Departamenti i Antidrogës në Greqi ka asgjësuar një rrjet ndërkombëtar që trafikonte sasi të mëdha të lëndëve narkotike dhe mbante lidhje në shumë vende të Europës.
Pas një operacioni të forcave të rendit është arrestuar një shtetas shqiptar 40 vjeç, banor i Athinës, i cili konsiderohet kreu i rrjetit dhe që figuronte në listën e të shumëkërkuarve të Greqisë dhe Zvicrës për çështje të trafikimit të drogës.
Gjithashtu prangat u janë vënë edhe dy personave të tjerë, 49 dhe 44 vjeç, i pari shtetas grek, prodhues vere në Korinthia dhe i dyti qipriot, pronar i një parkingu kamionësh.
Në kërkim është shpallur edhe një shtetas shqiptar 24 vjeç, banor i së njëjtës prefekturë. Për arsye hetimi ende nuk janë bërë publikë emrat e tyre.
Policia greke ka sekuestruar një sasi prej 142 kg kanabis sativa, gjysma e të cilës do të çohej në Itali dhe pjesa tjetër në Qipro, dy automatikë të tipit kallashnikov me katër karikatorë dhe 192 fishekë, tre pistoleta, dy armë gjuetie, 140 fishekë të kalibrave të ndryshëm, katër makina, rreth 4000 euro dhe 11 telefona celularë.
Nga hetimet është konkluduar se rrjeti pasi merrte lëndët narkotike i sistemonte ato në qese të paketimit të pijeve dhe më pas i trafikonte nëpërmjet kamionëve të huaj në vendet e Europës.
Sipas organeve greke të rendit, rol të rëndësishëm në zbulimin e veprimtarisë së paligjshme të këtij rrjeti ka dhënë përgjimi i telefonave nga Shërbimi Kombëtar i Informacionit.kohaislame