9.4 C
Pristina
Monday, November 18, 2024

“Turqia mund të përfitojë 1.5 miliardë dollarë në vit nga golfi”

Më të lexuarat

ANTALYA (AA) – ERSİN ŞİYHAN

Turneu i Golfit Turkish Airlines Open 2017 që u mbajt në Antalia të Turqisë, është përgjigjja më e mirë për ata që duan që jashtë vendit të krijojnë opinion kundër Turqisë, tha kryetari i Federatës së Golfit të Turqisë, Ahmet Ağaoğlu, raporton Anadolu Agency (AA).

Turneu evropian i golfit Turkish Airlines Open 2017 u mbajt nga 2 deri më 5 nëntor në Antalia, ndërsa kampion u shpall sportisti britanik Justin Rose, i cili në Olimpiadën e Rios siguroi medaljen e artë.

Ndërkaq, Ağaoğlu thotë se ndihen të gëzuar nga pjesëmarrja në turne, në të cilën ministri i Jashtëm turk Mevlüt Çavuşoğlu dhe ministri i Rinisë dhe Sportit Osman Aşkın Bak ndanë çmimin për golfistin Rose.

“Në gara morën pjesë sportistë shumë të rëndësishëm, prej të cilëve kampioni olimpik Justin Rose, fituesit e medaljes së argjendtë në olimpiada Henrik Stenson, Tyrrell Hatton dhe Matt Fitzpatrick”, theksoi Ağaoğlu, duke shtuar se turneu në fjalë është shndërruar në turneun e shtatë apo të tetë më të rëndësishëm në botë.

Duke folur për pjesëmarrjen e turneut në shtypin botëror dhe postimet e sportistëve me famë botërore lidhur me Turqinë, Ağaoğlu shprehet:

“Këta njerëz janë modelë botërorë. Në këtë periudhë me probleme, New York Times ndan 1.5 deri në dy faqe për këtë turne, ndërkohë që Justin Rose merr pjesë në këtë turne dhe bën selfi me flamurin e Turqisë”.

Ağaoğlu i cilësoi këtë fotografi të Justin Rose dhe lajmet lidhur me turneun si kundërshtim i propagandave kundër Turqisë.

Synimi në turizmin e golfit, 1.5 miliardë dollarë

Ahmet Ağaoğlu potencoi se Turqia mund të fitojë një deri në 1.5 miliard dollarë nga turizmi i golfit nëse në Antalia ndërtohen edhe 50 fusha të tjera të këtij sporti.

Ai theksoi se vitin e kaluar 110 mijë persona kanë ardhur në Turqi për të luajtur golf. “Lokomotiva e industrisë së sportit është golfi”, shtoi Ağaoğlu.

“Spanja që nga vitit 2008 fitonte rreth 5.5 miliardë euro nga golfi. Edhe pse kjo shifër ra në 3.5 miliardë euro kohëve të fundit, ajo sërish ka filluar të ngritet në nivelet e mëparshme. Nëse në rajonin e Antalias ndërtohen edhe të paktën 50 fusha, atëherë me shumë lehtësi mund të përfitojmë një deri në 1.5 miliardë dollarë në vit”, vlerësoi Ağaoğlu.

Golfi është sporti i atyre që drejtojnë botën

Ağaoğlu nuk pajtohet me atë se golfi është sporti i të pasurve. “Golfi nuk është sporti i një klase të pasur apo të ndryshme, por i atyre që u punon truri dhe që drejtojnë botën”, thotë ai.

“Golfi transmetohet në 59 shtete. Arrin te 1.5 deri në 2 miliardë njerëz. Atë e përcjellë një masë me të ardhura të larta, profesionalistë apo biznesmenë, të moshës 18-65 vjeçe. Një britanik ka thënë se golfi është sporti i atyre që e administrojnë apo e drejtojnë botën, ndërsa ne e kemi përkthyer atë si sporti i të pasurve”, vlerëson Ağaoğlu.

“Trumpin nuk mund ta shihni duke luajtur futboll apo basketboll. Trump posedon 7-8 fusha personale të golfit”, shtoi ai.

Ağaoğlu po ashtu përmend rëndësinë e golfit në Japoni, ku, siç thotë, edhe pse nuk ka hapësira të mjaftueshme për të ndërtuar shtëpi, ekzistojnë 2.400 fusha të golfit.

“Te ne ka 24 fusha. Sikur Japonia të kishte hapësirë sa ne, ata do të ndërtonin 20-25 mijë fusha golfi. Sportisti që fiton më së shumti është golfisti, ndërsa sporti që i sjell më shumë të ardhura turizmit është golfi. 1.34 për qind e buxhetit të madh amerikan vjen nga industria e golfit”, theksoi kryetari i Federatës së Golfit të Turqisë, Ahmet Ağaoğlu.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit