2.2 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Nga Ferdi KAMBERI: Mbi religjiozen dhe sekularen

Më të lexuarat

Religjioni sot konsiderohet si komponentë e rëndësishme dhe e veçantë e njeriut. Me kalimin e kohës, kjo komponentë atij iu është paraqitur në një dykuptimësi: e para, si një përjetim emocional, spiritual, kongitiv dhe behejvorist me një lidhje të drejtpërdrejtë me një Fuqi Absolute e cila për secilin konfesion fetar ka një domethënie të veçantë, por edhe si pjesë e identitetit, UNIT. E dyta, shpeshherë ka krijuar një qasje kontraverse në shoqëri, duke bërë kështu që të ngritë pyetje se religjioni a shihet si diçka individuale dhe mbi të gjitha si diçka private jo imponuese apo jo. Duke i ikur përkufizimeve shkollore, religjioni në fakt konsiderohet si një lidhshmëri e individit, me Fuqinë Absolute e cila pasqyron një opus të gjerë vlerash për të. Si i tillë, që nga themelimi i tij e deri në ditët e sotme, religjioni është riorganizuar disa herë. Sot, sociologë dhe studiues të religjionit theksojnë se religjioni ka kaluar nga sfera publike në atë private dhe në disa shtete ka një ndarje të fesë zyrtare nga ajo jo zyrtare siç është rasti me SHBA-të.

Feja zyrtare konsiderohet si feja e cila është e organizuar dhe institucionalist ackeptohet si legjitime (zyrtare) dhe të cilën e përbëjnë organizata zyrtare fetare ose bashkësi të ndryshme fetare. Kurse, feja jo zyrtare ka të bëjë më shumë me shpërfaqjen e sektarizmit dhe kulteve fetare të cilat po ashtu kanë një rigjallërim në perëndim. Andaj, edhe pse religjioni sot mund të konsiderohet si pjesë e identitetit të njeriut, ai ka disa funksione, si: funksioni i kontrollit social që për Dyrkemin siguron kohezionin social dhe kontrollin social për të ruajtur shoqërinë në solidaritetin shoqëror. Funksione të tjera po ashtu të rëndësishme janë edhe: funksioni i integrimit shoqëror, funksioni i mobilizimit social, si dhe funksione të tjera, të cilat kanë një rëndësi të veçantë për komunitetin.

Religjionet sot ndahen në kategori të ndryshme dhe lloje të ndryshme, gjithashtu kanë një ndikim të lartë në shoqëri, pavarësisht asaj se domeni i tyre ka kaluar nga një sfera publike në atë private dhe për këtë me siguri që kanë ndikuar një sërë faktorësh në mesin e tyre edhe vetë sekularizmi. Sekularizmi përbënë thelbin e humbjes së hierarkisë së dikurshme të religjionit e cila ndodhi menjëherë pas dy revolucioneve atij amerikan dhe atij francez. Sekularizmi konsiderohet si transferim ose thjeshtë kalimi i një kulture (religjioze) prej një fokusi të vlerave fetare ndaj qëndrimeve ose vlerave jo fetare. Në këtë proces, figurat fetare (karizmatike) humbasin autoritetin dhe ndikimin e tyre mbi shoqërinë. Në opusin sociologjik, ekzistojnë teori të ndryshme të cilat flasin për sekularizmin si proces dhe si nevojë. Përderisa, ky proces është parë si proces i cili ka një shkëputje/divorc ndërmjet fesë dhe shtetit dhe anasjelltas. Në anën tjetër, ky proces është parë edhe si nevojë e shpërfaqjes së lirisë së besimit dhe zgjedhjes për të qenë (a) fetar, e cila i kishte munguar njeriut në mesjetën e inkuzicionit. Në këto suaza, mund të aludojmë se sekularizmi është procesi i cili ka ndikuar që në një ose tjetrën mënyrë ndikimi i religjionit të zbehet dhe të kalon nga sfera publike në atë private dhe se njeriu të ketë më tepër liri të zgjedhjes së besimit!

Raporti në mes të religjionit dhe sekulares në kontekstin shqiptar

Sot jo vetëm në territoret shqiptare, por në përgjithësi në mbarë globin ekziston një diskurs i zhvilluar në mes të botës akademike dhe publikut të gjerë mbi raportin në mes të religjionit si komponentë e fortë e njeriut dhe sekulares e cila njëherit religjionin e ka postuar si çështje private të njeriut. Së fundi, kemi qenë dëshmitarë të asaj që në mediat nacionale, por edhe në ato sociale, shpeshherë është diskutuar kjo temë tek shqiptarët. Në pjesën më të madhe të shfaqjes janë paraqitur tabore të ndryshme të cilat jo vetëm që kanë shkaktuar konfuzion psikologjik tek opinioni publik, por edhe irritim me komente dhe fyerje në mes të shoqërisë, duke bërë kështu që të ngritën edhe shumë hipoteza Se A jemi vërtetë tolerantë ndaj konfesioneve fetare dhe Si e kuptojmë raportin e religjiozes me sekularen?! Hipoteza të cilat në të shumtën e rasteve kanë mbetur vetëm në nivel abstrakt, pa përgjigje konkrete. Andaj, mbi bazën e shfaqjes së diskurseve të tilla, herë herë të instrumentalizuara nga politika aktuale, mund të vijmë në përfundim se ka pasur disa faktorë pse ka ndodhë ky keqkuptim i diskurseve sociale mbi religjionin dhe sekularën tek ne, si:

  • Së pari, mungesa e informacioneve adekuate mbi religjionin si proces, si pjesë e identitetit të njeriut dhe informacionit mbi sekularizmin si proces,
  • Së dyti, paqartësia dhe humbje histerike mbi fenomenologjinë e religjionit në kontekstin shqiptar,
  • Së treti, shpërfaqja e sektarizmit dhe lëvizjeve me ideologji fetare të cilat tek shqiptarët kanë qenë latente ose të panjohura deri më tani,
  • Së katërti, mungesa e një pjekurie dhe kulture të komunikimit në diskurse të tilla publike,
  • Së pesti, ndikimi i propagandës mediatike, duke i dhënë herë një religjioni e herë një tjetri kolorit negativ,
  • Së gjashti, tendencat egocentrike të njerëzve për të rënë në qendër të vëmendjes, duke menduar që përmes poenëve të tilla do të mund të marrin një vëmendje sociale më të madhe, të cilët janë pluhurosur si harresë kolektive nga publiku,
  • Së shtati, ndryshimet globale, lufta kundër terrorizmit ndërkombëtar, sidomos nën petkun e religjionit dhe ndryshimet e reja gjeopolitike,
  • Së teti, mungesa e pozitës së qartë të bashkësive fetare në Kosovë dhe mungesa e një transparence sidomos financiare nga ana e tyre,
  • Së nënti, mungesa e një qendre teologjike në kuptimin e studimit të religjioneve botërore, të cilat do të prodhonin ekspertë adekuatë për këtë fushë dhe mungesa e një katedre sociologjike të posaçme mbi studimet religjioze në këndin shkencor.
  • Së dhjeti, zhvendosja e vëmendjes nga problemet e ndryshme shoqërore të cilat janë një kancer i shoqërisë shqiptare dhe instrumentalizimi i çështjes fetare për qëllime tjera, private, politike, ekonomike, kulturore, e kështu me radhë.

Ndërsa, si rezultat i këtyre faktorëve dhe tendencave të tilla për t’i dhënë konotacione negative diskurseve në fjalë, mund të themi se janë krijuar tri kategori shoqërore: a) pjesa e shoqërisë e cila religjionin e sheh si pjesë të vlerave, atributeve, idealeve, kulturës, traditës, së bartur brez pas brezi deri më sot, që kryesisht janë besimtarë të devotshëm të praktikimit religjioz, b) një pjesë e shoqërisë e cila ka qenë dhe është e indoktrinuar nga ideologjitë radikale (tekfiriste) të cilat po ashtu kanë qenë frymëzim për pjesëmarrjen e shqiptarëve në luftërat e Sirisë dhe Irakut dhe c) një pjesë tjetër e shoqërisë e cila në përbërjen e saj ka njerëz të cilët në një ose tjetrën mënyrën religjionin, në veçanti islamin e shohin si kërcënim ndaj vlerave identitare shqiptare dhe perëndimore, si dhe të cilët religjionin e shohin në prizmin e një neuroze dhe psikoze.

A mund të bashkëjeton sekularja me religjionin

Në rastin e Kosovës, Kushtetuta e saj në nenin 8, e përcakton Kosovën si shtet laik dhe neutral sa i përket çështjes së besimit, megjithëse me të gjitha aktet më të larta ndërkombëtare dhe vendore promovohet liria e besimit, shpërfaqjes dhe praktikimit të besimit fetar. Shpeshherë sekularja është parë si koncept i cili i atribuon çështjeve si jo fetaria, agnosticizmi apo ateizmi, gjë që ka qenë koncept i gabuar ose ka dalë nga konteksti. Në fakt, sekularja në konceptin e demokracisë moderne mund të jetë fuqizim i religjionit, përkatësisht lirisë së manifestimit fetar. Një gjë e tillë mund të jetë në kuadër të bashkëpunimit ndërmjet shtetit dhe organizatave fetare zyrtare, për të cilat shteti merr përsipër që t’i kryen obligimet të cilat i takojnë.

Në anën tjetër, organizatat fetare zyrtare kanë një raport mbi financat e tyre, si dhe ekziston një qasje më e lehtë e kontrollit nga ana e shtetit ndaj organizatave fetare, e cila aktualisht mungon. Sekularja po ashtu mund të bashkëjeton me religjionin, sepse nuk ia privon njeriut lirinë e besimit dhe të ndërgjegjes, thjeshtë sekularja ndikon që njerëzit shpeshherë t’i analizojnë gjërat më mirë dhe të përcaktohen apo jo për një konfesion të caktuar fetar, nga vullneti dhe bindja dhe jo nga presioni. Tek e fundit secili besim konsiderohet individual dhe jo imponues, njeriu ka të drejtën të zgjedhë apo jo besimin e tij. Për këtë qëllim një nga kriteret e sekularizmit qysh herët ka qenë që njeriu të lirohet nga dogmat fetare dhe të ketë lirinë e përcaktimit të tij.

Si përfundim i këtij refleksioni, mund të themi se akoma jemi në fazën embrionale të diskurseve të cilat zhvillohen për religjionin dhe raportin e saj me sekularen. Rastet të cilat i përmendëm shpërfaqin qasje jo tolerante ndaj besimeve fetare, gjuhë të urrejtjes dhe gjuhë denigruese për figura kombëtare dhe fetare, pastaj fyerje ndaj moshave, gjinive, racave dhe etnive të ndryshme, sidomos në rrjetet sociale dhe mbi të gjitha një dozë të fobisë ndaj islamit si religjion madhor në Kosovë. Si shoqëri në tranzicion, kemi nevojë për diskurse jo vetëm religjioze, por edhe diskurse të tjera të cilat janë ende tabu, për shkak se shoqëria është dinamike dhe se procesi i globalizmit ka bërë që të ketë hiper – aktivitete më të mëdha se sa dikur. Pra, me fjalë të tjera, është e domosdoshme që të ketë diskurse të tilla, me akterë të ndryshëm të cilët janë logjikë dhe kanë mendime të racionalizuara pa fyer besimet e të tjerëve. /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit