Kreu i shtetit turk mori pjesë dhe mbajti një fjalim në programin përkujtimor “Alija Izetbegoviç në 14-vjetorin e vdekjes”, organizuar në Qendrën Popullore të Kulturës dhe Kongreseve, pjesë e Kompleksit Presidencial në Bestepe të Ankarasë…
Erdogan reagoi ashpër kundër pamjeve filmike të javës së kaluar, të cilat tregonin kontrollimin me qenë policie në Aeroportin e Vjenës të pasagjerëve, që përgatiteshin të udhëtonin nga Austria në Turqi.
“Ata ngrihen e kontrollojnë me qen qytetarët tanë në Perëndim, që do të vinin të Turqi. A mund të bëhet një poshtërsi e tillë? Vallë a nuk mund ta bësh vetë kontrollin? Kontrollojini vetë. Nëse është grua, atëherë le ta kontrollojë një police. Përse? Sepse këtë e kanë në natyrë dhe karakter. Por një diçka e tillë s’mund të jetë te myslimani, sepse myslimani nuk bën zullum”, tha ai.
Më tej, lideri turk rikujtoi se Evropa ka dështuar gjithashtu në sprovën e gjenocidit të serbëve mbi boshnjakët gjatë luftës civile të ish-Jugosllavisë në vitet 1991-1995.
“Evropa ka vdekur në Bosnjë dhe është varrosur në Siri. Ndërsa trupat e pajetë të fëmijëve të pafajshëm në brigje deti janë gurët e varreve të qytetërimit perëndimor. Fatkeqësisht, në 7 vitet e fundit, vlerat evropiane janë diskredituar dhe zhdukur një për një nga vetë të zotët e këtyre vlerave”, nënvizoi Erdogan.
“Askush nuk bëzan kur terroristët dalin nga mesi i budistëve, të krishterëve apo çifutëve. Por zhurma është e madhe kur terroristi del nga radhët e myslimanëve. Kur terroristi është nga radhët tona, ne, myslimanët, themi që DAESH-i është organizatë terroriste dhe e luftojmë atë”, shtoi presidenti turk.
Dje – vijoi ai – të drejtat e njeriut, demokracia, vullneti popullor dhe liritë ishin luks për boshnjakët, kurse sot janë luks për sirianët, palestinezët dhe libianët.
“Edhe pse të shtypurit dhe tiranët ndryshojnë, në tribunë s’kanë ndryshuar dhe s’ndryshojnë spektatorët e zullumeve”, theksoi Erdogan.
Lideri turk tërhoqi vëmendjen se nga liderët e Evropës presin që të mos e shënjestrojnë më Turqinë dhe t’i kthehen arsyes së shëndoshë.
“Përshkallëzimi i ksenofobisë nuk sjell dobi për askënd. Të ëndërrosh marrjen e pushtetit përmes islamofobisë nuk të çon përpara, s’të çon në asnjë vend. Pa Turqinë, Evropa do të arrijë vetëm izolimin, vetminë, dëshpërimin dhe konfrontimet e brendshme. Turqia s’ka nevojë për Evropën. Në të vërtetë, Evropa është nevojtare. Edhe pse ata nuk duan ta shohin këtë, Turqia dhe anëtarësimi i plotë i Turqisë janë receta e problemeve gjithnjë e më kronike”, u shpreh Erdogan.
Presidenti potencoi se ata, që mendojë se do ta gjunjëzojnë Turqinë përmes sanksioneve dhe kërcënimeve, s’bëjnë gjë tjetër veçse mashtrojnë veten.
“Ne nuk jemi dhe nuk do të jemi lodër e askujt. S’jemi dhe nuk do të jemi ushtarë, të cilët ndokush mund t’i përdorë sipas dëshirës. Sepse ne jemi një popull, që e kemi shkruar historinë me gjak dhe kemi paguar çmimin e lirisë duke varrosur djem të rinj”, përfundoi Erdogan.