0.9 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Lojërat e Fatit, tregu që qarkullon dhe fiton miliona

Më të lexuarat

Jo rastësisht, sa herë ka ndryshime ligjore që lidhen me lojërat e fatit, ka një lobim të fortë për të mbështetur kërkesat e kësaj të fundit.

Është një nga industritë që ka një qarkullim të jashtëzakonshëm të parave, me një marzh fitimi të lakmueshëm dhe mbi të gjitha, ka një numër të lartë punësimi, edhe pse asnjëherë sektori nuk ka operuar plotësisht në formalitet duke minimizuar përfitimet reale.

 

Por cilat janë në fakt sot kompanitë që operojnë në treg? Referuar të dhënave zyrtare në faqen e Autoritetit të Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit, sot është i licencuar një subjekt si bingo televizive që është Nacionali, një kazino që është Regency.

Në kategorinë e kazinove elektronike janë 10 kompani: Imperial Casino, V.L.T Albania, Flamingo Albania, Adriatik Game, Astra Albania, Apex-Al, Alba Games, Top Start Kazino Elektronike, M&M Topuzi sh.a., Euro Game 2012. Te bastet sportive rezultojnë tre kompani me licenca aktive: Loto Sport, Top Start, I.T.S.G.A sha.

Edhe te bingot tradicionale janë tre kompani të licencuara ku: Tirana, Telebingo Shqiptare dhe Xhelili sh.a. E fundit në listën e kategorive është Lotaria Kombëtare. Nga viti në vit, tregu duket se ka qenë dinamik, me kompani që janë ngritur duke përjetuar kulmet e tyre të zgjerimit, por edhe rënien dhe zëvendësimin me të reja.

Fitimi i kompanive të lojërave të fatit

16 kompanitë kryesore, që janë subjekt i lojërave të fatit, kanë qarkulluar zyrtarisht rreth 120 milionë euro gjatë vitit 2015 (rezultatet e 2016 nuk janë ende publike), sipas të dhënave të deklaruara në bilancet e tyre dhe fitime prej rreth 20 milionë eurosh (shiko tabelën). Ky është vetëm deklarimi zyrtar, ndërsa informaliteti në këtë sektor mbetet shumë i lartë dhe vlerësohet të arrijë në 70%. Vetë operatorët “zbulojnë” një pjesë të këtij informaliteti kur në shkresën e dërguar Kuvendit, i kërkojnë shtyrjen e hyrjes në fuqi edhe me një vit të ligjit të ri të lojërave të fatit, pohojnë se “të ardhurat nga ky sektor për buxhetin e shtetit në total (tatime, taksa, kontribute direkte, si dhe pagesat në thesar e shpenzimet e tjera të aktivitetit në favor të të tretëve, pra të ekonomisë) janë afërsisht rreth 125 milionë USD në vit”. Kjo shumë është e përafërt me xhiron e deklaruar zyrtarisht, ndërsa ajo reale vlerësohet të jetë tre herë më e lartë, teksa këto kompani nuk punojnë me bankat. Pikërisht ligji i ri duhet të formalizonte llogaritë e tyre, duke disiplinuar deklarimet nëpërmjet regjistrimit online të lojtarëve dhe automateve të lojërave të fatit. Por, kjo nuk u arrit.

Kompanitë kryesore

Ndonëse 2015-a ka qenë një vit pa kampionate të rëndësishme botërore, apo europiane, kompanitë e lojërave të fatit kanë arritur të mbajnë nivele të larta të ardhurash. Në total, qarkullimi i pesë operatorëve kryesorë në këtë sektor, Top Bast, Apex-Al, Astra Albania sh.a., Adriatic Game, Top Start ishte rreth 72 milionë euro, pothuajse i njëjti nivel si në 2014-n, duke zënë rreth 60% të tregut zyrtar të lojërave të fatit.
Operatori më i madh në këtë segment këtë vit ka kaluar Top Bast, që ka arritur të ruajë ritme të larta rritjeje, me 22%, në rreth 2.3 miliardë lekë.

Të ardhura pothuajse të njëjta në rreth 2.3 miliardë lekë ka raportuar dhe APEX-AL, që pas tkurrjes me rreth 3.5% ka kaluar në kompaninë e dytë më të madhe të aktiviteteve të lojërave të fatit në vend.
Astra Albania është operatori i tretë më i madh, me të ardhura prej 2.1 miliardë lekësh dhe tkurrje prej 6% me bazë vjetore.

Adriatik Game dhe Top Start kanë deklaruar rënie të qarkullimit vjetor përkatësisht me 9.6% dhe 4.4%.
Disa prej kompanive raportojnë norma fitimi të larta, ku më fitimprurësja është APEX-Al, që në vitin 2015 kishte një normë fitimi para taksave prej 45%, duke u renditur ndër 10 kompanitë me norma më të larta të fitimeve në vend. Edhe operatorë të tjerë deklarojnë norma fitimi të larta, midis 25 dhe 40% (shih tabelën). Vetëm tre prej operatorëve në këtë sektor deklarojnë humbje, ku performancën më negative e ka Lotaria Kombëtare.

Borxhet nxjerrin TOP Bast nga tregu

Ajo që bie në sy në listën e subjekteve të licencuara dhe aktive në treg është që aktualisht, në listën e Autoritetit të Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit, nuk rezulton më subjekti TOP Bast. Një nga kompanitë më të mëdha të tregut ndër vite duket se nuk u ka mbijetuar aksioneve të tatimorëve për masat antiinformalitet. Të dhënat zyrtare tregojnë se detyrimet afatshkurtra, në bilanc në zërin “të pagueshme për detyrime tatimore” në fund të vitit 2015 rezultojnë 779 milionë lekë (5.8 milionë euro llogaritur me një kurs 133 lekë).

Rritja e detyrimeve tatimore ka qenë stratosferike, po të kemi parasysh që i njëjti zë, në fund të vitit 2014, ishte 264 milionë lekë. Telashet për TOP Bast duket se kanë nisur në vitin 2016, kur në datë 7 korrik 2016 u vendos heqja e lejes së ushtrimit të aktivitetit nga Autoriteti i Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit. Aktualisht përplasja mes kompanisë dhe palës AMLF e Drejtoria Rajonale të Tatimpaguesve të Mëdhenj është në Gjykatën Administrative të Apelit, e regjistruar më 17 mars të këtij viti. Por, nga një kërkim i thjeshtë pranë Gjykatës Administrative rezulton që TOP Bast të ketë një numër rekord çështjesh të depozituara nga viti 2014 e deri në vitin 2017, ku numërohen 90 të tilla. Shumica e tyre kanë të bëjnë me apelimet e gjobave tatimore që nuk janë marrë parasysh as nga Drejtoria e Apelimit Tatimor pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve./Monitor/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit