Të martën, në orët e paraditës ka ndodhur një arratisje spektakolare e pesë të burgosurve nga burgu Bois-Mernet, i Lozanës. Në mesin e të arratisurve janë edhe një shtetas nga Kosova dhe një tjetër nga Shqipëria. Shefi i grupit është një serb 45 vjeçar i cili konsiderohet se i përket bandës së njohur ndërkombëtare të krimit “Pink Panther”. Kjo bandë kishte plaçkitur në vitin 2012 stoli dhe orë me vlerë prej 1.3 milion frangash në Lucern.
Ikja ka ndodhur gjatë kohës së shëtitjes së të burgosurve në oborrin e burgut. Albinfo.ch mëson se tre persona nga jashtë janë ngjitur me një shkallë metalike në rrethojat e burgut dhe u kanë hedhur pjesëtarëve të grupit një thes ku kishte mjete si një imitim të revoles, një shishe me lotsjellës dhe një vegël për prerje të metalit.
Me këto mjete pesë të burgosurit kanë kërcënuar të burgosurit tjerë dhe gardianët, duke i neutralizuar këta të fundit. Pasi kanë prerë një pjesë të rrethojës prej teli, ata kanë kapërcyer murin e jashtëm. Vetëm njëri prej tyre nuk ka mundur të ikte pasi që e kanë kapur gardianët.
I gjithë aksioni nuk ka zgjatur më shumë se 5 minuta dhe duket të jetë planifikuar për një kohë të gjatë. Pas alarmit, Policia e Kantonit të Vaudit ka mobilizuar një numër të madh pjesëtarësh të saj të cilët janë vënë në kërkim të të arratisurve. 20 patrulla policore janë vënë në veprim dhe janë bllokuar një numër rrugësh.
Ndërkohë është ngritur kërkim në nivel të Zvicrës dhe ndërkombëtar për kapjen e personave të arratisur, njofton Albinfo.
Pesë personat e ikur kanë qenë të vendosur në një pavion të përbashkët të burgut. Shefi i tyre, një serb 45 vjeçar është një person shumë i njohur për poliicinë pasi që, si pjesëtar i bandës së njohur “Pink Panther” ka kryer një numër të madh deliktesh. Ai, ashtu sikurse edhe dy të tjerë ka qenë në burgun për hetime. Njëri prej tyre, shtetasi shqiptar i moshës 34 vjeçare po mbahej në burg për shkelje të rënda të ligjit për mjetet narkotike.
Një boshnjak 31 dhe një kosovar 22 vjeçar po mbaheshun në burg për grabitje, shkaktim dëmi material dhe prishje të rendit. I pesti është një francez 47 vjeçar, i burgosur për vepra të ndryshme të dhunshme.
Duke pasur parasysh potencialin e rrezikshmërisë që paraqiste, pjesëtari i bandës “Pink Panther” i nënshtrohej masave të veçanta të sigurisë, kanë thënë përgjegjësit e burgut dhe shefja e departamentit të punëve të brendshme, Béatrice Métraux. Para se të vendosej në burgun Bois-Mermet, atij i ishte ndërruar tri herë vendi.
Edhe këtu, atij i ishte ndërruar disa herë qelia. Por, pas ikjes së suksesshme, inspektorët e policiisë do të bëjnë një ekspertizë mbi kushtet e sigurisë që ofgron burgu i vjetër mbi 100 vjet. Duhet thënë se ky burg ashtu si dhe shumë të tjerë, është i mbipopulluar: në hapësirën e planifikuar për 100 të burgosur, vuajnë burgun 168 sish.
Métraux është shprehur “jashtëzakonisht e shqetësuar” me brutalitetin e treguar nga të arratisurit. Sipas saj, nga ky aksion fare lehtë ka mundur të ketë edhe të vdekur dhe të plagosur./koha/kohaislame