Pengohet ekstradimi i Ballist Morinës, pasi Gjykata e Lartë e Zagrebit ka vendosur ta kthejë çështjen mbrapsht në Gjykatën e Shkallës së Parë.
Shtetasi i Shqipërisë, Ismajl Morina i njohur në opinion me nofkën “Ballisti”, për të cilin Serbia ka kërkuar ekstradimin nga Kroacia, për shkak të dronit me flamur në ndeshjen e futbollit ndërmjet Serbisë dhe Shqipërisë në Beograd në vitin 2014, përveç ankesës së dorëzuar në Gjykatën Supreme të Kroacisë, ka kërkuar azil politik në këtë vend. Azilin politik, Morina e ka kërkuar për shkak të frikës që në rast të ekstradimit në Serbi, nuk do të kishte gjykim të drejtë. Lidhur me këtë rast, në Kroaci flitet vetëm në rrafshin e gjyqësorit dhe jo në atë politik.
Darko Butigan, avokat nga Dubrovniku, i cili e përfaqëson shtetasin e Shqipërisë, Ismajl Morina, duke folur për Radion Evropa e Lirë disa ditë më parë, ka sqaruar se mbi çka bazohet ankesa në Gjykatën Supreme të Kroacisë lidhur me vendimin e Gjykatës së Qarkut të Dubrovnikut për ekstradimin e Morinës në Serbi. Sipas tij, Morina nuk ka bërë vepër penale, për të cilën ngarkohet.
“Republika e Serbisë kërkon ekstradimin e Ismail Morinës për veprën penale nga neni 317, alineja 3 , i Ligjit Penal, për vepër penale të nxitjes urrejtjes nacionale, racore dhe fetare, si dhe mostolerancës. Gjatë gjithë procedurës, ne themi se flamuri i caktuar i cili ka rënë mbi atë stadium nuk përmban kurrfarë elementesh të thirrjes për urrejtje nacionale, racore ose çfarëdo urrejtje tjetër ndërmjet popujve”, tha avokati Butigan.
Ai gjithashtu ka sqaruar se bëhet fjalë për flamurin me fotografitë e dy baballarëve të kombit shqiptar – Isa Boletinit dhe Ismail Qemalit – të cilët në konferencën e Londrës në vitin 1913, kanë kërkuar që Shqipëria të jetë në kufijtë, të cilët kanë figuruar në atë flamur.
“Kjo është e gjitha për të cilën flet ai flamur. Ndërkaq, pas ndeshjes në Serbi, nuk ka pasur kurrfarë përshkallëzimi të dhunës ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve,dhe me këtë nuk është nxitur kurrfarë urrejtje nacionale ndërmjet popujve. Incidenti i cili ka ndodhur në ndeshje, në tërësi bie mbi përgjegjësinë e Policisë, gjegjësisht mbi organizatorin e vet ndeshjes. Është përgjegjësi e tyre që tifozët kanë depërtuar në fushën e futbollit, aty ku nuk e kanë vendin”, tha Butigan.
Ai ka thënë se në ankesë është vënë në dukje që Morinës në Serbi do t’i rrezikohej e drejta për gjykim të drejtë. Ankesa, sipas tij është krejtësisht e bazuar në fakte konkrete, të cilat tash për tash nuk do t’i bëj publike, përderisa procedurat janë në zhvillim e sipër.
Avokati Butigan ka theksuar që si mundësi e mbrojtjes shtesë për të mos u ekstraduar në Serbi, Morina ka kërkuar azil në Kroaci, me shpjegimin që për shkak të përkatësisë etnike dhe fetare, në Serbi nuk do të kishte gjykim të drejtë. Procedura për miratimin e mbrojtjes ndërkombëtare në Kroaci zgjatë 6 deri në 10 muaj.
Në rast se Gjykata Supreme e Kroacisë, refuzon ankesën e tyre, Butigan ka theksuar se do të ankohet edhe më tej.
“Absolutisht, do të shkojmë tutje në Gjykatën Kushtetuese e madje, nëse do të jetë e nevojshme, deri në Strasburg, sepse bëhet fjalë për shkelje të të drejtave themelore dhe lirisë së njeriut”, tha Butigan.
Në Gjykatën Supreme të Republikës së Kroacisë ende nuk e kanë pranuar rastin. Siç është konfirmuar zyrtarisht, gjykata do të vendosë me procedurë urgjente, por që edhe kjo do të zgjasë. Buitigan vlerëson se kjo mund të zgjasë deri në 2 muaj.
Avokati Branko Sheriq, nga Zagrebi, thotë për Radion Evropa e Lirë se vendimi i mundshëm i Gjykatës Supreme, me të cilën konfirmohet ekstradimi, bëhet i plotfuqishëm në momentin kur edhe merret ai vendim. Por, sipas tij, është e mundur që Gjykata Supreme të anulojë vendimin për ekstradim nga gjykata më e ulët dhe rastin ta kthejë më Dubrovnik për një vendim të sërishëm. Në rast se përsëri vendimi do të jetë për ekstradim, hapi i ardhshëm i avokatit të Morinës, do të ishte Gjykata Kushtetuese.
“Pas kësaj, personi që kërkohet për ekstradim, në qoftë se nuk është në procedurën e kontrollit për azil, mund të paraqesë padi në Gjykatën Kushtetuese, në rast se vërtetë ekziston dyshimi i arsyeshëm për cenimin e të drejtave themelore të njeriut të atij personi. Siç e dimë, procedura është e gjatë. Megjithatë, ekziston mundësia që nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kroacisë të kërkohet e ashtuquajtura masa e përkohshme, vendim i cili do ta pezullojë kryerjen e vendimit të plotfuqishëm për ekstradim, deri në momentin që Gjykata Kushtetuese nuk e zgjidh çështjen”, theksoi avokati Sheriq.
Morina, i cili është arrestuar në muajin qershor në Dubrovnik, derisa po udhëtonte drejt Italisë, po qëndron në burgun e atjeshëm deri në një vendim të ardhshëm. Avokati Butigan ka theksuar se është në kontakt të rregullt me të. Sipas tij, Morina po trajtohet sikurse të gjithë personat tjerë të paraburgosur.