Mesatarja e lindjeve brenda 24 orëve, në Klinikën Gjinekologjike Obstetrike në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, është rreth 35 foshnje bëjnë të ditur zyrtarët shëndetësorë. Gjatë vitit 2016, në këtë klinikë kanë lindur 10,400 foshnje.
Myrvete Paçarada, drejtoreshë e kësaj Klinike, thotë se në nivel të Kosovës ka rënie të natalitetit, por jo edhe në Klinikën Gjinekologjike, meqë ajo është qendër referente për gjithë vendin.
“Vitin e kaluar numri i lindjeve ka qenë 10 mijë e 400 foshnje, që krahasuar me vitin paraprak ka shënuar ngritje. Por, unë mendoj që në kuadër të Kosovë kemi rënie të natalitetit, ndonëse ne nuk kemi të dhëna të sakta”.
“Ndryshe gjatë 24 orëve, lindin rreth 35 foshnje. Në muajt e verës jemi të ngarkuar për shkak të referimit nga gjitha spitalet regjionale në QKUK”, thotë Paçarada.
Por, në bazë të raportit perinatal, që e posedon zyra e Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Kosovë, që lansohet çdo vit nga Ministria e Shëndetësisë dhe Organizatat e Kombeve të Bashkuara, në vitin 2014 është shënuar rënie e natalitetit, e që ka qenë rreth 5 mijë lindje më pak. Po ashtu, edhe më pas, sipas këtyre raporteve për çdo vit janë raportuar nga 500 lindje më pak.
Këto informata i ka bërë të ditura Sami Uka, zyrtar për shëndetin e nënës dhe fëmijës në këtë organizatë.
“Për rënien e natalitetit nuk janë bërë studime, por mund të supozojmë se trendi i uljes së natalitetit prek secilin vend në zhvillim e po e prek edhe Kosovën”, thotë Uka.
Ndryshe, zyrtarë në Ministrinë e Shëndetësisë në Qeverinë në largim të Kosovës, kanë bërë të ditur se Kosova po shënon rënie të natalitetit nga viti në vit.
Sipas tyre të dhënat që posedojnë, përgjatë 15 vjetëve është vërejtur rënie rapide e lindjeve ndërmjet viteve 2001 dhe 2003 për rreth 5,000 lindje më pak. Pastaj rënia sipas tyre ka vazhduar në mënyrë të qëndrueshme./rel