Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për bllokimin e të gjitha mallrave të Maqedonisë që janë të destinuara për Kosovën. Burime të Express kanë thënë se vendimi i Qeverisë së Kosovës do të hyjë në fuqi sot në orën 24:00.
“Vendimi hyn në fuqi në ora 24:00. Për të gjitha mallrat e Maqedonisë do të ketë taksa shtesë dhe në këtë mënyrë kemi vendosur t’i përgjigjemi veprimeve të Shkupit”, ka thënë një zyrtar qeveritar për Express.
Me këtë veprim, Kosova ia kthen masat e reciprocitetit Maqedonisë, e cila ka vendosur taksa për kosovarët që dëshirojnë të vizitojnë shtetin maqedonas.
Sot, shteti maqedonas ka vendosur t’i detyrojë qytetarët e Kosovës të paguajnë taksa shtesë kur vendosin të shkojnë në Maqedoni. Sipas masës së vendosur, taksë prej 2 euro do të paguaj çdo shtetas i Kosovës që hyn në Maqedoni, 5 euro çdo makinë dhe 20 euro kamionët dhe autobusët me targa të Kosovës.