5 C
Pristina
Wednesday, December 11, 2024

Zoti na ruajt nga më e keqja

Më të lexuarat

Tregohet se një burrë i moshuar, po udhëtonte me të birin drejt një qyteti të largët. Atyre u duheshin dy ditë rrugë për të mbërritur në destinacion. Me vete kishin gomarin dhe plaçkat. Here pas here, burri i moshuar pëshpëriste aq sa e dëgjonte dhe i biri:”Zoti na ruajt nga më e keqja.”

Teksa vazhdonin rrugëtimin e gjatë, gomarit i thyhet njëra këmbë mu në mes të rrugës. I moshuari tha:” Zoti na ruajt nga më e keqja.”

Të dy morën plaçkat në krahë dhe vazhduan rrugën. Pasi kishin përshkuar goxha udhë, të moshuarit i thyhet këmba dhe e kishte të pamundur të ecte. Ai u mbështet në supet e të birit, të cilit i pëshpëriti:”Zoti na ruajt nga më e keqja.”

Përveç se duhej të mbante të atin, djaloshit të ri i duhej të mbajë dhe plaçkat. Teksa vazhdonin rrugën, i riu pickohet nga një gjarpër. Ai u shtri përtokë nga dhimbja, sakaq i ati iu afrua dhe i tha:”Zoti na ruajt nga më e keqja.”

Këtu i biri se përmbajti dot veten dhe tha:”E çfarë qenka më e keqe se kaq?!”

Pasi u përmirësua pak, baba e bir morën udhën drejt destinacionit, sigurisht ishin vonuar shumë për shkak të peripecive. Kur mbërritën në qytet, ata u befasuan me atë që u shihnin sytë. Qyteti ishte goditur nga një tërmet i fuqishëm, i cili e kishte rrënuar të tërin. I moshuari, e pa të birin në sy dhe i tha:”O bir! Nëse nuk do na kishin ndodhur gjithë ato peripeci gjatë udhës, do të kishim mbërritur në kohë dhe, sigurisht, do na kishte ndodhur më e keqja, do ishim nën rrënoja tani.”

Morali:

Le të jetë ky interpretimi ynë për shumë ngjarje që na ndodhin në jetë. Kështu do të mund të triumfojmë ndaj stresit, ankthit dhe tensionit. Le të kemi opinion dhe pritshmëri të mira nga Zoti. Le ti mbështetemi Atij në çdo çështje të jetës tonë. Le të jemi të sigurtë dhe të bindur se nuk ka më të dhembshur dhe të urtë sesa Zoti. O Zot! Ti ke në dorë gjithçka në tokë e në qiej! Ty të lëvdojmë dhe të falenderojmë!

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit