-0.4 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Shkrim retro/ Pse Stalini i quajti shqiparët populli besnik si qentë?

Më të lexuarat

Nga Shevki Sh. Voca

Në jetën dhe fatin e shumë popujve, e veçanërisht të popujve të vegjël, diplomacia e fshehtë dhe interesat e sferës kanë qenë dhe kanë mbet një ankth i rëndë. Këtij fati nuk pati mundësi ti ik as populli shqiptarë. Gjatë tërë shekullit XIX dhe XX ne mund të shohim se si në mesin e disa shteteve të Ballkanit të cilët ekonomikisht ishin të prapambetura, duke iu falënderuar dobësive të brendshme dhe regjimeve të tyre , ata i shërbenin herë njërës fuqi të madhe e herë tjetrës. Në këtë mënyrë Ballkani pa meritën e popujve të saj u quajt “fuçi baruti”. Duke u gjendur në një pozitë të mrekullueshme strategjike si dhe me një rëndësi, peshë dhe rol të madh të cilën kishin mundësi ta luajnë gjatë historisë, popujt e Ballkanit u bënë pre (plaçkë) e fuqive të mëdha, interesat e të cilëve gërshetoheshin aty. Mirëpo formimi i Jugosllavisë së re pas Luftës Dytë Botërore 1945, të cilën e udhëhoqi Josip Broz Tito (1892-1980) deri në vdekje, një kryemjeshtër (lexo mason – Sh. V.) dhe dinak i diplomacisë dhe i politikës ballkanike, evropiane e më vonë edhe të asaj botërore , i cili sëpatën e vete siç dëshmuan edhe zhvillimet e më vonshme të ngjarjeve politike e kishte përgatitë dhe mprehë për ta përdorur në dëm të popullit shqiptar, kinse kishte pa të arsyeshme që një politike të tillë ti jepej fund njëherë e përgjithmonë. Ai u bë propagandues i madh i idesë së zhvillimit dhe forcimit të vëllazërimit të popujve të Ballkanit, me synime dhe aspirata që këta gjithsesi ta marrin fatin e tyre në duart e veta. Por kjo politik e diplomacisë Titoiste siç u pa edhe pak vite pas Luftës dytë Botërore nuk piu ujë sepse vija politike të cilën ai filloi ta ndoq në asnjë mënyrë nuk i përgjigjej planeve të politikës së Stalinit- udhëheqësit të shtetit Rus djepit të regjimit komunist, i cili me çdo kusht (në popull thuhet o me hatër o me zor) mundohej që shtetet e bllokut komunist të Evropës Juglindore ti mbajë nën kthetrat e veta.

Jugosllavia avnoiste e Titos me njëherë në vitet e para të pas luftës bëri një varg marrëveshjesh të ndërsjellta ekonomike dhe miqësore me fqinjët e saja si dhe me shtete tjera të Evropës juglindore. Në këtë drejtim marrëveshja e parë u miratua më 18 mars 1946, me shtetin e Polonisë në Varshavë; në Beograd u miratuan dy marrëveshje, e para me 9 maj 1946, me Çekosllovakinë dhe e dyta me 9 korrik 1946, me Shqipërinë; më 27 nëntor 1947, në Evsonograd me Bullgarinë dhe më 19 dhjetor 1947, në Bukuresht me Rumaninë. Të gjitha këto marrëveshje kishin përmbajtje të ngjashme. S’do mend se qëllimi i këtyre marrëveshjeve ishte forcimi dhe arritja sa më e thellë e një bashkëpunimi miqësorë mes tyre. Me këtë marrëveshje palët e kontraktuara ishin të obliguara që në çdo rast eventual ti dalin njëra tjetrës në ndihmë me të gjitha mjetet që i kanë në dispozicion, qofshin ato ekonomike apo ushtarake, në rast se ndonjëra prej këtyre palëve do të futej në ndonjë aventurë luftarake.

Në këtë drejtim duhet theksuar se Jugosllavia për dallim me shtet tjera fqinje të regjimit të njëjtë, ajo më së shumti i orientoi forcat e veta që të ketë një bashkëpunim të mirëfilltë me Shqipërinë. Kështu shteti më i madh i Ballkanit-Jugosllavia, në një mënyrë apo tjetër tentonte që duke e joshur Shqipërinë, shtetin më të vogël në Ballkan, me ndihma të shumta ekonomike që ia bënte për ta vënë atë atë nën kontrollin e vet. Pasi që marrëdhëniet ekonomike janë një lloj kandari për qëllimet e një vendi ndaj vendit tjetër, ne këtu do të bëjmë pak fjalë për lidhjet ekonomike mes Jugosllavisë dhe Shqipërisë.

Jugosllavia dhe Shqipëria, me kërkesën e kësaj të dytës themeluan shoqata të përziera në Shqipëri. Kështu në Shqipëri u themelua shoqata për ngritjen e hekurudhave, sepse sipas disa njohësve të rrethanave shoqëroro-politike të kohës, deri atëherë në Shqipëri as që ekzistonin hekurudhat (ndoshta ka qenë propagandë- Sh. V.); madje nga Jugosllavia atje u bartën edhe disa fabrika. Përmes shoqatave të përziera në Shqipëri u ndërtua hekurudha Durrës-Peqin, 43 kilometra, dhe u përmbaruan përgatitjet për ndërtimin e hekurudhës Durrës-Tiranë. Nga Jugosllavia në Korçë u dërguan pajisjet për fabrikën e sheqerit, në Elbasan për fabrikën e përpunimit të pemëve dhe perimeve, fabrika për konservimin e peshqve u vendos në Vlorë, në Tiranë u ndërtua një shtypshkronjë moderne dhe u dërguan pajisjet për centralin e telefonisë automatike, si dhe makina për një fabrikë të tekstilit. Jugosllavia i ofroi Shqipërisë edhe ndihma teknike. Në këtë mënyrë në Shqipëri u dërguan 597 ekspertë jugosllavë, mes tyre 43 inxhinierë . Ndërsa Shqipëria kërkonte edhe ndihma me ekspertë ushtarakë. Këto Jugosllavia i bëri brenda dy viteve, kur pothuajse edhe vetë gjendej në një vështirësi mjaft të madhe ekonomike.

Këto zhvillime të marrëdhënieve Jugosllavi-Shqipëri, Moska i përcillte me syhaptësi të madhe. Nuk kishte takim që Stalini nuk ua theksonte përfaqësuesve jugosllav edhe çështjen e Shqipërisë. Përshembull, në një takim të vitit 1947,zyrtari i lartë politik i Jugosllavisë, Eduard Kardeli u takua në Moskë me Stalinin, i cili nuk la kohë por menjëherë mysafirin e tij filloi ta bombardojë me pyetje të ndryshme, pyetje këto që ekskluzivisht kishin të bëjnë me marrëdhëniet Jugosllavi-Shqipëri.

Më poshtë do paraqesim një pjesë të atyre bisedave mes dy palëve:

-Stalini: Si ju shkojnë punët me Shqipërinë? Enver Hoxha po ankohej rreth këshilltarëve të juaj politik në armatën e tyre, kinse ju po ua dobësoni disiplinën, apo çfarë është puna?

-Kardeli: Kjo për ne është diçka e re. Neve në lidhje me këtë nuk na kanë thënë asgjë.

-Stalini: Çfarë prejardhje kanë shqiptarët?

-Kardeli: Ata janë pasardhës të Ilirëve.

-Stalini: Më kujtohet kur Titoja më fliste se ata (lexo shqiptarët-Sh. V.)janë shumë të ngjashëm me Baskët.

-Kardeli: Po, ajo është e vërtetë.

-Stalini: Si duket ai popull është mjaft i prapambetur dhe primitiv.

-Ndërhynë ambasadori Jugosllaven në Rusi , Vlladimir Popoviq: Por janë trima dhe besnikë të mëdhenj.

-Stalini: Po, ata mund të jenë besnik si qentë, Ajo është karakteristikë e popujve primitivë. Tek ne, ashtu besnikë kanë qenë Çuvashët (popull në Rusi me prejardhje të përzier turko-finlandezo-ugare-Sh. V.). Carët e Rusisë i mbanin për roje personale…

Pas shtruarjes së edhe disa pyetjeve, Stalini u interesua për besimet në Shqipëri, e më pas biseda vazhdoi me tema tjera, si për shembull për borgjezinë e Jugosllavisë etj. , e që më pas ai sërish t’i kthehet temës në lidhje me Shqipërinë.

-Stalini: A e njihni Enverin mirë? Çfarë mendimi keni ju për te? A është ai njeri i qëndrueshëm? A do të mbetet deri në fund me neve?

-Kardeli: Mendimi ynë për te është kryesisht si njeri i mirë dhe i ndershëm, edhe pse ka mjaft vija të intelektualit provincial. Në luftë ka pas qëndrim stoik dhe populli e do. Por i mungojnë njohuritë marksiste-leniniste. Megjithatë ne konsiderojmë se ai do mbetej i qëndrueshëm. Sipas mendimit tonë, njeriu më i qëndrueshëm atje është Koçi Xoxe, i cili është punëtor, por që edhe atij i mungon arsimimi i tillë.

-Stalini: Ata dy kishin një mos marrëveshje…

-Kardeli: Tani ajo është përmirësuar.

Stalini i drejtohet Molotovit (i cili aso kohe ishte ministër i punëve të jashtme të Rusisë, Sh. V.): Çfarë mendoni ju?

-Molotovi: Unë mendoj se mendimi i jugosllavëve është i drejtë. E kam parë Hoxhën në Paris. Ka pamje të bukur dhe lë një përshtypje të mirë. Është mjaft i kulturuar, por në edukatën e tij vërehet ndikimi i perëndimit…

Kjo ishte një pjesë e bisedimeve zyrtare ndonëse me siguri jo edhe protokollare e Stalinit dhe suitës së tij me mysafirët nga Jugosllavia, të cilët i kryesonte zyrtari i lartë politik i Jugosllavisë, slloveni Eduard Kardel.

Të shtojmë se në të njëjtën kohë agjenturat ruse në Shqipëri aktivisht punonin në provokimin e konfliktit mes Enver Hoxhës dhe Koçi Xoxes…

U botua për herë të parë në “Epoka e Re” më 5 qershor 2012. 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit