0.9 C
Pristina
Monday, November 18, 2024

Kjo është trashëgimia e Muhamedit

Më të lexuarat

Njëherë Ebu Hurejre (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ishte duke kaluar në tregun e Medines. Ai u ndal aty dhe thirrri: “O tregtarë, çfarë ju bëri juve të paaftë?”. Ata pyetën: “Pse, o Ebu Hurejre?” Ebu Hurejre u tha: “Atje, trashëgimia e Muhamedit (salallahu alejhi ue selem) është duke u ndarë, kurse ju qëndroni këtu! Pse nuk shkoni dhe nuk e merrni pjesën tuaj nga ajo trashëgimi?” Ata thanë: “Ku ashtu?”

Ai tha: “Në xhami”. Ata që ishin në treg dolën duke shpejtuar për në xhami. Ebu Hurejre ndaloi për t`i pritur derisa të kthehen. Kur u kthyen, u tha atyre: “Çfarë keni?” Ata thanë: “O Ebu Hurejre, ne shkuam në xhami dhe hymë brenda, por nuk pamë se diçka është duke u ndarë”. Ebu Hurejre i pyeti: “A nuk e patë në xhami askënd?”

Ata thanë: “Po, pamë njerëz që faleshin, disa të tjerë që lexonin Kuranin dhe disa të tjerë që mësonin hallallin dhe haramin”.

Ai u tha: “Mjerë ju, kjo është trashëgimia e Muhamedit (salallahu alejhi ue selem).”

Po, profetët nuk kanë lënë trashëgimi dinar ari dhe dërhem argjendi, por kanë lënë diturinë; kush merr nga ajo trashëgimi, ai ka marrë pasuri të vlefshme dhe ai do të shpëtojë.

Po të ishte pasuria, peshoja me të cilin maten njerëzit ose vlerësohen, atëherë profetët do të ishin më të pasurit dhe më të merituarit të posedojnë pasuri, pasi ata ishin të zgjedhurit e Allahut të Lartësuar. Por, jo dituria është peshoj me të cilën vlerësohet njeriu dhe me anë të diturisë njeriu e realizon si duhet qëllimin se pse është krijuar dhe jeton në këtë botë.

Njeriu sado që të ketë pasuri dhe të merret me punët e kësaj bote, ai patjetër duhet të interesohet të fitojë dituri dhe të interesohet t`i shtojë njohuritë nga dituritë e dobishme që me këtë ta ngrejë veten e tij. Ky ishte edhe qëllimi i Ebu Hurejres me këtë rast. Që njerëzit gjatë jetës së përditshme, duke ngarendur pas punëve dhe obligimeve të përditshme, mos të harrojnë vlerën reale pas të cilës duhet dhe ia vlen të shkojmë dhe të interesohemi.

Është e domosdoshme për njeriun të mësojë gjërat esenciale të fesë së tij që ta njohë Krijuesin e tij dhe të mësojë si ta adhurojë Atë, t’i përmirësoj sjelljet, veprat dhe moralin që e manifeston dhe me këtë ta shtojë afrimin e tij me Allahun e Lartmadhëruar. Në Kuran Ai thotë: “Thuaj! A janë të barabartë ata që dinë dhe ata që nuk dinë? Po, vetëm të zotët e mendjes marrin mësim.” Zumer, 9.

Kurse Muhamedi (salallahu alejhi ue selem) thotë: “Kush merr rrugë për të kërkuar dituri Allahu ia hap një rrugë nga rrugët e xhenetit. Vërtet engjëjt i shtrijnë krahët mbi kërkuesin e dijes nga kënaqësia e veprës që e bën”.

Përgatiti: Alaudin Abazi

23.02.2007

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit