Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka thënë se ekstremizmi i dhunshëm që shpie në terrorizëm është një nga sfidat më të mëdha bashkëkohore, ekspozimi para së cilës sfidë nuk përjashton asnjë shtet apo shoqëri.
Tahiri, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se “edhe vendi ynë është ballafaquar me elemente sfiduese të kësaj natyre (terrorizmit v.j.)”.
“Ka pasur orvatje dhe pjesëmarrje të individëve të caktuar të shoqërisë tonë në konflikte të huaja, të nxitura nga premisat ideologjike. Ballafaqimi me këto orvatje meriton një përgjigje unike dhe të orientuar në parandalim”, ka thënë Tahiri, në postimin e tij në Facebook.
Minsitri Tahiri më tej ka thënë se këtë perspektivë e ka ndarë edhe në një organizim gjatë javës së shkuar që kishte për temë rolin e psikologëve dhe liderëve fetarë në procesin e rehabilitimit, ri-integrimit dhe deradikalizimit të personave me bindje të tilla.
“Bashkë me Kryetarin e Bashkësisë Islame të Kosovës, z. Tërnava si dhe Zëvendës Shefen e Misionit të SHBA-së në Kosovë, znj. Hyland, diskutuam për masat e nevojshme që duhet ndërmarrë në mënyrë që t’i trajtojmë me kujdes këto sfida”.
“Shpreha gatishmërinë dhe vendosmërinë time absolute dhe të pa kompromis për të vazhduar me të gjitha mjetet në drejtim të krijimit të një ambienti sa më të favorshëm dhe human për procesin e de-radikalizimit dhe ri-integrimit të këtyre personave që kanë nevojë për një proces të tillë. Vetëm kështu i qëndrojmë besnik parimeve tona demokratike, tolerancës fetare dhe vlerave humane”, thotë Tahiri.
“Unë besoj se shoqëria e Kosovës ka qenë dhe vazhdon të mbetët një rast shembullor mbi atë se si mund të jetohet dhe veprohet në një botë globale e në harmoni me njëri tjetrin”, ka shkruar ministri Tahiri.