3.8 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Rrëfimi i “msitit” që marton shqiptarët me serbë

Më të lexuarat

Fenomeni i martesave të shqiptarëve me serbët duket se po kthehet në trend në Shqipërinë e Veriut.

Pikërisht për këtë fenomen pak të përshtypshëm për historinë tonë që prej vitesh ka vuajtur nga bashkëjetesa me këtë fqinj të rrezikshëm e kanë përkthyer si një fenomen të turpshëm mediat e Kosovës, por dhe të Shqipërisë.

Për të folur për këtë fenomen kemi gjetur një prej shkuesve shqiptarë që ka sajuar deri më tash 7 martesa të shqiptareve me serbët. Ai dëshiron të mbetet anonim, por ndërkohë është i hapur për të na folur rreth këtij fenomeni, shkruan Liria.com.

Kontigjenti i femrave që pranojnë të martohen në këto martesa janë kryesisht vajza që e kanë kaluar moshën e rinisë, pra ato që ne i quajmë beqare të stazhionuara, por dhe vajza që kanë pasur fatkeqësi të ndryshme dhe që kanë mbetur në shtëpitë e prindërve. Pra vajza që kryesisht fati nuk i ka ecur dhe që ëndërrojnë të krijojnë një familje serioze.

Duke qenë se një pjesë e madhe e vajzave e dinë që martesa përveçëse dashuri është një marrëdhënie interesi, këtë të fundit ato e kanë prioritet. Shkuesi, një nga burrat me prestigj në Fushëkrujë tregon se pjesa më e madhe e këtyre vajzave kanë shkuar në Novi Pazar. Sigurisht që ato nuk e njohin serbishten, por muajt e parë marrin ndonjë fjalor dhe për 6 muaj mësohen dhe flasin gjuhën e burrave të tyre.

Profesionet që kanë këta dhëndërushë janë kryesisht ato të bujqësisë dhe të pyjores. Gratë nuk punojnë jashtë shtëpisë, por interesi i tyre është të bëjnë fëmijë dhe të kujdesen për punët e shtëpisë.

Interesit si gazetare se ne kemi pasur gjithnjë marrëdhënie lufte me serbët për shkak të historisë së dhunshme , mblesi i përgjigjet se serbët urrejnë shqiptarët e Kosovës, por jo ato të Shqipërisë.

Sipas tij vajzat shqiptare janë shumë të preferuara për serbët, sepse nëse vajzat serbe janë të hazdisura pas modës, shoqërisë e kafeneve, vajzat shqiptare janë më të prirura për të rritur fëmijë dhe për t’u kujdesur për familjen. Dhe kjo ide kryesisht ka lindur pas vajzave të para që kanë mbërritur atje dhe opinionit të mirë që është krijuar. Pasi kanë ikur dallëndyshet e para ato kanë tërhequr njëra-tjetrën duke dhënë shembullin e një bashkëjetese pak të çuditshme.

Sigurisht që martesën me një burrë serb, në fillim vajzat shqiptare e marrin me frikë. Por më pas janë të kënaqura. Mund të kthehen në familjen e tyre kur duan dhe të afërmit e tyre mund të shkojnë në Serbi, gjithashtu.

Serbët janë të fiksuar për familjet e grave të tyre. Interesohen shumë nëse janë soj i mirë. Por ndonjëherë nuk kanë pretendime, mund të marrin dhe gra të divorcuara, mjafton që të kenë moral të padiskutueshëm.

Edhe për gratë fshatare shqiptare janë raste të mira, sepse serbët kanë shtëpi e katandi dhe kanë një gjendje ekonomike të mirë që mund t’i sigurojë një jetesë të qetë.

Pyetjes nëse këta dhëndër “armiq” japin dhe para në këmbim të këtyre mblesërive, shkesi ynë anonim i përgjigjet me një buzëqeshje. “Sigurisht”, thotë ai, nuk bëhen pa asnjë lloj interesi.

Pra, këto martesa kanë kthyer në Shqipërinë moderne zakonin e vjetër shqiptar ku vajzat shiteshin me para, pra një lloj skllavërimi që të lë pa fjalë.

Po dashuria? Duket se ajo mbetet veç një ëndërr e largët për këto vajza. Ndoshta lind. Po si? Pikëpyetje që nuk marrin përgjigje.

Për të lehtësuar këto lidhje prej vitesh funksionojnë dhe disa agjenci martesore në Shqipëri ku më e njohura është “Maruel 2008 & CO” në Shkodër, që mundëson martesat mes vajzave shqiptare dhe vendeve ballkanike. Vetëm kjo agjenci deri më sot ka realizuar 200 martesa të tilla dhe numri i aplikimeve është 9 mijë. Nga këto martesa kanë lindur rreth 50 fëmijë.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit