3 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Rekomandime për më shumë ushtrime fizike në shkolla

Më të lexuarat

Sipas një studimi të ri – nxënësit nuk kryejnë sa duhet ushtrime fizike. Vetëm rreth 50 për qind e nxënësve amerikanë marrin minimalen e rekomanduar të edukatës fizike që është 60 minuta aktivitet i përditshëm fizik në shkallë të moderuar.

Një raport i ri nga Instituti i Mjekësisë rekomandon që shkolla të ofrojë të paktën 50 për qind të kësaj kohe minimale për aktivitet fizik gjatë orëve të mësimit:

– 30 minuta në ditë në shkollat fillore
– 45 minuta në ditë në shkollat e mesme
– Krijimi i mundësive të tjera në dispozicion jashtë orarit shkollor për sport dhe aktivitete të tjera fizike.

Sipas raportit të Institutit të Mjekësisë:

– Qeveria duhet të vendosë që lënda e Edukimit Fizik të bëhet një temë thelbësore akademike.
Autorët sugjerojnë se forma fizike përmirëson arritjet akademike dhe sugjerojnë që prirja e kohëve të fundit për të zevendësuar edukatën fizike me lexim dhe matematikë – duhet të ndalet.

Antacidet mund të parandalojnë kancerin
Shumë njerëz kanë provuar aciditet në stomak, – urth, djegsirë ose thartirë që ndjehen deri në gjoks – në anglisht ato quhen ‘heartburns’ – ‘djegie në zemër’. Por për personat me simptoma të shpeshta të këtij shqetësimi, gjendja mund të bëhet më e rrezikshme.
Një studim i kohëve të fundit mori në shqyrtim më shumë se 600 pacientë me kancer, dhe gjeti se njerëzit me urth të vazhdueshëm kishin 78 për qind rritje të rrezikut për kancer në ezofag ose në ‘kutinë e zërit’.
Edhe pse një studim i mëparshëm nuk kishte gjetur ndonjë lidhje ndërmjet aciditetit në stomak dhe kancerit në ezofag, studiuesit arritën në përfundimin se marrja e barnave anti-acid ka efekt mbrojtës dhe ul 41 për qind rrezikun e kancerit në fyt dhe në kordat e zërit.
Dhe ndërsa lidhjet midis kancerit në ezofag dhe urthit duken qartë, ekspertët këshillojnë që njerëzit të cilët provojnë raste të shpeshta urthi duhet të këshillohen me mjekun rreth mënyrave të shumta në dispozicion për t’a trajtuar atë.

Shtohen rastet e çrregullimeve mendore mes fëmijëve

Disa të dhëna shqetësuese mbi çrregullimet e shëndetit mendor mes fëmijëve që jetojnë në Shtetet e Bashkuara.
Studimi i ri nga Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve tregon se çrregullimet mendore kanë shënuar rritje vitet e fundit.
Sipas studimit, 13 % deri 20 % e fëmijëve kanë përjetuar një çrregullim mendor nga viti 1994 deri më 2011.
Autorët i bazojnë këto shifra në të dhënat e mbikqyrjes së shëndetit nga agjenci të ndryshme federale, përfshi Qendrën për Kontrollin e Sëmundjeve apo CDC.
Në vitin 2010, thuhet në studim, shkaku i dytë kryesor i vdekjeve mes fëmijëve të moshës 12 deri 17 vjeç ishte vetëvrasja.
Të dhënat nga ai vit tregojnë se çrregullimi i humorit u regjistrua si diagnoza kryesore për fëmijët e shtruar në spital.
Mes të gjitha çrregullime mendore, ADHD shënohet si shkaku më i përhapur (6. 8 %) , pasuar nga problemet në sjellje (3.5 %), ankthi (3 %), dhe depresioni (2.1 %)
Studimi thekson se shtimi i mbikqyrjes së çrregullimeve mendore është i nevojshëm për shëndetin dhe mirëqenien e fëmijëve.

Shoferët e rinj, aksidentet dhe gjumi
Gjumi i pakët shton rrezikun për aksidente për shoferët e rinj në moshë
Ky është një paralajmërim për shoferët e rinj – dhe për prindërit e tyre – për çfarë mund të ndodhë pas timonit – për ata që janë gjithashtu prapa me gjumin e tyre.
Në listën e shqetësimeve rreth shoferëve të rinj në moshë, tani shtohet edhe shmangia e gjumit.
Një studim në “Journal of Pediatrics” merr në shqyrtim më shumë se 20-mijë australianë të moshave 17 deri 24 vjeç.
Zakonet e tyre të gjumit u krahasuan me të dhënat e tyre lëvizëse.
Rezultatet e vëzhgimit tregojnë se shoferët e rinj që flenë më pak se 6 orë në natë ishin 20 për qind më shumë në rrezik për aksidente që janë raportuar në polici.
Personat në studim që thanë se flinin pak në fundjavë kishin mbi 50 për qind më shumë gjasa të përplaseshin me makinë gjatë natës dhe të dilnin jashtë rrugës, trotuareve ose në kanal.
Periudhat mes orës 8 e mbrëmjes deri në 6 të mëngjesit ishin kohët e aksidenteve më shumta për shoferët e rinj të përgjumur.
Një tjetër studim gjeti se 60 për qind e vdekjeve mes shoferëve të rinj ndodhin si pasojë e aksidenteve gjatë natës.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit