-1 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Dëmet e drogës

Më të lexuarat

Falënderimi i takon Allahut. Atë e falënderojmë dhe prej Tij falje dhe ndihmë kërkojmë. Kërkojmë mbrojtje nga Allahu prej të këqijave të vetvetes dhe të veprave tona. Kë e udhëzon Allahu, s’ka kush e devijon dhe kë e largon nga rruga e vërtetë, s’ka kush e udhëzon. Dëshmoj se s’ka Zot tjetër përveç Allahut, i Cili është Një dhe dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i Dërguar i Tij. Allahu i Madhërishëm në Kuran thotë:
“…e mos e hidhni veten në rrezik dhe bëni mirë, se me të vërtetë Allahu i do bamirësit.” (El-Bekare (2), ajeti 195)


Synimet e ligjëratës

Të nderuar xhematlinj:
Ligjërata jonë, “Dëmet e Drogës”, ka për synim që xhematit tonë shqiptar kudo që gjendet t’i ofrojë njohuri kuranore mbi vlerën që Allahu xh.sh. i ka kushtuar qenies njerëzore, duke e këshilluar atë që të qëndrojë sa më larg dukurive shkatërruese, në mesin e të cilave futet edhe droga dhe dëmet e saj. Me anë të kësaj ligjërate synojmë t’u mësojmë vëllezërve tanë se shejtani i mallkuar punon pa ndërprerë në këtë drejtim duke ia zbukuruar njeriut mëkatin dhe më pas e bën atë të zhgënjehet, por kjo nuk do t’i bëjë dobi aspak.
Synim tjetër është edhe njohja e urtësisë së ndalimit të drogës dhe të llojeve të tjera të narkotikëve, duke u munduar që gjatë shtjellimit dhe studimit të këtij fenomeni vdekjeprurës të përmendim disa pika.
Ligjërata në fjalë ka për synim që në pika të shkurtra të përmbledhë dëmet që shkakton konsumimi i drogës dhe gjetjen e formave efikase për parandalimin e rinisë nga kjo dukuri e shëmtuar dhe largimin nga kjo humnerë që ka kapluar rininë islame përgjithësisht dhe shqiptarët veçanërisht.

Të nderuar xhematlinj, feja islame i ka kushtuar një rëndësi të madhe pastërtisë së jashtme dhe të brendshme të njeriut. Këtu hyn edhe largimi nga rrugët e ndyra, siç janë droga alkooli, prostitucioni. Në këtë ditë të madhe xhumaje kemi rastin t’ju prezantojmë një temë që hyn në grupin e temave aktuale: dëmet që sjell droga. Gjatë kësaj ligjërate do të orvatemi që në mënyrë koncize të shpalosim disa nga dëmet e kësaj dukurie vdekjeprurëse që po rrëmben të rinjtë tanë. Droga është një fenomen i pandashëm i cili ka tronditur mbarë vendet me më perspektivë. Me nocionin “drogë” nënkuptojmë të gjitha substancat që veprojnë në sistemin nervor të qelizave të njeriut dhe tjetërsojnë sjelljen e tij, i hapin rrugë fenomenit të jotolerancës dhe më pas shkaktojnë varësi fizike dhe psikike. Sot në botë, qoftë ajo islame apo joislame, punohet pandërprerë në këtë drejtim, në mënyrë që t’i jepet fund marrjes së të gjitha llojeve të drogave.

Vëllezër besimtarë! Droga është një dukuri jashtëzakonisht e rrezikshme, e cila e shkatërron shëndetin e njeriut pa mëshirë, prandaj prej nesh kërkohet që kësaj dukurie të shëmtuar t’i themi stop dhe njëherë e përgjithmonë ta mbajmë shoqërinë të larguar dhe të distancuar nga të gjitha rrugët që shpijnë deri te porti i saj pa kthim. Shumë vende të botës i japin rëndësi të madhe informimit të duhur e me kohë të popullatës së tyre duke raportuar për veprimin e rrezikshëm të konsumuesve të drogës. Gjithashtu rëndësi të veçantë i kushtojnë edhe gjetjes së ilaçeve shëruese apo metodave për shërimin dhe mjekimin e narkomanëve, në mënyrë që ata t’i shmangen drogës dhe të mos bëhen të varur nga llojet e ndryshme të saj.
Është me rëndësi t’ju tregojmë, të nderuar xhematlinj, se droga apo dëmet që sjell ajo në shumicën e rasteve janë dukuri të vështira për t’u kuptuar dhe si të tilla, nëse nuk marrim masa në fillim të infektimit të pacientit, vështirë është të zgjidhet ky problem dhe njëherazi është e rrezikshme dhe me karakter epidemiologjik, pasi e shkatërron shumë shëndetin e të rinjve tanë kosovarë në kohën më të mirë të jetës së tyre.

Të nderuar vëllezër besimtarë!
Keni menduar ndonjëherë se si do të reagonit nëse një gjë e tillë do të lulëzonte në rrethin ku jeton? Keni menduar ndonjëherë se si do të reagonit nëse një i afërm i juaji- djalë, vëlla, motër apo shok – të ishte konsumues i drogës? Keni menduar ndonjëherë se si do të reagonit nëse ju personalisht do t’ju vinte dëshira për ta provuar një gjë të tillë? Për të gjitha këto dhe pyetje të tjera të cilat tashmë sillen në mendjet e njerëzve, ata duhet ta dinë se nëse sot nuk është prekur dikush nga të afërmit e tyre, atëherë le të presin, se nesër do t’i vijë radha edhe atyre. Po, kështu do të ndodhë nëse të gjithë ne heshtim dhe nuk marrim ndonjë masë parandaluese ndaj këtij fenomeni vdekjeprurës. Nuk ka dyshim se konsumuesit e drogës në fillim ndiejnë një kënaqësi shpirtërore. Në fakt, duke mos gjetur shprehje tjetër për ta përkufizuar, të rinjtë këtë ndjenjë e quajnë si një lloj kënaqësie. Por e vërteta qëndron krejt ndryshe, për arsye se rrugët e këqija nuk posedojnë norma, ato janë të këqija dhe çfarëdo norme që të përdorësh prapëseprapë janë norma për aplikimin e rrugës së keqe. Në vazhdim do të cekim disa simptoma të cilat shfaqen te fëmija apo i riu në rast konsumimi të drogës.

1. Konsumuesi ndryshon sjelljet e tij

Nëse vërejmë se:
-fëmija ka filluar të përdorë fjalor të ndyrë apo në shtëpi kthehet në orët e vona të natës;
-morali i tij dita-ditës vjen duke u prishur;
-nata për të bëhet ditë e dita natë;
-shoqërohet me njerëz të shkujdesur;
-nuk interesohet për pamjen e tij dhe më tutje kërkon para të shumta, atëherë kjo dëshmon se ai tashmë është infektuar nga virusi i drogës.

2. Konsumuesi i drogës nuk respekton prindërit

Studime të shumta kanë vërtetuar se si shkak i mosrespektimit të prindërve është edhe konsumimi i drogës. Fëmija nuk ka mundësi që gjatë kësaj periudhe t’i vërejë dallimet në veten e tij, por familjarët këtë ndryshim mund ta hetojnë që në ditët e para dhe prej tyre kërkohet që menjëherë të ndërhyjnë në spital dhe më pas të punojnë me fëmijën.

3. Guximi i tepruar i konsumuesit të drogës

Konsumuesi i drogës si synim të parë dhe të fundit ka kënaqësinë e tij shpirtërore, respektivisht blerjen e dozës, e cila e dëmton rëndë shëndetin e tij dhe e çon atë buzë greminës. Kjo pikë është nga më të rrezikshmet dhe po qe se nuk jemi të vetëdijshëm, atëherë përdoruesit do të vdesin për arsye se shumica marrin doza të tepërta dhe si rrjedhojë i gjen vdekja.


Dëmet e drogës

Nuk duhet harruar se mëkatet sjellin shumë të këqija si për individin edhe për shoqërinë. Kur them mëkate kam për qëllim mëkatet e mëdha, ngase përdorimi dhe konsumimi i drogës bën pjesë në grupin e mëkateve të mëdha. Droga si fenomen shkatërrues me vete sjell dëme të mëdha dhe fatale:

• Fillimisht ajo njeriun e largon nga dini (feja) e tij. Pra personi që gjendet në këtë rrugë nuk mundet që në të njëjtën kohë edhe të bëjë mirë edhe keq, ngase e keqja dhe e mira nuk mund të bashkohen, veçanërisht kur kemi të bëjmë me dukuri të shëmtuar si droga.

• E nxit atë edhe në mëkate të tjera, siç është vjedhja, amoraliteti, vrasja e njerëzve pa faj.

• Çrregullime të ritmit të zemrës, dhembje kardiake, rritje e shtypjes së gjakut, pamjaftueshmëria respiratore, dhembje koke, dhembje barku, ndjenja e të vjellit, ulja e imunitetit të organizmit, impotencë te meshkujt, sterilitet te femrat.

• Vetëvrasje: Sot në botë nga vetëvrasja vdesin më shumë njerëz sesa nga luftërat, rreth një milion në vit. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, në çdo 40 sekonda diku në botë dikush bën vetëvrasje; në çdo njëzet minuta ndodh nga një vetëvrasje në SHBA; në çdo tre minuta ndodh një vetëvrasje në mesin e femrave në Kinë; në Shqipëri raportohen 1500 vetëvrasje në vit. Të dhënat statistikore nga Shërbimi Policor për vetëvrasjet në Kosovë tregojnë se në vitin 2000 kanë ndodhur 33 vetëvrasje, 59 në vitin 2001, 48 në vitin 2002, 67 në vitin 2003, 63 në vitin 2004, 53 në vitin 2005, 33 në vitin 2006, ndërsa për tetë muajt e pare të vitit 2007 kanë ndodhur gjithsej 33 vetëvrasje.

• Narkomanët janë persona të pasigurt dhe kanë humor jostabil. Ata ndihen mirë vetëm gjatë konsumimit të drogës, ndërsa kur mbeten pa drogë shohim se ata shkaktojnë probleme dhe rrëmujë duke thyer dhe shkatërruar gjëra në shtëpi. Në shumicën e rasteve ata rrahin edhe anëtarët e familjes duke mos qenë në dijeni për veprimet e tyre.

• Droga shkakton dëme të mëdha edhe në aspekte të tjera të jetës së tyre, veçanërisht kur ky fenomen merr përmasa. Pra, përdoruesit dhe konsumuesit e drogës janë njerëz me pasoja psikike dhe si rrjedhojë ata i gjejmë edhe në raste vjedhjeje, prostitucioni, kriminaliteti. Me një fjalë, dëmet që sjell ky fenomen shkatërrues e shkatërrojnë konsumuesin në të gjitha format.

• Varfëri: Konsumuesit e drogës zakonisht përfundojnë në rrugë. Pasi humbin të gjitha shpresat se familja nuk është në gjendje t’i ndihmojë për blerjen e dozës, ata fillojnë të shesin çdo gjë me vlerë vetëm për të fituar ca të holla për blerjen e dozës së tyre; duke vepruar në këtë mënyrë ata shkatërrojnë ekonominë familjare.


Si t’i ndalojmë të rinjtë nga ky fenomen shkatërrues dhe vdekjeprurës?

Të nderuar xhematlinj!
Allahu i Plotfuqishëm në shumë ajete kuranore jo që porosit të largohemi nga droga apo llojet e saj, por na porosit që të qëndrojmë larg çdo rruge të tillë. Duke parë se të droguarit janë jetëshkurtër, pikëllohesh kur sheh se të rinjtë nuk i kthehen rrugës së Allahut, në të cilën do të gjejnë mbështetjen dhe shpresat për të jetuar. Allahu xh.sh. thotë: “…e mos e hidhni veten në rrezik dhe bëni mirë, se me të vërtetë Allahu i do bamirësit.” (El-Bekare (2), ajeti 195)
Pa dyshim se droga është nga fenomenet më të rrezikshme, prandaj gjendja e këtyre të rinjve mund të ndryshojë nga rrënjët vetëm atëherë kur të jemi të qartë dhe të bindur për detyrat tona ndaj fëmijëve dhe duke zbatuar metodat vijuese, të cilat pa mëdyshje i ndihmojnë të rinjtë të largohen nga kjo rrugë e shtrembëruar:

1. T’i vëzhgojmë fëmijët dhe të rinjtë se me kë po shoqërohen, me një fjalë t’i ndalojmë nga shoqëria e keqe.

2. T’u ofrojmë atyre edukatë fetare islame, t’u shpjegojmë moralin dhe ndikimin e tij në shoqëri, t’u mësojmë vlerat dhe dhuntitë që Allahu i Gjithëmëshirshëm na ka dhuruar, e në veçanti mendjen dhe intelektin.

3. Të punojmë me të rinjtë vazhdimisht derisa të arrijnë moshën e pjekurisë, pasi kjo konsiderohet faza dhe periudha më e nxehtë, kur i riu mund të mashtrohet shumë lehtë.

4. Parandalimi i tërësishëm dhe mënyra e vetme për t’u larguar nga dukuritë e shëmtuara është mbështetja tek Allahu xh.sh. dhe respektimi i urdhrave dhe i obligimeve fetare në veçanti. Këtu duhet cekur se masa më efikase në këtë drejtim është pikërisht edukata fetare, sepse i riu i cili edukohet në këtë frymë assesi nuk do të lejojë të bjerë në aso grackash të rrezikshme të cilat rrezikojnë jetën e tij.

5. Edukata familjare: Familja e zgjeruar do të ndihmonte në ruajtjen e rinisë në binarë të drejtë. Shkolla si një vatër e dijes duhet të shfrytëzohet me të gjitha mundësitë për mbrojtjen e rinisë nga dukuritë negative. Pra, të gjithë duhet të jemi kontribuues të ruajtjes së rinisë, pasi ata janë drejtues të së nesërmes.

6. Ndërtimi i programeve arsimore për këtë qëllim dhe prindërit duhet të informohen thellësisht, ta kuptojnë problemin dhe t’ua komunikojnë fëmijëve. Në vendin tonë ende nuk është thyer akulli që raportet prind-fëmijë të jenë ashtu siç porosit Allahu dhe i Dërguari i Tij, Muhamedi alejhi selam, me një fjalë fëmijët nuk ndihen të lirë që problemet e tyre t’i ndajnë me prindërit si rezultat i frikës dhe i mentalitetit naiv dominues të kosovarëve.

7. Nga çdo prind, mësues, edukator, polic kërkohet që t’i kurojë përdoruesit e drogës duke e shikuar problemin në një dritë realiste bashkëkohore.

Në fund, lusim Allahun e Madhërishëm që të na ruajë nga çdo rrugë e keqe dhe të na bëjë prej grupit të mirë të njerëzve, të cilët do të shpërblehen me xhenetet e Tij të larta! Amin!

Mr. Feim Dragusha
20.6.2008

Literatura e konsultuar:

1. KUR’ANI-i Përkthim me komentim në gjuhën shqipe.
2. El-Mektebu Esh-shamile.
3. Etherul Muhadderat fi Ted’huri Esh-Shu’ub.
4. www.said.net Nesaih.
5. El-Muhadderat ve Etheruha Alelferdi velmuxhteme’i.
6. El-Muhadderat vel-akl Ibn Rihal abdul Kadir.
7. Mexhel-let el-xhaamia el-islamijeh bilmedineh el-munewereh, kapitulli: numri 28.
8. Revista “Dituria Islame”, Viti XVIII, nr. 160-161, nëntor – dhjetor 2003.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit