Allahu i Lartësuar thotë :
“Dhe qëndroni në shtëpitë tuaja e mos e shfaqni veten, siç bënit në kohën e injorancës (periudha para Islamit). Falni namazin rregullisht, jepni zekatin e binduni Allahut dhe të dërguarit të Tij…” Ahzab, 33
Disa femra të kohës së sotme, kanë marrë dhe vazhdojnë të marrin veshjen e përcaktuar në sheriat, veshje të cilën Allahu e quajti “veshja e devotshmërisë” duke e shndërruar atë në një veshje fitneje apo sprovash. E gjithë kjo, vjen si rezultat i mospërqëndrimit dhe moskushtimit të vëmendjes ndaj kushteve apo rregullave, të cilat kanë të bëjnë me veshjen islame të përcaktuar në Kuran.
Kështu, herë-herë këto femra me perspektivë për t’u modernizuar dhe për t’iu përshtatur veshjeve të kohës, por duke patur dëshirën për të qënë njëkohësisht brenda rregullave islame (thjesht vetëm për të qenë të mbuluara), veshin hixhabe shumëngjyrëshe e tërheqëse e jo rrallë herë ato preferojnë të veshin hixhabe me një model të prerë sipas shijes së tyre, duke ekspozuar kështu belin, vithet e gjoksin e duke joshur sytë e të tjerëve.
Është për të ardhur keq se disa prej muslimaneve mendjelehta, nuk u mjaftuan me kaq, por u përpoqën të shfaqin para njerëzve, gjoja në një publik të zgjedhur, e madje siç pretendojnë ato në një “publik islam”, modën më të fundit të veshjeve, duke i paraqitur ato në një sfiladë, duke imituar kështu hap pas hapi traditën degjeneruese perëndimore.
Organizatoret dhe pjesmarrëset në këtë sfiladë vazhduan ta teprojnë akoma edhe më shumë, duke u veshur e zhveshur në një nga sallat e spektakleve për të paraqitur sa më mirë risinë e tyre më të re. Duke hyrë e dalë në këtë sallë, si dhe duke u dredhur e spërdredhur, ato i bënë një reklamë të mirë këtyre veshjeve me bukurinë e trupit të tyre, bukuri të cilën Allahu i Lartësuar nuk ia dhuroi për këtë gjë apo për të provokuar e joshur të tjerët me ecjen e tyre djallëzore.
I dërguari i fundit i Allahut, Muhamedi (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) të cilin ato pretendojnë se e ndjekin në urdhërat dhe porositë e tij ka thënë: “Një femre që beson Allahun dhe Ditën e Kiametit nuk i lejohet të heqë (zhvesh) rrobat e saj në një vend tjetër përveç shtëpisë së saj.”
Mirëpo kjo është një traditë që ndiqet verbërisht. Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) thotë: “Do të ndiqni traditën e atyre që kanë qenë para jush pëllëmbë për pëllëmbë e hap pas hapi.”
I këshillojmë të gjithë motrat muslimane që t’i frikësohen Allahut dhe të mos ndjekin dëshirat dhe dirigjimet e armikut tonë të përbetuar (shejtanit të mallkuar), por le të përqendrohen në zbatimin e urdhërave të Allahut të Lartësuar në veshjen e tyre dhe në gjithçka tjetër.
Në vijim po ju kujtojmë kushtet e veshjes islame të përcaktuara në sheriat:
- Veshja (hixhabi) të mbulojë të gjithë trupin (për fytyrën dhe duart dijetarët janë në mosmarrveshje).
- Të jetë veshje (hixhab) e gjerë, të mos tregojë format e trupit.
- Copa e veshjes (hixhabit) të mos jetë transparente, e tejdukshme.
- Të mos jetë veshje që iu përngjan veshjeve të jobesimtareve.
- Të mos jetë veshje (hixhab) tërheqëse që bie në sy.
- Të mos jetë veshje (hixhab) shumëngjyrëshe.
- Të mos jetë veshje (hixhab) e parfumosur.
Redaksia Klubi Kulturor