4.7 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Kosovës i mungojnë elitat politike

Më të lexuarat

Kosova ka edhe një problem shtesë – mungesën e elitave politike. Kështu kishte deklaruar Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi.

Njohësit e rrjedhave politike, vlerësojnë për Telegrafin se brenda lidershipit në Kosovë ka mungesë të elitave politike. Sipas tyre, kjo është pasojë e mungesës së kulturës politike e cila po manifestohet përditë në zhvillimet shoqërore dhe politike.

Socilogu Shemsi Krasniqi thekson se në diskursin publik në Kosovë, për t’i emërtuar politikanët, shpeshherë përdoret termi “klasë politike”, “kastë politike” dhe ”elitë politike”. Sipas tij, e vërteta është se asnjë prej këtyre termave nuk është adekuat për t’i përcaktuar politikanët e Kosovës.

“Secili prej këtyre termave nënkupton një traditë të konsoliduar dhe një strategji reprodukuese për të qenë klasë, kastë apo elitë. Politikanët e Kosovës janë me deficit sa i përket traditës familjare në politikë. Dhe, ndoshta vetëm një pjesë e vogël e tyre janë vazhdues të ndonjë tradite familjare të të bërit politikë ose diplomaci. Nuk them se nuk kanë traditë të trimërisë ose të patriotizmit, por për të qenë elite politike, duhet pedigre, traditë, shkollim dhe një frymë familjare”, tha ai për Telegrafin.

Sipas tij, ndjenja e disave se gjithçka fillon me ta, prodhon ndjenjën se gjithçka edhe përfundon me ta, duke shtuar se mungesa e traditës politike reflektohet në mungesën e vizionit, durimit, komunikimit, pranimit dhe respektimit të tjerët.

“Hovi për ta përmbushur boshllëkun mund të rezultojë me mbushje jo të duhur. Në fakt, me zbrazje morale”, ka deklaruar Krasniqi.

Ndërsa, analisti Belul Beqaj ka theksuar se sikur të ishin në kuptimin e mirëfilltë të fjalës elitat politike, atëherë – sipas tij – fuqia e tyre politike do të shihej në bazë të argumenteve që i përdorin.

“Meqë argumentet që kanë qarkulluar pas luftës janë barazuar më shumë në fuqinë e pushtetit, atëherë mund të konkludohet se elita të mirëfillta politike nuk ka” , shprehet ai për Telegrafin.

Sipas tij, pasojat e mungesës së elitave politike reflektohen në mungesën e kompetencës politike.

“Të gjithë merren me politikë, por të gjithë nuk janë politikisht kompetentë. Kjo është njësoj sikur unë, si doktor i shkencës politike, të jap receta mjekësore, ndërsa mjeku të bëjë analiza politike”, tha Beqaj.

Politologu Adem Beha vlerëson se elitat intelektuale dhe elitat politike në Kosovë nuk kanë qenë të ndara, meqë “nuk ka pasur ndarje të elitës intelektuale dhe të elitës politike”.

“Njerëzit që kanë qenë pjesë e taborit intelektual, kanë bërë pjesë në grupin e elitës intelektuale, duke përfaqësuar njëkohësisht edhe një ide politike. P.sh.: njerëzit që kanë bërë pjesë në lidhjen e shkrimtarëve ose njerëzit që e kanë udhëhequr universitetin, ata nuk kanë qenë apolitik siç mund të jetë një profesor i Universitetit të Cambridget ose Oxfordit, që është totalisht i painteresuar rreth fenomenit politikë – jashtë sallës ose laboratorit ku punon”, ka theksuar ai për Telegrafin.

Sipas tij, në Kosovë nuk ka ekzistuar mundësia që njerëzit që kanë qenë jashtë taborit intelektual të udhëheqin politikën. Ai shton se duhet të rikonceptohet mentaliteti kosovar që të drejtën për të udhëhequr vendin duhet ta kenë vetëm personat akademik.

“Tash ka nevojë për njerëz të cilët e dinë si krijohet buxheti; për njerëz të cilët e dinë si shkruhet një projekt; dhe, si të merren fonde nga BE-ja. Kjo nuk bëhet me poezi, prozë e novela. Kosovës i duhen njerëz pragmatik , me integritet dhe që janë llogaridhënës”, thekson Beha.kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit