Shumë shpejt mund të vdesin 260 mijë njerëz në vit para kohe, për shkak të ndotjes së ajrit dhe ndryshimeve drastike klimatike që paralajmërohen deri në vitin 2100, thotë studimi i ri shkencor.
“Vrasësi klimatik” do të godasë në të gjitha rajonet e botës, por përjashtim do të jetë vetëm Afrika. Autorët e studimit thonë se hulumtimi i tyre është i bazuar në faktet gjithëpërfshirëse, si kualiteti i rrezatimit dhe statistikat për vdekjet e parakohshme, transmeton Telegrafi.
Kështu, shkencëtarët nga Universiteti North Carolina (UNC), kanë thënë:
– Temperaturat më të larta do të përshpejtojnë reaksionet kimike që gjenerojnë ajër të ndotur;
– Vende që janë më të thata do të ndoten më shumë, sepse do të ketë më pak të reshura aty;
– Mungesa e shiut do të shtojë rrezikun për zjarr dhe pluhur në ajër;
– Pemët reagojnë ndaj temperaturave të larta, kështu që do të lëshojnë më shumë ndotës;
– Me rritje të ndotjes së ajrit vijnë rreziqet tjera të ndryshimit të klimës dhe vdekjet e parakohshme: stresi i ngrohjes, mungesa e ujit të pastër dhe e ushqimit, prania e stuhive të forta dhe përhapja e sëmundjeve infektive.
Jason West i cili udhëhoqi hulumtimin në UNC ka përdorur disa modele të klimës globale për të përcaktuar numrin potencial të vdekjeve të parakohshme. Për çdo model janë projektuar nivelet e ndotjes së ajrit që mund të ndodhin nga ndryshimet klimatike. Atëherë, këto ndryshime janë vënë në hartën e botës duke llogaritur rritjen e popullsisë dhe ndjeshmërinë e mundshme ndaj ndotjes së ajrit.
“Meqë ndryshimi i klimës po ndikon në përqendrimin e ndotësve në ajër, ajo mund të ketë ndikim të keq në shëndetin në mbarë botën dhe në numrin e vdekjeve të parakohshme”, ka thënë West.
Pesë nga tetë modelet që janë aplikuar kanë treguar se numri i vdekjeve të parakohshme do të rritet deri në 60 mijë në vitin 2030, e deri në vitin 2100 do të vdesin 260 mijë në vit njerëz për shkak të ndotjes së ajrit. /Telegrafi/