetër masakër ndodhi kur Jeruzalemi u pushtua nga kryqtarët në vitin 1099.

Traktati i Umerit u mundësoi të krishterëve të Jeruzalemit lirinë e besimit, siç diktohet në Kur’an dhe në thëniet e Profetit a.s. Kjo ishte një nga garancitë e para dhe më domethënëse të lirisë së besimit në historinë njerëzore.

Rigjallërimi i qytetit

Umeri nisi menjëherë punën për ta shndërruar qytetin në një pikë referimi për muslimanët. Ai pastroi zonën përreth Tempullit të Malit ku Profeti Muhamed a.s ishte ngjitur drejt qiellit. Të krishterët e kishin përdorur këtë zonë si vendgrumbullimi mbeturinash për të fyer të hebrenjtë, ndërsa Umeri, së bashku me disa hebrenj punoi personalisht për pastrimin e saj. Aty ai ndërtoi Xhaminë al Aksa.

Përgjatë pjesës së mbetur të kalifatit të Umerit dhe sundimit të Perandorisë Umejade, Jeruzalemi u shndërrua në një qendër të rëndësishme të pelegrinazhit fetar dhe tregtisë. Kubeja e Shkëmbit u ndërtua për të plotësuar Xhaminë al Aksa në vitin 691. Në të gjithë qytetin u ndërtuan një numër institucionesh publike dhe fetare.

Çlirimi i Jeruzalemit nga kalifi Umeri në vitin 637 ishte një moment thelbësor në historinë e qytetit. 462 vitet në vijim, ai do të drejtohej nga muslimanët, duke respektuar lirinë e besimit të mbrojtur në Traktatin e Umerit. Edhe sot, ndërsa lufta për statusin e qytetit vijon, shumë të krishterë, hebrenj dhe muslimanë këmbëngulin që traktati ka akoma fuqi ligjore dhe vijojnë t’i referohen sesi duhen zgjidhur problematikat aktuale.

Burimi: lostislamichistory.com

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit