Nidal Aboud po dallohej nga pjesa tjetër e turmës. Ndërsa njerëzit që ishin përreth tij përuleshin, ai bënte shenjën e kryqit. Ndërsa ata po thonin lutjet e tyre në namaz, ai po lexonte Biblën që mbante me vete. Dhe ndërsa ata po thonin “Allahu Akbar” – “Zoti është më i madhi!” – ai qëndronte në heshtje dhe me respekt.
Ai ishte i vetmi i krishterë në mesin e mijëra muslimanëve në namazin e xhumasë në lagjen Ëadi el-Joz, jashtë qytetit të vjetër të Jeruzalemit.
Fotografia e marrë nga CNN i këtij momenti të thjeshtë ndërfetar, është publikuar në mediat lokale dhe është e shpërndarë gjerësisht në faqet e rrjeteve sociale si një shembull prekës i bashkëpunimit në një kohë konflikti.
Lutjet (në foto) u bënë ndërkohë që Izraeli kufizoi hyrjen në xhaminë Al-Aksa, e cila është e vendosur në vendin më të shenjtë të qytetit të vjetër, i njohur për myslimanët si Haram Al Sharif dhe për çifutët si Mali i Tempullit.
Pas një sulmi në hyrje të kompleksit, me ç’rast dy policë izraelitë u vranë javën e kaluar, autoritetet izraelite instaluan detektorë metali dhe kufizim të hyrjes vetëm për burrat mbi 50 vjeç dhe gratë. Të dielën, ata instaluan kamera të sigurisë, një lëvizje që ka gjasa të rrisë tensionet edhe më shumë.
Masat e sigurisë janë parë nga palestinezët dhe vendet arabe si një përpjekje e njëanshme nga Izraeli për të kontrolluar vendin, të konsideruar si të shenjtë nga bashkësitë muslimane dhe hebraike, dhe kanë nxitur demonstrata në masë të gjerë dhe përplasje të dhunshme mes palestinezëve dhe forcave izraelite të sigurisë.
Aboud, një palestinez 24-vjeçar, i cili kurrë më parë nuk i ishte bashkangjitur lutjeve muslimane të mesditës, thotë se ai donte të qëndronte pranë tyre ndërsa ata po kryenin ritin e tyre të adhurimit.
“Kam pasur një ëndërr që kur isha fëmijë, gjithmonë kam dashur të shpërndaj dashurinë nëpër botë, kam dashur të jem ai që mbjell dashuri në zemrat e njerëzve”, tha Aboud për CNN.
Duke mbajtur një Bibël me një kryq të mbështjellur rreth qafës së tij, ai tha se nuk ndihej jashtë vendit.
“Unë kërkova leje prej miqve të mi muslimanë që të lutem në mesin e tyre. Ata kërkuan nga unë që të qëndroja pranë tyre”, tha ai.
“Motivi im ishte që të solidarizohem me vëllezërit e mi muslimanë dhe të solidarizohem me çështjen tonë palestineze kundër okupimit (izraelit) dhe politikave të tyre kundër vendeve tona të shenjta, qoftë xhami apo kishë”.
Aboud thotë se do të refuzonte të kalonte nëpër një detektor metali nëse dikush do të vendoste jashtë Kishës së Varrit të Shenjtë në Qytetin e Vjetër, vendin biblik të “Kryqëzimit të Jezu Krishtit”.
Ai po i nxit të gjithë të krishterët që të bashkohen me muslimanët kundër asaj që ai thotë është një padrejtësi e hapur, dhe madje u bëri thirrje hebrenjve të qëndrojnë kundër pushtimit izraelit.
Tensionet kanë qenë të larta në Jeruzalem dhe në Bregun Perëndimor pas sulmit ndaj policisë në Qytetin e Vjetër dhe masave të rritura të sigurisë.
Aboud e sheh aktin e tij të vogël të përfshirjes, si një mënyrë për të krijuar një urë mbi hendekun mes feve të rajonit. “Unë e shoh atë si një shenjë nga Perëndia se ëndrra ime u bë e vërtetë, të jem ambasadori i vullnetit të mirë midis feve.” /tesheshi.com/