2.3 C
Pristina
Wednesday, November 6, 2024

OKB thirrje për ndihmë për muslimanët e Arakanit

Më të lexuarat

Komisioneri i Lartë për Refugjatët i OKB-së, Filippo Grandi i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të dërgojë ndihma për muslimanët e Arakanit

COX’S BAZAR (AA) – Komisioneri i Lartë për Refugjatët i OKB-së, Filippo Grandi i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të dërgojë ndihma për muslimanët e Arakanit (Rohingya), raporton Anadolu Agency (AA).

Grandi në një deklaratë për mediat në kuadër të kontakteve të tij në Bangladesh tha se migrimi masiv i muslimanëve Rohingya që nga 25 gushti e deri më tani, të cilët janë detyruar të ikin nga Mianmari në Bangladesh, është kriza më urgjente e refugjatëve në botë.

Duke vënë në dukje se numri i personave që kanë ikur nga dhuna në Mianmar është më shumë se 430 mijë, Grandi tregon habinë e tij për nevojat e mëdha të këtyre njerëzve. “Ata kanë nevojë për gjithçka, ushqim, ujë të pastër, strehim, shërbime të duhura shëndetësore”, tha ai.

Më tej Grandi tha se në qoftë se Bangladeshi ndihmon refugjatët bashkësia ndërkombëtare duhet ta mbështesë këtë vend financiarisht dhe se duhet t’i dërgojë ndihmat. Ai falënderoi qeverinë e Bangladeshit për hapjen e kufirit për Rohingyat “në një botë e cila shpesh po mban qëndrim armiqësor ndaj refugjatëve”.

Ai theksoi se Rohingyat kanë nevojë për zgjidhje afatgjate dhe se Mianmari duhet t’i japë fund dhunës e cila shkaktoi largimin e shumë personave nga shtëpitë e tyre.

Sipas tij, zyrtarët e Komisariatit të Lartë për Refugjatët dhe të Programit Botëror të Ushqimit ndodhen në Arakan. Grandi thotë se aktivitetet e tyre janë ende të kufizuara dhe se duhet të ketë përmirësim të gjendjes për dërgimin e ndihmave deri tek ata të cilët nuk kanë mundur të vijnë në Bangladesh.

“Kemi informacione jo të qarta. Në anën tjetër e dimë se ka njerëz të cilët ndodhen nën presion dhe se të tjerë të cilët detyrohen të zhvendosen nga vendet e tyre në veri të Arakanit”, thotë Grandi.

Në kuadër të vizitës së tij tre ditore në Bangladesh, Grandi vizitoi kampet e refugjatëve në qytetin Cox’s Bazar.

Në sulmet ndaj civilëve të Arakanit, të kryera nga ushtria e Mianmarit nën pretekstin e “luftës kundër militantëve të armatosur”, nga 25 gushti e deri tani kanë humbur jetën mijëra muslimanë. Për shkak se nuk lejohet hyrja dhe dalja nga zona, është e pamundur të përcaktohet numri i saktë i viktimave.

Ushtria dhe nacionalistët budistë gjatë sulmeve kanë djegur ose shkatërruar plotësisht rreth 200 fshatra. Dhjetëra mijëra muslimanë nga Arakani (Rohingya) vazhdojnë përpjekjet që përmes lumit Naf dhe zonës malore të ikin në Bangladeshin fqinj.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit