7.3 C
Pristina
Wednesday, November 27, 2024

Paralizohet qeveria amerikane

Më të lexuarat

Qeveria federale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës u mbyll mesnatën e djeshme për të parën herë në 17 vjet. Ligjvënësit në Senatin e dominuar nga demokratët e në Dhomën e Përfaqësuesve nën kontrollin republikan, dështuan në gjetjen e kompromisit për miratimin e një buxheti i cili do të lejonte vazhdimin e financimit të administratës.

Data 1 tetor, afati i fundit për arritjen e marrëveshjen, shënon fillimin e vitit të ri fiskal. 800.000 punonjës në Uashington pezullojnë punën pa të drejtë rroge. Negociatat e mbrëmjes së kaluar hynë në një rrugë pa krye kur demokratët në Senat refuzuan të marrin në konsideratë çdo variant të buxhetit që përfshinte ndryshime të reformës së kujdesit shëndetësor, të firmosur nga presidenti Barak Obama.

Mungesa e kompromisit nënkupton qëndrimin në shtëpi të gati 1 milionë punonjësve federalë deri në momentin kur dy organet legjislative do të arrijnë një ujdi.

Harry Reid, lider i mazhorancës në Senat, theksoi: “Kjo është një ditë shumë e trishtë për vendin tonë. Agjensitë qeveritare po mbyllen dhe Kongresi duket se nuk bën dot asgjë për ta parandaluar. Është për të ardhur turp që këta njerëz të zgjedhur për të përfaqësuar vendin, në fakt përfaqësojnë Tea Party-n, anarkistët e kombit dhe shumica në Dhomën e Përfaqësuesve është duke i ndjekur në çdo hap.”

Ndërsa, John Boehner, kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve, tha: “Dhoma e ka bërë të qartë pozicionin e saj. Ne besojmë se qeveria duhet financuar dhe duhet mbështetur në një “Obamacare” të ndershëm për të gjithë amerikanët. Senati vazhdimisht i ka mohuar ofertat tona. Në bazë të Kushtetutës ka një mënyrë për ta zgjidhur këtë proces dhe kjo është të flitet hapur për dallimet ekzistuese mes nesh. Shpresoj që Senati ta pranojë kërkesën tonë për konsultime, në mënyrë që ta zgjidhim këtë ngërç në dobi të popullit amerikan.”

Të hënën, Dhoma e Përfaqësuesve miratoi tre herë një projekt-ligj për shpenzimet qeveritare, pjesë e të cilit ishte shtyrja e zbatimit të ligjit të presidentit Obama për sigurimet shëndetësore. Në të tre rastet, Senati e hodhi poshtë. Ngërçi politik mes dy dhomave të Kongresit nënkupton mbylljen e menjëhershme të të gjitha shërbimeve me përjashtim të atyre thelbësore.

Pavarësisht përpjekjeve të bëra nga ligjvënësit deri në orët e vona të natës, hendeku partiak mbi reformën shëndetësore nuk u arrit të kapërcehej. 1 tetori është data e fillimit të një elementi të rëndësishëm të këtij ligji. Obama pritet të flasë sot mbi pjesët e tij të cilat hyjnë në fuqi pavarësisht nga mbyllja e administratës. Shumë amerikanë që nuk i kanë sigurimet në fjalë do të jenë në gjendje të regjistrohen për të përfituar nga subvencionet qeveritare të nënvizuara në legjislacion.

Të hënën, shefi i Shtëpisë së Bardhë deklaroi se mbyllja e qeverisë është një papërgjegjësi e madhe dhe pengon rimëkëmbjen e ekonomisë./tch/kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit