GAZA (AA) – Fraksionet palestineze kanë kritikuar deklaratat e fundit të ministres izraelite të Barazisë Sociale, Gila Gamliel, i cili bëri thirrje për krijimin e një atdheu alternativ për palestinezët në Gadishullin Sinai të Egjiptit, raporton Anadolu Agency (AA).
“Shteti palestinez do të krijohet vetëm në tokën e Palestinës. Ne shprehim solidaritetin tonë të plotë me Egjiptin kundër çdo përpjekje apo projekti që synon minimin e sovranitetin egjiptian në Sinai apo në ndonjë territor tjetër të Egjiptit”, tha zëdhënësi i Hamasit në një deklaratë.
Grupi Fatah i presidentit palestinez, Mahmud Abbas, ka dënuar thirrjet e ministrit izraelit duke e quajtur ministrin “të pasjellshëm dhe racist”. “Ne i konsiderojmë këto komente një sulm të drejtpërdrejtë ndaj popullit palestinez dhe egjiptian”, tha përmes një deklarate me shkrim zëdhënësi i grupit, Osmama al-Qawasm.
Grupi islamik Jihad i përshkroi deklaratat e ministrit si “armiqësore”. “Populli palestinez nuk do të pranojë asnjë atdhe tjetër përveç territorit të tyre”, tha grupi në një deklaratë.
Deklaratat e ministres Gamliel kanë shkaktuar reagime edhe të Egjiptit, ku ministri i Jashtëm egjiptian, Sameh Shoukry, ka thënë se Egjipti kurrë nuk do ta lëshojë gadishullin Sinai. Komentet e ministrit izraelit erdhën disa ditë pas një sulmi militant vdekjeprurës në një xhami në gadishullin verior të Sinai-t, në të cilën mbetën të vrarë 305 persona dhe qindra u plagosën