3.4 C
Pristina
Wednesday, November 27, 2024

Muhammedi (s.a.a.s) dhe qëndrimi i tij ndaj femrës

Më të lexuarat

Falenderimi dhe lavdërimet qofshin për Allahun (xh.sh) Krijuesin e gjithësisë përshëndetjet dhe salavatet qofshin mbi të Dërguarin e tij Muhamedin (s.a.a.s).

 

Allahu (xh.sh) thotë në Kur’an: “Ju keni shembull të mrekullueshëm në figurën e të dërguarit të Allahut. Kush shpreson në mëshirën e Allahut dhe shpërblimin në botën tjetër e përmend shpesh Allahun”.

 

Muhamedi (a.s) është shembull i së mirës dhe udhëzues në rrugë të drejtë. Ai është modeli i çdo muslimani në jetën e tij të përditëshme.

Secili prej nesh ka se çfarë të mësojë nga i Dërguari i Zotit, në të gjitha sferat e jetës dhe të dijes.

Një nga pikat që meriton të ketë vëmendjen e duhur dhe të trajtohet më në detaje është edhe sjellja dhe qëndrimi i Profetit (a.s) ndaj femrën në përgjithësi dhe bashkëshorteve në veçanti.

 

Islami është fe e përkryer dhe e shpallur për mbarë njerëzimin me normat e tij, që rrjedhin nga Kur’ani i madhëruar dhe tradita e Profetitit (a.s) dhe që bën të mundur formimin e një shoqërie të shëndoshë.

 

Islami si fe mund të përdoret si ilaç tepër efikas për shërimin e sëmundjeve shoqërore dhe shpirtërore të shoqërisë së ditëve tona

Për të kuptuar çfarë roli luan Islami në mbrojtjen e të drejtave të gruas dhe vlërsimin e personalitetit të saj, mjafton të kuptojmë si ka qenë gjendja e femrës para Islamit.

 

Para Islamit e gjithë bota ishte zhytyr në ërrësirën e injorancës së dijes dhe moralit. Kudo nëpër botë, gjendja e femrës ishte shumë e vështirë. Femra, jo vetëm që nuk gëzonte asnjë të drejtë dhe nuk kujdesej askush për të, por ajo ishte kthyer në një objekt shit-blerje, në një objekt për të plotësuar qefet e shfrenuara të burrave dhe përdorej si skllave për punë të rënda, që edhe burrat zor se i bënin. Por kjo nuk mbaron këtu, situata ishte akoma dhe më e keqe dhe shkonte shumë më larg ku, në vendet arabe foshnjat femra i varosnin të gjalla, pasi lindja e një vajze konsiderohej turp dhe fyerje e madhe për fisin.

 

Por edhe nëse i shpëtonte groposjes, ajo shndërrohej në një pronë private të burrit, i cili e blinte, e shiste apo e keqtrajtonte sipas dëshirës. Një burrë gëzonte të drejtën të kishte në pronësinë e tij një numër të madh grash, por asnjëra prej tyre nuk gëzonte asnjë të drejtë në shtëpinë e burrit, madje as edhe të drejtën e vetëvendosjes për jetën dhe të ardhmen e saj, e as të drejtën mbi fëmijët. Me vdekjen e burrit, gratë e babait i trashëgonte i biri i cili, ato që dëshironte i mbante si gra të tijat, të tjerat i shiste ose i përdorte si skllave, sipas dëshirës.

 

Me ardhjen e Islamit, gjendja e gruas ndryshoi plotësisht. Islami, si fe hyjnore, ndriçoi rrjedhën e jetës së çdo individit në përgjithësi e të femrës, në veçanti. Ai i dha femrës një pozitë të lartë shoqërore, të atillë që nuk e kishte patur kurrë më parë.

 

Krahas të drejtave civile dhe shoqërore që gëzon gruaja në Islam, feja Islame e ve gruan para detyrave dhe përgjegjësive të mëdha, duke e obliguar të merret me dituri, të mësojë Kur’anin dhe traditën profetike, të përvetësojë shkencat, të ngrejë nivelin e saj social dhe kulturor, në mënyrë që të jetë e aftë të ruajë e të mbajë lart personalitetin e saj dhe të marrë pjesë aktive, në ndërtimin e shoqërisë.

 

Përveç kësaj, feja Islame kundërshtoi diskriminimin gjinor. Ajo i dha pozitë të barabartë femrës dhe mashkullit. Pejgamberi a.s thotë: “Kush ka tri vajza apo tri motra, apo dy vajza apo dy motra dhe me to sillet mirë dhe kujdeset pa hile, e ka merituar xhennetin.“ (Buhariu)

 

Vetë i Dërguari i Zotit, Muhamedi (a.s) është shembulli më i mirë në çlirimin e gruas nga vargonjtë e robërisë së injorancës. Në personin e tij, çdonjëri prej nesh gjen figurën e bashkëshortit të mirë, prindit të dashur, shokut bujar e të sjellshëm, punëtorit të ndershëm, gjen figurën e udhëheqësit dhe drejtuesit tolerant e të kuptueshëm.

Duke folur për domosdoshmërinë e sjelljes së mirë e të butë ndaj bashkëshortes, Profeti Muhammed (a.s) ka thënë: “Më i miri prej jush është ai që sillet mirë me bashkëshorten e tij, e unë jam më i miri prej jush pasi, sillem mirë me familjen time”.

Nga kjo kuptohet qartë se vlera e burrit rritet kur ai sillet butësisht e me respekt ndaj bashkëshortes së tij, e jo kur përdor ashpërsinë e dhunën. Kur e nderon dhe është i kujdesshëm në ruajtjen e moralit të pastër e jo kur e trashëton e mashtron gruan e tij.

 

Por sjellja e mirë ndaj bashkëshortes nuk është vetëm tregues i vlerave pozitive të burrit, ajo është njëkohësisht edhe tregues i karakterit të mirë e fisnik të tij. Duke folur për këtë Muhamedi (a.s) ka thënë: “Besimtarët më të mirë janë ata që kanë karakter të mirë dhe më të mirët nga ju, janë ata që, janë të mirë me gratë e tyre”.

 

Duke i këshilluar burrat se si të sillen me bashkëshortet e tyre, Profeti thotë ndër të tjera: “Ju porosis që ndaj grave të jeni të kujdesshëm, sepse gruaja është krijuar nga brinja, maja e së cilës është më e lakuar. Po tentove ta drejtosh do të thyhet, por po nuk e drejtove mbetet e lakuar, prandaj keni kujdes me gratë”.

Kushdo që e lexon me vëmendje këtë thënie e kupton qartë se Profeti urdhëron burrat që të jenë të kujdesshëm e të vëmendshëm ndaj ndjenjave dhe emocioneve të grave të tyre, me qëllim që të mos i lëndojnë e të mos ua thyejnë zemrën.

Po të shohim më në detaje jetën e të Dërguarit të Allahut (a.s), vemë re së ajo është guida më e mirë për të ndërtuar një jetë të mirë e të harmonishme bashkëshortore.Mund të duket pak si e pazakontë nëse përmend këtu se Profeti i Zotit i ka kushtuar vëmendje të madhe dhe ka qenë i kujdesshëm ndaj argëtimit të bashkëshortes dhe ndaj lojrave të ndryshme sportive.

 

Ai i cili, ka qenë kryetar shteti, udhëheqës i ushtrisë, prind, bashkëshort, ka gjetur kohë të ulej me familjen e tij, të bisedonte e të qeshej me ta. Bashkëshortja e Profetit Aishja, (r.a), tregon se një herë ka qenë në udhëtim me të Dërguarin (a.s). Aty ata kanë garuar me njëri tjetrin dhe Aishja e ka fituar garën. Pas një kohe, kur kanë dalë përsëri në një tjetër udhëtim, Aishja i ka propozuar Profetit të garojnë përsëri. Por garën këtë herë e kishte fituar Profeti, pasi Aishja e kishte vështirë të vraponte, se kishte shtuar në peshë. Me këtë rast Muhamedi (a.s.) duke qeshur i ka thënë Aishes: “Tani jemi baraz. Ta ktheva hakun për garën që fitove kohë më parë”. (Ebu Davud)

 

Për të patur mirëkuptim dhe për të shtuar dashurinë ndërmjet njëri-tjetrit, Profeti porosit se është e këshillueshme që bashkëshortët të këmbejnë dhurata ndërmjet tyre. Veçanërisht, thekson Profeti (a.s) dhurata e bashkëshortit ka vlerë dhe domethënie të madhe për bashkëshorten e tij, sado simbolike të jetë kjo dhuratë. Dhënia e dhuratës bashkëshortes ka për qëllim që t’i tregohet se nuk është e harruar nga burri i saj, se ai mendon për të, se përpiqet t’i plotësojë dëshirat e saj dhe, në këtë formë, ai tregon kujdesin ndaj saj. Nëse burri i blen diçka që i pëlqen gruas së tij, pa ia kërkuar ajo më parë, ky gjest do të ndikojë në fitimin e dashurisë së saj, do të shtojë besimin se burri i saj mendon për të, do të fillojë të mendojë dhe ajo për dëshirat e tij, do të fillojë të tregojë respekt, kujdes, dhe e gjithë kjo do të çojë drejt forcimit të dashurisë së dyanshme mes bashkëshortëve dhe me këtë kemi arritur synimin për të patur mbarësi dhe mirëkuptim në familje.

Por Muhammedi (a.s) nuk është mjaftuar me kaq në këshillat për familjen. Ai vetë ka qenë shëmbulli më i mirë, për t’i treguar burrave të tjerë se si duhet të sillen me gratë e tyre. Ai këshillon që bashkëshortët të ndijmojnë gratë e tyre në punët e përditëshme. Vetë Profeti i ka ndihmuar familjes së tij për punët e shtëpisë.

 

Ky është një problem që pjesa më e madhe e burrave e keqkuptojnë ose e komentojnë sipas dëshirës dhe interesit të tyre. Ndihmesën e gruas në punët e shtëpisë, burrat e shohin si dobësi dhe gjest i ulët (për burra të tillë në shoqërinë e meshkujve, thuhet se janë burracakë).

 

Pikërisht kjo është rezultat i të kuptuarit gabim të fesë dhe ky kuptim u takon atyre që e manifestojnë fenë vetëm në pamjen e jashtme. Po t`i kthehemi biografisë së të Dërguarit, (a.s), do të shohim se ai edhe në këtë segment ishte shembulli më i mirë, ashtu siç ishte në të gjitha segmentet e tjera të jetës, modeli më i përsosur për të gjithë. Edhe pse ai kishte obligime të pakrahasueshme me obligimet tona, gjente kohë për t`i ndihmuar familjes së tij në punët e shtëpisë.

 

Në një thënie të Aishes gjejmë: “I Dërguari i Allahut (a.s), i ka shërbyer familjes së tij e kur hynte koha e namazit dilte nga shtëpia e shkonte të falte namazin”. [Buhariu]

 

Gjithashtu, kur e pyetën Aishen (r.a), për Muhamedin (a.s), ajo tha: “Ishte njeri modest, milte delet dhe vet shërbehej’’. [Ahmedi]

 

Sa më shumë të thellohemi në jetën dhe veprën e Muhammedit (a.s) aq më shumë gjejmë shembuj frymëzimi të pashtershëm për jetën tonë, që nga vogëlsirat e përditëshme e derit tek udhëheqja e shtetit. Profeti Muhamed e vlerësonte femrën dhe forcën e saj mendore dhe krijuese. Ai është konsultuar me bashkëshortet e tij për aspekte të shumta të jetës edhe i ka pranuar me kënaqësi këshillat e tyre. Është për t’u përmendur rasti i haxhit, ku ndërsa Profeti (a.s) dhe shokët e tij ishin rrugës për në Meke, ai urdhëroi të bëhej kurban. Shokët e tij për një moment nuk e zbatuan këtë urdhër. Bashkëshortja e Profetit Umm Seleme e këshillon Muhamedin (a.s) të fillojë ai vetë i pari, pasi atëherë të tjerët do ta ndjekin pas veprimin e tij. Dhe ndodhi pikërisht ashtu siç tha bashkëshortja e Profetit (a.s), sapo filloi Profeti kurbanin, të gjthë të tjerët e pasuan menjëherë.

 

Paçka se Muhammedi (a.s) nuk ka patur nevoja për këshilla, pasi Ai, ishte i frymëzuar nga Allahu (xh.sh), përmes Kuranit, duke u sjellë në këtë mënyrë ai kishte për qëllim të mësonte shokët e tij dhe të gjithë ata që do të ndiqnin rrugën e tij në pas, se si duhet të silleshin me dashuri dhe korektësi ndaj bashkëshorteve të tyre.

 

Ai i nxiste shokët e tij të shprehnin hapur dashurinë ngaj bashkëshorteve të tyre. Kur e pyetën Profetin (a.s) se cilin njeri do më shumë, ai u përgjigj menjëherë dhe pa hezitim: -“Aishen”, pra bashkëshorten e tij. Kur e dëgjoi Aishja këtë përgjigje e pyeti:-“Si më do mua Profeti?” Ai iu përgjigj:-“Si një nyje që nuk zgjidhet.” Kjo përgjigje i bëri aq shumë përshtypje Aishes sa që kohë pas kohe e pyeste Profetin se cilin njeri donte më shumë. Gjithmonë merrte prej tij të njejtën përgjigje.

Profeti i porosit burrat dhe e vë si obligim të tyre që të jenë të vëmendshëm e të mundohen të kuptojnë thellësisht se çfarë duan gratë e tyre, çfarë i gëzon, çfarë i hidhëron apo çfarë e prek shpirtin e tyre. Profeti thotë se edhe fjala e mirë që burri i thotë gruas së tij, është sadaka. Bashkëshortja nuk duhet vetëm kur është e re-thotë ai-e bukur apo e shëndetëshme. Burri duhet t’a nderojë dhe t’ia dijë vlerën bashkëshortes së tij deri në vdekje, paçka të papritura që mund të sjellë jeta.

Vetë Profeti ka qenë shumë i vëmendshëm ndaj ndjenjave të familjes së tij. Një herë Muhammedi (a.s) i ka thënë Aishes: “O Aishe! Unë e di kur ti je e kënaqur me mua e kur nuk je.” E habitur Aishja e ka pyetur: “Si e di ti këtë o i Dërguar i Zotit?” Ai iu përgjigj: “Ti kur je e kënaqur me mua, kur betohesh thua: -Pasha Zotin e Muhamedit, ndërsa kur je e hidhëruar thua:-Pasha Zotin e Ibrahimit.”

 

Shembulli i Profetit na tregon se të sillesh mirë ndaj bashkëshortes nuk do të thotë që ta mënjanosh atë nga problemet e jetës së përditëshme duke mos i treguar asaj hallet dhe shqetësimet apo duke i fshehur punët dhe planet e tua, me preteksin se dëshiron ta shkarkosh nga pesha e problemeve të përditëshme.

Të sillesh mirë ndaj bashkëshortes do të thotë të ndash me të shqetësimet e projektet e tua, por edhe të jesh i duruar ndaj saj kur ajo është e zemëruar dhe e hidhëruar.

 

Së fundi po citoj një fragment nga fjala e Profetit (a.s), thënë në Haxhin e Lamtumirës, lënë amanet të gjithë besimtarëve, deri në ditën e fundit të kësaj gjithësie.

 

O Besimtarë!

 

– Ruajuni prostitucionit, tradhëtisë bashkëshortore dhe xhelozisë. Prostitucioni dhe tradhëtia bashkëshortore janë mëkat i rëndë, ndërkaq xhelozia të çon në përçarje.

– Martohuni me ato gra të që i doni, e kur vullneti i Zotit ju bashkon, atëherë respektohuni, duajuni, në dashuri dhe harmoni, ndërmjet vetes.

– O bashkëshortë!

Silluni ndaj grave tuaja me shumë mirësi dhe dashuri…

– O besimdrejtë!

Largohuni nga ngatërresat dhe përgojimi.

– Ata të cilët u bëjnë shpifje grave të ndershme, le të jenë të mallkuar në të dy botët. Ata të cilët i akuzojnë gratë e ndershme për tradhëti në martesë, ose për amorale e nuk munden për këtë shpifje të tyre të sjellin katër dëshmitarë të besueshëm, dënoni me tetëdhjetë kamzhikë dhe asnjëherë në të ardhmën në asgjë mos u besoni, sepse ata janë njerëz të poshtër dhe të këqinj.

 

– Nëse ndieni se ju është zvogëluar dashuria ndaj grave tuaja mos nxitoni, mendoni mirë, mbase Allahu ndërmjet këtij sprovimi ju udhëzon në rrugët e fatit të ri të madh, me të cilin dëshiron t’ju përgëzojë.

– Mos kërkoni shkurorizim pa shkaqe të arsyeshme, sepse prej të gjitha gjërave që Allahu i ka lëjuar, më e urryera tëk Ai është, shkurorëzimin.

– Gratë tuaja ju janë dorëzuar në besë të Zotit. Respektojeni, o besimdrejtë, atë amanet të Zotit.

 

Nga: Hadije Gjegjizi- Londër

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit