13.3 C
Pristina
Wednesday, November 20, 2024

Shkenca thotë se Ademi dhe Havaja kanë ekzistuar…

Më të lexuarat

Ademi dhe Havaja

(Ky artikull bazohet në një ligjëratë të mbajtur në xhaminë e Belfastit në mars 1997.)

Shkenca thotë se Ademi dhe Havaja kanë ekzistuar…

Islami i mëson njerëzit që t’i trajtojnë prindërit me respekt dhe dashamirësi. Për këtë arsye, t’i kujtosh ata dhe t’i lutesh Allahut që t’i mëshirojë dhe t’u sjellë paqe janë shenja nderimi dhe respektimi ndaj tyre. Një nderim i tillë është më shumë se i merituar për paraardhësin e përbashkët të njerëzimit. Megjithatë, nga përpjekjet e shumta të institucioneve edukative për të vërtetuar se njerëzimi ka evoluar nga majmunët, njohuritë dhe vetëdija e njerëzve për Krijuesin e Plotfuqishëm dhe veprimin e tij madhështor të krijimit të Ademit dhe Havasë, të cilëve u kushtohet shumë pak vëmendje ditët e sotme, janë venitur në mënyrë graduale. Pyetja që duhet të shtrohet nuk është: “Si quheshin burri dhe gruaja e parë?”, por “A kemi me të vërtetë një paraardhës të përbashkët?” dhe “Sa njohuri kam për paraardhësit e përbashkët të njerëzimit, për Ademin dhe Havanë?”

Përgjigja fetare dhe shkencore për pyetjen e parë është “po”! Me 11 janar të vitit 1988, “Newsweek Magazine”, botoi një artikull, që deklaronte se studimet e kryera nga biologët molekularë të një lloji ndërkombëtar gjenesh i kishte vënë në gjurmët e Acidit Dezoksiribonukleik mitokondrial (ADN).

Studimet u bënë tek gratë me ngjyrë dhe ato kaukaziane “me paraardhës nga Afrika, Evropa, Lindja e Mesme dhe Azia”. Pavarësisht nga fakti se gratë “vinin nga vende shumë të ndryshme gjeografike dhe racore, ”gjenetistët” zbuluan, se të gjitha kishin shtrirje identike të ADN-së mitokondriale, që trashëgohet vetëm nga nënat dhe nuk është përzierje e gjeneve prindërore”. Nga perspektiva biblike dhe kuranore, kjo i ka kthyer ata në idenë e paraardhësit të përbashkët: “tek një grua e vetme, prej së cilës e kemi prejardhjen”.

Në raport thuhet gjithashtu si vijon: “Shumica e fakteve deri tani tregojnë, se Eva… kishte më shumë gjasa të ishte një grua me flokë të zeza, me lëkurë të zezë, e cila ka jetuar në Afrikën subsahariane”. Besohet se paraardhësja jonë e përbashkët – Eva afrikane – duhet të ketë jetuar “rreth 100 000 ose 200 000 vjet më parë” dhe kjo është në përputhje me zbulimet, që lidhen me Ademin. Këto zbulime e rrisin rëndësinë e deklaratave biblike dhe kuranore për ekzistencën e Havasë (Evës), nëna e gjithë njerëzimit, e cila nuk u krijua rastësisht në natyrë, por u krijua nga Krijuesi. Gjithashtu ky është një fakt tjetër, që tregon vërtetësinë e Kuranit të shenjtë që e ka deklaruar kohë më parë këtë gjë:

“Shpallja e librit është prej Allahut, të Gjithëfuqishmit, të Urtit. Ai ju krijoi juve prej një njeriu, pastajj prej tij e krijoi palën (çiftin) e tij e prej atyre dyve u shtuan shumë burra e gra…” (Kuran, 39:1, 6; 4:1)

Kjo pjesë i ftonte gjithashtu njerëzit e shkencës, që të bënin përpara në njohuritë e tyre për paraardhësin e përbashkët të njerëzimit. Ata duhet të kërkonin e të provonin origjinën e Havasë dhe në të vërtetë të njerëzimit nga një individ i vetëm, i quajtur Adem.

Prandaj nuk është habi kur mësojmë nga një artikull i “The Times” me 23 nëntor 1995, se pas një studimi shkencor të kromozomeve Y në një grup me raca të përziera dr. Michael Hammer, gjenetist nga Universiteti i Arizonës, ishte i aftë të tregonte, se të gjithë burrat kanë një paraardhës të përbashkët “me origjinë afrikane”, i cili jetoi më pak se 200 000 vjet më parë. Në artikull thuhej më tej ‘kjo kundërshtoi teorinë se njerëzimi evoluoi në rajone të ndryshme të botës së vjetër nga një paraardhës i hershëm, Homo Erectus (majmunët)”. Tani, shkencëtarëve u mungon gjetja e fakteve, që lidhin Havanë me Ademin. Ndoshta ata do ta gjejnë përgjigjen nëpërmjet ADN-së së kockave, në veçanti tek brinjët e poshtme.

Për sa i përket pyetjes së dytë shkenca ka shumë pak për t’u ofruar njerëzve dhe duhet t’u drejtohet shpalljeve hyjnore, për të marrë më shumë njohuri të thella për paraardhësin e përbashkët. Edhe fakti se Havaja kishte lëkurë të zezë ishte i njohur për dijetarët e Islamit. E.W.Lane në fjalorin e tij arabisht-anglisht thotë, se emri Hava (fjala arabe ekuivalente me fjalën Eva) do të thotë “ngjyrë kafe, e kuqe që anon nga e zeza ose një ngjyrë e përzier me pluhurin e kuq në të zi si ndryshku i hekurit”.

Pra, ajo ishte e zezë, ose nëse preferoni, grua me lëkurë të zezë.

Krijimi i Evës: një shenjë dhe një fenomen

Historia e Ademit ka rëndësi universale, jo vetëm përsa i përket asaj që ka të bëjë me të, por edhe për atë që mund të mësojmë për “palën” e tij. Në Teurat emri i palës së Ademit është Eva, nuk shpjegohet se si iu dha ky emër, nga Krijuesi apo Ademi, por thjesht u shfaq në fillim të Zanafillës, në kapitullin 4. Sipas traditës islame, i njëjti person njihet me emrin arab Hava dhe jo Eva dhe ky emër nuk përmendet askund në Kuranin e shenjtë. Për sa i përket krijimit të Havasë, të dhënat në Tevrat mund të përmblidhen si vijon: “Pastaj Zoti Perëndi tha: “Nuk është mirë që njeriu të jetë vetëm; unë do t`i bëj një ndihmë që i leverdis”. Atëherë Zoti Perëndi e futi në një gjumë të thellë njeriun, të cilin e zuri gjumi; dhe mori një nga brinjët e tij dhe e mbylli mishin në atë vend. Pastaj Zoti Perëndi me brinjën që i kishte hequr njeriut formoi një grua dhe e çoi te njeriu. Njeriu tha: “… Ajo do të quhet grua …”. (Zanafilla, 2:18, 21, 23)

Kurani i shenjtë e konfirmon, se në të vërtetë Havaja u krijua nga Ademi, por nuk thotë gjë për procesin specifik të përdorur për krijimin e saj. Në të thuhet: “O ju njerëz! Kini frikë Zotin tuaj që ju ka krijuar prej një veteje (njeriu) dhe nga ajo krijoi palën (shoqen) e saj, e prej atyre dyve u shtuan shumë burra e gra. Dhe kini frikë Allahun që me emrin e Tij përbetoheni, ruajeni farefisin (akraballëkun), se Allahu është mbikëqyrës mbi ju”. (Kuran, 4:1)

Stephen Jay Gould, eseist dhe paleontolog i Harvardit thotë: “… kjo na bën të kuptojmë se të gjitha qeniet njerëzore, pavarësisht nga ndryshimet në paraqitjen e jashtme, janë në të vërtetë anëtarë të një qenieje të vetme, që ka pasur origjinë të vonë në një vend. Ekziston një lloj vëllazërie biologjike, që është më e thellë sesa ne mund ta kuptojmë”.

Kjo është çështja që ka shpallur Zoti në Kuran, për të cilën z. Gould nuk kishte njohuri ose ndoshta si shumë të tjerë, nuk donte ta pranonte derisa të mbështetej nga shkenca. Por a nuk e shohim sesa mbrapa mësimeve të Kuranit të shenjtë mbetet shkenca moderne?

Nga vargjet e mësipërme të Kuranit dhe të Tevratit bëhet e qartë, se krijimi i Havasë është një fenomen – ajo është gruaja e vetme, që u krijua nga një burrë dhe jo nga procesi i natyrshëm i lindjes. Krijimi i saj është i rëndësishëm, një shenjë dhe pjesa e dytë e një fenomeni trepjesësh të krijimit të njeriut. Pjesa e parë ishte krijimi i Ademit, një qenie që u krijua nga asgjëja, duke përdorur vetëm ujë dhe baltë; e dyta është krijimi i grave (Havasë) siç u shpjegua më parë dhe e treta krijimi i një njeriu, Jezusit, nga një grua pa pjesëmarrjen e një burri. Të tre krijimet janë në pozitën e të qenët unikë, arsye të qartë të besimit në Zot dhe u bënë të mundura vetëm duke urdhëruar “Bëhu!” nga i Plotfuqishmi. Këto vërtetojnë pushtetin dhe dijen e Tij për sekretet e qiellit dhe të tokës dhe të asaj që është e zbuluar dhe e fshehur (Kuran, 3:59; 76: 1-3).

Ndryshe nga Tevrati, Kurani i shenjtë nuk thotë se Havaja u krijua nga brinja e Ademit, por se u krijua nga ai dhe ky fakt konfirmohet nga realiteti, që njihet për trupin e njeriut. Deklarata biblike: “Atëherë Zoti Perëndi e futi në një gjumë të thellë njeriun…; dhe mori një nga brinjët e tij… dhe formoi një grua” (Zanafilla 2:18, 21- 23) mund të interpretohet fjalë për fjalë ose si një alegori, megjithatë sipas meje rezultati është i njëjtë. Ky nocion biblik, megjithëse nuk vërtetohet nga Kurani, mbështetet nga hadithi i mëposhtëm. Në mungesë të bazës kuranore, dikush mund të argumentojë, se vërtetësia e tij është e dyshimtë. Megjithatë sipas këtyre burimeve historike thuhet: “Transmetohet nga Ebu Hurejre (r.a) se i Dërguari i Allahut (s.a.v.s) ka thënë: “Pranoni rekomandimin që grave t’u bëni mirë! Vërtet gruaja është krijuar nga brinja. Laku më i madh i brinjës është më lart. Nëse provon ta drejtosh, do ta thyesh, kurse nëse e lë siç është, ajo mbetet e shtrembër. Andaj pranoni rekomandimin ndaj grave”. (Buhariu dhe Muslimi) (Mutte­fekun alejhi)

Në një transmetim tjetër thuhet: “Gruaja është sikurse brinja, nëse e drejton e thyen, e nëse pajtohesh me të, pajtohesh me të ashtu siç është, e shtrembër”. Ndërkaq në një transmetim tjetër thuhet: “Vërtet gruaja është krijuar nga brinja, asnjëherë nuk drejtohet sipas rregullit, e nëse pajtohesh me të, pajtohesh ashtu siç është, e shtrembër, kurse nëse fillon ta drejtosh, do ta thyesh dhe thyerja e saj është shkurorëzimi i saj”.

Në Islam gratë nuk shikohen si të shtrembra biologjikisht dhe jo se kanë një mentalitet kriminal, por janë qenie njerëzore me natyrë të ngjashme (Kuran, 4:1) me burrat dhe u krijuan “në formën më të bukur” (Kuran, 95:4). Ashtu siç kemi thënë, ndoshta Ademit i është marrë një brinjë dhe pastaj është veshur me mish dhe është krijuar Havaja. Kjo ide është disi e pranueshme duke pasur parasysh vargun e mëposhtëm të marrë nga Kurani: “Për Allahun, Ne e krijuam njeriun prej një ajke (lëngu), e një balte. Pastaj atë (ajkë – baltë) e bëmë (e shndërruam) pikë uji (farë) në një vend të sigurt. Më pas, atë pikë uji e bëmë copë gjaku, e atë gjak të ngurtë e bëmë copë mishi, e atë copë mishi e shndërruam në eshtra, edhe eshtrave ua veshëm mishin, pastaj atë e bëmë krijesë tjetër (me shpirt). I lartë është Allahu, më i miri Krijues!” (Kuran, 23:12-14)

Kjo pjesë e detajuar për evolucionin e njeriut është thënë 1 400 vjet më parë, para shkencës moderne. Ai njëjtëson fuqinë e Krijuesit në krijimin e Ademit nga ajka (lëngu) pastaj e ka vendosur procesin riprodhues “në një vend të sigurt”. Nga ky proces mund të nxjerrim tre faza primare:

a) Nga fara tek formimi i kockës.

b) Veshja e kockave me mish.

c) Përsosja e procesit për të krijuar “një krijesë tjetër”.

Procesi riprodhues logjikisht nuk mund të lidhet me Ademin për çdo aspekt, sepse ai si burrë duhet ta këtë nxjerrë farën dhe duke gjykuar nga ajo, që pranohet si natyra e përgjithshme e strukturës biologjike të njeriut, ai nuk kishte mitër dhe nuk kishte asnjë grua, asnjë mitër (vend i sigurt) për ta marrë atë. Qëllimi i etapës së parë të procesit riprodhues është formimi i kockave në “një vend të sigurt”, prandaj nëse nuk ka mitër, por kockat ekzistojnë dhe janë, etapa e parë nuk është e nevojshme dhe si rrjedhim mund të mos merret parasysh (është e pasaktë biologjikisht). Megjithatë etapa e dytë dhe e tretë mund të përdoren për formimin e Havasë. Brinjët formonin një pjesë të strukturës kockore të Ademit, kështu që i Plotfuqishmi duke marrë një brinjë mund ta “vishte me mish dhe të krijonte një krijesë tjetër”. Në mbështetje të faktit se Allahu ka fuqinë dhe mund të krijojë nga kocka, ekzistojnë dhe fakte biblike:

“Dora e Zotit u ndodh mbi mua, më çoi jashtë në Frymën e Zotit dhe më lëshoi në mes të një lugine, që ishte plot me kocka. Pastaj më bëri të kaloj afër tyre, rreth e qark; dhe ja, ishin në sasi të madhe mbi sipërfaqen e luginës; dhe ja, ishin shumë të thata. Më tha: “Bir njeriu, a mund të rijetojnë këto kocka?”. Unë u përgjigja: “O Zot, o Zot, ti e di”. Më tha akoma: “Profetizo këtyre kockave dhe u thuaj atyre: Kocka të thata, dëgjoni fjalën e Zotit. Kështu ju thotë Zoti këtyre kockave: Ja, unë po fus te ju frymën dhe ju do të rijetoni. Do të vë mbi ju mishin, do t`ju mbuloj me lëkurë dhe do të shtie te ju frymën, dhe do të jetoni; atëherë do të pranoni që unë jam Zoti”. Profetizova ashtu si më ishte urdhëruar; ndërsa profetizoja, pati një zhurmë; dhe ja një tronditje; pastaj kockat iu afruan njëra – tjetrës. Ndërsa po shikoja, ja ku u rritën mbi ta dejet dhe mishi, që lëkura i mbuloi; por fryma nuk ishte tek ato. Atëherë ai më tha: “Profetizoji frymës, profetizo bir njeriu dhe i thuaj frymës: Kështu thotë Zoti: Frymë, eja nga të katër erërat dhe fryj mbi këta të vrarë, që të jetojnë”. Kështu profetizova, si më kishte urdhëruar dhe shpirti hyri në to, u kthyen në jetë dhe u ngritën më këmbë; ishte një ushtri e madhe, shumë e madhe”. (Ezekieli, 37: 1-10)

Nga pjesët e mësipërme mund ta shohim fazat e fundit të procesit riprodhues, veshjen e kockave në fazën që ishin akoma pa jetë dhe në fund dhënien e shpirtit, që të bëhen krijesa të gjalla dhe të rrinë “në këmbët e tyre”. Ky nocion dhe ndoshta kjo histori konfirmohet në pjesën e mëposhtme kuranore:

“Ose (nuk je i njohur) me shembullin e atij që kaloi pranë një fshati që ishte rrënuar në kulmet e tij, e tha: “Si e ngjall Allahu këtë pas shkatërrimit të tij”? E All-llahu e bëri të vdekur atë (pyetësin – Uzejrin) njëqind vjet, pastaj e ringjalli dhe i tha: “Sa qëndrove (i vdekur)”? Ai tha: “Një ditë, ose një pjesë të ditës”! Ai (Allahu) Tha: “Jo, por ke ndenjur (i vdekur) njëqind vjet, shikoje ushqimin dhe pijen tënde si nuk janë prishur, e shikoje edhe gomarin tënd (si i janë shkapërderdhur eshtrat). E për të bërë ty argument për njerëzit (bëmë këtë sprovë), shiko se si i kombinojmë eshtrat e pastaj i veshim me mish. E kur iu bë e qartë atij, tha: “U binda se me të vërtetë Allahu ka mundësi për çdo send”! (Kuran, 2:259)

Pjesët e mësipërme nga Dhiata e Vjetër dhe nga Kurani i shenjtë e tregojnë qartë, se Allahu ka pushtet mbi gjithçka dhe në bazë të këtyre shfaqjeve të pushtetit të tij, mund ta ketë krijuar Havanë nga brinja (kocka) e Ademit.

Nëse brinja është e vërtetë apo alegorike, fakti është se në analizën finale, “krijesa tjetër”, që është emërtuar “grua”, procesi i krijimit të së cilës ndryshonte nga krijimi i Ademit dhe ishte unik, u formua nga i njëjti element si ai, për një qëllim të veçantë hyjnor. Si rrjedhim biologjia e Havasë përbëhej nga uji dhe balta që u formua “në formën më të bukur” (Kuran, 95:4), me natyrë të ngjashme me Ademin. Si pasojë nëse shihet si alegori, nocioni i gruas së krijuar nga brinja duhet të interpretohet pozitivisht, duke përdorur si bazë qëllimin hyjnor përtej krijimit të Havasë. Në Tevrat thuhet: “Nuk është mirë që njeriu të jetë vetëm; unë do t`i bëj një ndihmë që i leverdis”, ndërsa Kurani thotë “Kini frikë Zotin tuaj që ju ka krijuar prej një veteje (njeriu) dhe nga ajo krijoi palën (shoqen) e saj”.

Nga këto vargje është e qartë se qëllimi i Krijuesit ishte, të krijonte një njeri që do të ishte palë (grua) me natyrë të ngjashme. Nuk është për t’u habitur që Ademi, sipas Tevratit, e quajti “ndihmën e tij” “grua”, sepse pa tek ajo një person, që ishte i ngjashëm me të biologjikisht, në natyrën shpirtërore dhe se si funksiononte psikologjikisht – që kishte të njëjtën aftësi si ai për të përftuar dije, për të përdorur arsyen, për të artikuluar dhe ushtruar vullnetin e lirë për të bërë dallime moralisht. Duke pasur këtë parasysh, një shpjegim mund të jetë, se brinja është simbolikë e detyrës së bashkëshortit ndaj bashkëshortes së tij dhe e marrëdhënies së gruas me burrin e saj dhe aspekti dominant i karakterit të saj. Nocioni se në të vërtetë Havaja u krijua nga brinja e Ademit, nënkupton gjithashtu shkallën e detyrimit që kanë burrat: t’i furnizojnë, t’i ruajnë dhe t’i mbrojnë bashkëshortet si pjesë të tyren (Kuran, 4:34).

Për Havanë dhe të gjitha gratë, pozita e tyre në martesë sqarohet gjithashtu nga fakti se brinja u mor nga ija e Ademit. Pozicioni natyror i grave, si bashkëshorte, është të jenë në anën e bashkëshortit, të përshtaten me ta dhe ashtu si brinja e burrit, si pjesë e trupit të tij, i nënshtrohet dhe i bindet vullnetit të burrit, ashtu edhe të gjitha “gratë e mira janë respektuese, janë besnike ndaj të fshehtës”. (Kuran, 4:34)

Të jesh grua dhe nënë nuk është detyrë e lehtë, kështu që Havaja dhe të gjitha gratë duhet të kenë cilësitë e nevojshme. Gratë kanë një forcë më të madhe ndjenjash, që i mundëson të japin vazhdimisht ndihmën e tyre: duke dhënë gjithmonë, duke u treguar bujare më shumë se e meritojnë me bashkëshortin dhe fëmijët, e guximshme për të kaluar në dyert e dhimbjes herë pas here, duke vuajtur shumë gjatë shtatzënisë dhe lindjes etj. Pa praninë e kësaj force ndjenjash tek gratë, do të ishte më e vështirë për burrat “të kishin dobi prej tyre”. Kjo cilësi i bën gratë më intuitive, me një aftësi për forcë më të madhe ndjenjash, që mbart me vete dhe një intensitet më të madh dëshirash. Prandaj, për gratë (si dhe për gjithë njerëzimin) është shumë i rëndësishëm urdhri kuranor “vazhdimisht të jeni dëshmues të drejtë për hir të Allahut… Mos ndiqni pra emocionin e t’i shmangeni drejtësisë”. (Kuran, 4:135)

Përderisa prania e një force më të madhe ndjenjash dhe dëshirash është e nevojshme për kryerjen e detyrës së grave si bashkëshorte dhe si nëna, kjo aftësi është caktuar në mënyrë hyjnore si pjesë e natyrës së tyre, duke i bërë kështu “të shtrembra” – më të cenueshme dhe si rrjedhim të prirura për të shtrembëruar (faktet) dhe për të mos qenë të drejta. Të mundohesh t’i drejtosh gratë, do të thotë t’i detyrosh të shkojnë kundër natyrës së tyre hyjnore, “duke e shkelur” natyrën e tyre, duke hequr nga ajo atë që është burimi i “dobisë” për burrat dhe që i bën gratë të mira si bashkëshorte dhe nëna – nëse nuk është më e tillë, do të thotë se do të vijojë divorci. Burrat që e kërkojnë këtë, janë të këqij dhe të padrejtë dhe po përpiqen t’i shmangen detyrës islame për t’i falur, për të mos marrë masa dhe për t’i mbuluar gabimet e grave (Kuran, 64: 14). Ata nuk duhet t’i trajtojnë me ashpërsi, por të çojnë jetë të mirë me to (Kuran, 4:19).

Megjithatë, nuk duhet abuzuar me këta urdhra kuranorë nga gratë, të cilat e përdorin natyrën e tyre emocionale si justifikim për gabimet e tyre. Ashtu si burrat, gratë janë të afta të disiplinohen, të marrin dije dhe të jetë të drejta, prandaj është shumë e drejtë, që bashkëshortët, duke pasur në mendje natyrën emocionale të grave, t’i nxisin ato që të arrijnë nivelin e tyre të përsosmërisë.

Prandaj unë nuk kam vështirësi ta pranoj se ideja “e gruas së krijuar nga brinja” ka rëndësi fizike dhe shpirtërore. Ka rëndësi fizike, sepse Havaja mund të jetë krijuar nga një kockë e marrë nga Ademi dhe ka rëndësi shpirtërore, sepse pavarësisht nga natyra e saj emocionale, ashtu si ai; ajo dhe çdo grua tjetër, janë në gjendje të disiplinohen dhe t’i nënshtrohen Allahut.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit