Mandati i misionit i cili përfundonte në muajin mars të vitit të ardhshëm u zgjat deri në muajin shtator të vitit 2018
GJENEVË (AA) – Këshilli për të Drejtat e Njeriut i OKB-së mori vendim për zgjatjen e mandatit të “misionit ndërkombëtar hetimor për zbulimin e dëshmive” i cili u themelua për shkak të shkeljeve të të drejtave të njeriut, gjegjësisht ndaj muslimanëve të Arakanit (Rohingya) në Mianmar, përfshirë vrasjet, përdhunimet, torturat dhe arrestimet arbitrare, raporton Anadolu Agency (AA).
Në një vendim të përbashkët të marrë në ditën e fundit të seancës së 36-të të Këshillit të të Drejtave të Njeriut, u zgjat mandati i misionit hetues i cili ishte themeluar për hetimin e krimeve të kryera nga ushtria dhe forcat e Mianmarit në gjithë Mianmarin dhe sidomos në Arakan. Mandati i misionit i cili përfundonte në muajin mars të vitit të ardhshëm u zgjat deri në muajin shtator të vitit 2018.
Propozimin për zgjatjen e mandatit të “Misionit ndërkombëtar hetues për zbulimin e dëshmive” në emër të Bashkimit Evropian (BE) e bëri Estonia, propozim i cili u pranua me një vendim të përbashkët pa u votuar.
Këtë vendim e kundërshtuan Mianmari, Kina dhe Filipinet, kurse përfaqësuesi i Mianmarit në Këshill, Hau Khan Sum pretendon se “ky mision hetues është i panevojshëm”.
Në seancën e 34-të të Këshillit të të Drejtave të Njeriut me 47 shtete anëtare, ishte miratuar mocioni për themelimin e “Misionit ndërkombëtar të hetimit për zbulimin e dëshmive” i cili u themelua me qëllim të zbulimit të shkeljeve të të drejtave të njeriut të muslimanëve të Arakanit, përfshirë vrasjet, përdhunimet, torturat dhe arrestimet arbitrare”.
Raportuesi Special i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Yanghee Lee bëri thirrje të panumërta për fillimin e “hetimeve të shpejta, të detajizuara, të pavarura dhe të paanshme” për zbulimin e shkeljes së të drejtave të njeriut kundër muslimanëve të Arakanit në Mianmar.
Zëdhënësi i Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin (IOM) Joel Millman, sot në një konferencë për media të organizuar në Zyrën e OKB-së në Gjenevë tha se numri i personave që u strehuan në Bangladesh duke ikur nga incidentet e dhunshme në Mianmar që nga 25 gushti ka arritur në 518 mijë.