Është dështim politiko-moral të dallosh terroristët e mirë dhe terroristët e këqij në emër të interesit kombëtar apo ambicieve globale. Asnjë interes kombëtar s’mund të mbrohet nëse s’arrijmë të bashkohemi kundër terrorizmit në të gjitha format e tij…
Të enjten, më 17 gusht, një furgon u fut në një turmë njerëzish, kryesisht turistë, në lagjen Las Ramblas të Barcelonës, Spanjë, duke u marrë jetën 13 njerëzve të pafajshëm dhe plagosur më shumë se 100 persona nga 24 vende të ndryshme. Gjatë orëve në vijim, policia lokale arrestoi të paktën tre të dyshuar, ndërsa pesë terroristë të tjerë u ekzekutuan nga forcat e rendit.
Sulmi i Barcelonës ishte i fundit në mesin e një serie sulmesh nga terroristët, që përdorin automjete për të shënjestruar civilët e pafajshëm. Që nga sulmi i korrikut 2016 në Nisë me pasojë 86 viktima në shëtitoren e famshme “Promenade des Anglais”, terroristët kanë kryer sulme të ngjashme gjithashtu në Paris, Londër, Berlin e Stokholm.
Në vazhdën e sulmit të Barcelonës, bota përsëri shprehu solidaritet kundër terrorizmit. Bashkë me liderët e tjerë botërorë, Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ngushëlloi Mbretin Felipe mbrëmjen e së enjtes dhe dënoi atë, që ai e përshkroi si “një sulm jo vetëm kundër Spanjës, por edhe kundër vlerave të përbashkëta njerëzore”. Në një deklaratë me shkrim, Kryeministri Binali Yildirim premtoi vazhdimin e bashkëpunimit të Turqisë me Spanjën si vend mik dhe aleat i saj në luftën kundër terrorizmit. Turqia qëndron në solidaritet të plotë me Spanjën në këtë moment të vështirë.
Sulmi i Barcelonës shkaktoi valë tronditjeje në të gjithë botën dhe na kujtoi të gjithëve sërish se asnjë vend nuk mund ta luftojë terrorizmin vetëm. Bashkëpunimi ndërkombëtar dhe një angazhim i sinqertë nga të gjitha qeveritë për të luftuar të gjitha format e terrorizmit janë çelësi i suksesit në këtë fushë. Në këtë epokë të globalizimit dhe ndërvarësisë gjithnjë në rritje, të gjithë duhet të kujtojmë faktin themelor se askush nuk është i sigurt derisa të jemi të gjithë të sigurt. Asnjë vend nuk mund të pretendojë imunitet nga terrorizmi. Megjithatë politikat e papërgjegjshme dhe populizmi janë duke penguar progresin kuptimplotë në këtë drejtim, pasi disa vende bëjnë një diferencim të rremë midis “terroristëve të mirë” dhe “terroristëve të këqij”.
Populli turk i njeh shumë mirë këto standarde të dyfishta, pasi bota po bën një sy qorr ndaj akteve terroriste të PKK-së, të cilën Turqia, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian e konsiderojnë një organizatë terroriste. Mbështetja për Partinë Bashkimi Demokratik (PYD) dhe për milicinë e saj të quajtur Njësitë e Mbrojtjes Popullore (YPG), fraksione siriane të PKK-së, përligjet me justifikimin se ky grup lufton terroristët e DAESH-it në Siri. Por realiteti është se nuk mund të luftosh një organizatë terroriste duke përdorur një tjetër të tillë. Për më tepër, çdo mbështetje e dhënë për YPG-në është gjithashtu një mbështetje që i jepet PKK-së në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë. Ironia e madhe këtu është se PKK-ja, një organizatë marksiste-leniniste, tani trajnohet dhe mbështetet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Sulmet terroriste të vazhdueshme të PKK-së marrin pak ose aspak mbulim në mediat perëndimore, sepse – njeriu dashur padashur mendon që – sulmet e saj nuk janë të drejtuara ndaj interesave perëndimore. Vetëm javën e kaluar, PKK-ja vrau të riun Eren Bulbul, një 15-vjeçar nga rajoni i Detit të Zi, së bashku me të edhe disa forca të sigurisë. Për të tilla raste nuk janë dëgjuar thirrje apo protesta të forta nga politikanët perëndimorë apo mediat. Përse?
Ndërsa prej myslimanëve në mbarë botën pritet që të dënojnë publikisht aktet e terrorizmit pas çdo sulmi, është e rëndësishme për pjesën tjetër të botës që t’u përgjigjet sulmeve terroriste në një mënyrë të përgjegjshme dhe konstruktive. Dehumanizimi i myslimanëve vetëm sa rëndon margjinalizimin e tyre dhe hap rrugën për radikalizëm. Një shembull për këtë, së paku i çuditshëm, është vendimi i Presidentit amerikan, Donald Trump, për t’iu referuar mitit tashmë të rrëzuar se Gjenerali John J. Pershing kishte zhytur 50 plumba në gjakun e derrave dhe kishte ekzekutuar 49 rebelë në Filipine, përpara se të lironte të vetmin kryengritës të mbetur për të treguar këtë histori. Historikisht, kjo ngjarje nuk ka ndodhur kurrë. Por më e rëndësishmja, faktet e tilla të servirura s’mund të jenë reagimi ynë ndaj terrorizmit në shekullin e 21-të.
Kjo qasje antagoniste dhe totalizuese u shërben tamam siç e duan terroristëve, kundër të cilëve ne po luftojmë. Është e panevojshme të thuhet se një bashkësi e tërë fetare, e përbërë nga 1,5 miliardë njerëz të përhapur në të gjithë botën, nuk mund të konsiderohet përgjegjëse për veprimet e një grushti heretikësh dhe ekstremistësh të dhunshëm – të cilët i drejtojnë komunitetet myslimane për të ndjekur agjendën e tyre të devijuar. Në të vërtetë, DAESH, Al-Kaida dhe organizata të tjera terroriste kanë vrarë më shumë myslimanë sesa jomyslimanë dhe kanë shkaktuan më shumë shkatërrime në vendet myslimane sesa në pjesë të tjera të botës. Por grupet e ekstremit të djathtë dhe islamofobët i injorojnë këto fakte qëëlimisht për të nxitur urrejtjen dhe armiqësinë ndaj individëve dhe komuniteteve myslimane në Perëndim.
Mjerisht, kjo i viktimizon dhe i dhunon myslimanët e zakonshëm dyfish: Nga njëra anë ata vriten nga këta terroristë në vendet e tyre dhe nga ana tjetër akuzohen për ekstremizëm të dhunshëm duke iu nënshtruar kështu diskriminimit, racizmit dhe islamofobisë. Si mund ta ndihmojë kjo luftën kundër terrorizmit?
Terrorizmi është një fenomen global dhe kërkon partneritet e bashkëpunim global. Ai gjithashtu kërkon qëndrueshmëri në qasje dhe elasticitet në veprim. Është një dështim politik dhe moral të diferencosh terroristët e mirë dhe terroristët e këqij në emër të interesit kombëtar apo ambicieve globale. Asnjë interes kombëtar nuk mund të mbrohet nëse nuk arrijmë të bashkohemi kundër terrorizmit në të gjitha format e tij.
Autor: Ibrahim Kalin – Zëdhënës dhe nënsekretar i përgjithshëm i Presidencës së Republikës së Turqisë
Shqipëroi: Hilmi Velagoshti – Gazetar në Departamentin e Transmetimeve të Jashtme, TRT, Ankara