Përmes një komunikate të Ministrisë së Punëve të Jashtme Turqia ka dënuar sulmin me raketë balistike kundër Riadit dhe ka përshëndetur neutralizimin e këtij sulmi nga sistemi ajror arabosaudit.
“Dënojmë marrjen në shënjestër të kryeqytetit të Arabisë Saudite, Riad, më 4 nëntor me sulm me raketa balistike nga militantët Huthi në Jemen dhe jemi të kënaqur që sulmi në fjalë është penguar nga forcat saudite të sigurisë dhe që nuk ka pasur asnjë humbje jetësh dhe dëme materiale”, thuhet në komunikatën me shkrim të Ministrisë së Punëve të Jashtme.
Raketa balistike, e cila ishte lëshuar dje nga Jemeni drejt pjesës verilindore të kryeqytetit të Arabisë Saudite, Riad, u neutralizua nga sistemet e mbrojtjes ajrore.
Huthitë, të cilët kanë bërë grusht shteti ndaj qeverisë legjitime të Jemenit, vend që vuan për një kohë të gjatë nga destabiliteti politik, bashkë me përkrahësit e presidentit të rrëzuar, Ali Abdullah Salih, të cilët i mbështesin Huthitë, vazhdojnë të kontrollojnë kryeqytetin e vendit Sana dhe disa zona që nga shtatori i vitit 2014 e këtej. Kurse e forcat e koalicionit të udhëhequra nga Arabia Saudite mbështesin qeverinë jemenase që nga marsi 2015.