-3.2 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Nusja e cila donte të ishte vetvetja…

Më të lexuarat

Njerëzve mund t’u jem dukur e çuditshme, por unë isha vetvetja…

Shkova në dasmën time e veshur me fustanin e roztë të gjyshes. Nuk bëra as makijazh, e nuk vura as stoli. Shumë njerëz më pyetën se pse e bëra një gjë të tillë. Më poshtë do t’ju shpjegoj arsyet e mia…

Më ngjallte shqetësim ai imazh uniform që shoqëria jonë ka krijuar për nusen. Një makiazh i rënduar, fustan i shtrenjtë, e shumë stoli të vëna gjithandej në trup. Është e trishtë kur mendon se si ky imazh kaq luksoz nuk përkon thuajse aspak me gjendjen financiare, apo me statusin e gruas në familje.

E gjithë kjo shfaqje, ndonjëherë bëhet edhe pa dëshirën e vetë nuses. Duket sikur vetë ne si shoqëri kemi vendosur që nëse na duhet të shpenzojmë për gratë, atëherë e bëjmë këtë shpenzim kundër vullnetit të tyre, apo për një arsye që s’u sjell atyre asnjë dobi.

Nuk mbaj mend të kem qenë ndonjëherë në ndonjë dasmë, ku s’pyetej për gjëra të tilla, si: “A është e bukur nusja?”, “Sa ar ka vënë në trup?”, “Sa e ka blerë fustanin?”
Teksa rritet me këtë mendësi, nusja ndihet e shtrënguar që të shkojë te grimieri më i mirë i qytetit, të harxhojë kohë, energji e para’ pa fund, vetëm e vetëm për të marrë një pamje, me të cilën nuk do ta njohë më veten.

Asaj ia kanë mësuar gratë e familjes, shoqet dhe krejt shoqëria, se nusja s’është “e plotë” nëse nuk ka stoli, e se ajo e familja e saj nuk do të përfliten për mirë në shoqëri nëse nuk bëjnë dasmë të madhe. Asaj i kanë thënë se të jesh nuse “e denjë”, duhet të kesh fustan të shtrenjtë, e mundësisht t’i ndërrosh disa prej tyre. Janë fustane që në të shumtën e rasteve përdoren vetëm për atë ditë dhe më pas mbyllen përfundimisht në dollap. Por

shoqërisë nuk i intereson kjo. Për të ka rëndësi vetëm shfaqja e asaj dite!
Mos më keqkuptoni! Nëse vetë vajza ka dëshirë të bëjë makijazh, të vendosë stoli a të veshë fustane të shtrenjta, kjo s’ka asgjë të keqe. Problemi është kur të tjerët e detyrojnë atë t’i bëjë të gjitha këto gjëra, kur të tjerët e detyrojnë të bëhet kukull e të marrë pamjen e një njeriu tjetër.

Mendoj se ky është problemi i vërtetë, për shkak se nëpërmjet një shndërrimi të tillë jepet mesazhi se pamja aktuale e vajzës nuk është mjaftueshëm e denjë për dasmën e saj.
Personalisht mendoj se ne duhet ta ndryshojmë këtë lloj mendësie. S’ka pse të jetë e nevojshme që nusja të ketë patjetër gjëra të shtrenjta, për t’u pranuar si e denjë apo për të përçuar vetëbesim te të tjerët.

Me këto mendime në kokë, zgjodha të veproja ndryshe. Shkova në dasmën time e veshur ashtu siç doja vetë. Njerëzve mund t’u jem dukur e çuditshme, por unë isha vetvetja.
Pasi e mora këtë vendim, më erdhën një lumë fjalësh nga të gjitha anët. Madje, disa familjarë më thanë se as nuk do të bënin fotografi me mua, sepse nuk isha veshur siç vishen nuset.

Por familjarët e mi më të afërm më mbështetën dhe më dhanë forcë që të vazhdoja më tej me planin tim. Një mbështetje të pakushtëzuar pata nga njeriu që kam në krah. Ai jo vetëm që më përkrahu, por edhe u ndje krenar e më përgëzoi për guximin që kisha për të dalë kundër stereotipeve. – Tesnima ©HijabIsMyPrideAlbania   /MESAZHI/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit