-3.2 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Nëse gjenden katër cilësi tek një person, atëherë ai është hipokrit i vërtetë

Më të lexuarat

Transmetohet nga Abdullah b. Umeri, kënaqësia e Allahut qoftë me të, se i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të, ka thënë: “Nëse gjenden katër cilësi tek një person, atëherë ai është hipokrit i vërtetë, por nëse gjendet njëra prej tyre, atëherë tek ai gjendet një prej cilësive të hipokritëve, derisa të heqë dorë nga ajo: Kur flet, gënjen, kur i besohet diçka, nuk e mban amanetin, kur premton, nuk e mban premtimin dhe kur është në konflikt, është i padrejtë.” Shënon Buhariu dhe Muslimi.

Lexues të nderuar! Vetëm një prej këtyre katër cilësive të urryera mjaftojnë për ta shkatërruar robin përderisa nuk pendohet. A thua ç’mendon nëse bashkohen të gjitha tek një njeri? Ato do të shndërrohen në errësirë mbi errësirë, Allahu na ruajttë!

Secila prej këtyre cilësive argumenton për të kotën. Për këtë shkak, përmendja e tyre në një hadith dhe përshkrimi i tyre me hipokrizi është prej gojëtarisë së Profetit, paqja e Zotit qoftë mbi të, bashkërendimit dhe udhëzimit të tij të mirë. Mos mbajtja e premtimit, gënjeshtra, mos mbajtja e amanetit dhe padrejtësia gjatë diskutimit, të gjitha këto janë padrejtësi, të kota, kundërshtuese të së vërtetës, mashtrim dhe falsifikim.

Në këtë hadith do të ndalemi në dy mesele për sa i përket çështjet së gënjeshtrës:

Çështja e parë: Gënjeshtra nuk lejohet qoftë edhe në formë të shakasë, nëse bën shaka, atëherë thuaj të vërtetën. Mos thuaj, sa për ilustrim, ka ndodhur kjo ose kam parë këtë, ndërsa ti nuk ke parë e as ka ndodhur ajo për të cilën flet, ngase do të besojë kush të dëgjon, ti dëshiron talljen kurse ajo është gënjeshtër. Nuk ekziston gënjeshtra e bardhë dhe e zezë por ajo është një, për dallim nga barsoleta apo humori, sepse ai që të dëgjon e kupton se është humor e nuk ka gjë të keqe. Allahu e di më së miri.

Çështja e dytë: Nuk lejohet gënjeshtra përveçse në tre raste. Thotë i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Zotit qoftë mbi të: “Nuk është gënjeshtar ai që i përmirëson njerëzit, mbjell mirë apo flet mirë.” Buhariu dhe Muslimi. Tek Muslimi, Umu Kulthum, thotë: “Nuk kam dëgjuar se Muhamedi salallahu alejhi ue selem, ka lejuar në ndonjë rast gënjeshtrën, përveç këtyre tre rasteve: për qëllime luftarake, për pajtimin mes njerëzve dhe në raportet e burrit ndaj gruas së tij dhe gruas ndaj burrit të saj.”

Sa i përket tradhtisë dhe pabesisë, kemi edhe hadithe të tjera, në të cilat thuhet: “Çdo tradhtar i amanetit do të ketë një flamur në Ditën e Kiametit, nga i cili ai do të njihet.” Buhariu dhe Muslimi.

Transmetohet nga Ebu Seidi, kënaqësia e Allahut qoftë me të, se ka thënë: “I Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të, ka thënë: “Çdo tradhtar do të ketë një flamur në Ditën e Kiametit, i cili do të ngrihet për të sipas tradhtisë së tij. Dhe nuk ka tradhti më të madhe se ajo e prijësit të një populli.” Muslimi.

Nuk ka turp më të madh sesa ditën në të cilën do të sillen dëshmitarët, kur do të ngrihet flamuri sipas tradhtisë së tij. Nëse tradhtia e tij ka qenë e madhe, flamuri do të jetë i madh ndërsa nëse ka qenë e vogël, atëherë flamuri do të jetë i vogël dhe do të thuhet se kjo është tradhtia e filanit, birit të filanit.

Transmetohet nga Ebu Hurejra, kënaqësia e Allahut qoftë me të, se i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të, ka thënë: “Allahu i Madhëruar thotë: Me tre njerëz do të jem në hasmëri në Ditën e Kiametit: me njeriun i cili premton në emrin Tim e nuk e zbaton, me njeriun i cili e shet njeriun e lirë dhe ato të holla i ka ngrënë dhe me njeriun i cili angazhon mëditës dhe pas kryerjes së punës, mëditjen e kontraktuar nuk e paguan.”

Të gjitha këto hadithe na paralajmërojnë për rrezikun e tradhtisë dhe pabesisë. Ne jemi urdhëruar që amanetet t’ua kthejmë atyre që u përkasin, ngase për të gjitha do të pyetemi në Ditën e Gjykimit, e si do të përgjigjemi?

 

 

 

Përgatiti: Almedin Ejupi

Artikulli paraprak
Artikulli tjetër
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit