12.8 C
Pristina
Wednesday, November 20, 2024

Erdoğan: Perëndimi frikësohet nga liria e shprehjes

Më të lexuarat

“Askund në botë nuk ka liri të pakufizuar. Kështu është edhe në Perëndim, edhe atje zbatohen procese të tilla. Ne e dimë se çfarë u bëjnë OJQ-ve tona atje. Perëndimi ua ndalon fjalimin edhe ministrave tanë”, tha Erdoğan

ANKARA (AA) – Presidenti i Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, sot deklaroi se qeveria e Gjermanisë, Belgjikës, Holandës dhe vendeve të tjera evropiane kanë ndaluar zyrtarët turq që të marrin pjesë në mitingje për të shënuar përvjetorin e tentativës për grusht ushtarak në Turqi, për shkak se këto vende nuk i besojnë idetë e tyre dhe frikësohen nga liria e shprehjes dhe mendimit, raporton Anadolu Agency (AA).

Presidenti i Turqisë, Erdoğan, iu drejtua investitorëve të huaj në konferencën që u organizua në Ankara nga Unioni i Dhomave dhe Bursave Turke (TOBB), dhe me këtë rast ai u bëri thirrje të gjithë investitorëve të huaj që do të vijnë dhe të investojnë së bashku me Turqinë të përfitojnë. Ai premtoi se institucionet turke do të vënë në dispozicion të gjitha kapacitetet e tyre.

Konferenca u organizua në kuadër të shënimit të përvjetorit të parë të tentativës së dështuar për grusht shteti ushtarak nga organizata terroriste FETO të kryer më 15 korrik të vitit të kaluar, kurse Erdoğan edhe me këtë rast nderoi dëshmorët dhe falënderoi popullin e Turqisë që me guxim doli në rrugë dhe prishi planet e tradhtarëve.

Erdoğan komentoi edhe rreth vendimit të autoriteteve gjermane për t’i mos ofruar mirëseardhje ministrave turq të cilët synojnë të marrin pjesë në tubimet e diasporës me rastin e përvjetorit të tentimit të grusht shtetit.

“Në margjinat e samitit G20 në Hamburg thamë: më lejoni që me bashkatdhetarët e mi të mblidhemi në një sallë, nuk ka nevojë kjo të jetë në Hamburg, mund të jetë në cilin do qytet. Nuk na lejuan. Çfarë ndodhi me lirinë, pse nuk na lejuan? Ata le të vijnë lirisht dhe le të flasin lirisht në Turqi, ne do t’i lejojmë. A e dini se e tillë është edhe Holanda, Belgjika, që të gjithë dhe kjo është për shkak se ata frikësohen nga liria e shprehjes. Nuk u besojnë mendimeve të tyre, prandaj i frikësohen kësaj lirie. Ne i besojmë mendimeve tona dhe nuk i frikësohemi kësaj lirie, ne jemi rehat”, tha Erdoğan.

Duke theksuar se as mediat nuk mund të kenë liri të pakufizuar, Erdoğan tha se gjykata dhe ligjet ekzistojnë edhe për mediat të cilët përpiqen për të shkaktuar trazira në vend, përhapin gënjeshtra dhe abuzojnë me të gjitha llojet e lirisë.

“Askund në botë nuk ka liri të pakufizuar. Kështu është edhe në Perëndim, edhe atje zbatohen procese të tilla. Ne e dimë se çfarë u bëjnë OJQ-ve tona atje, dhe të shkoj edhe më tej, Perëndimi ua ndalon fjalimin edhe ministrave tanë të qeverisë”, tha Erdoğan.

Duke komentuar edhe rreth marshit protestues paqësor të kohëve të fundit nga Ankaraja në Stamboll, të udhëhequr nga lideri i turk i opozitës, Kemal Kılıçdaroğlu, Erdoğan tha se forcat qeveritare ofrojnë siguri absolute për pjesëmarrësit e këtij tubimi dhe se është turp që dikush të thotë se në Turqi nuk ka siguri, dhe lirshëm protestojnë në rrugë dhe mitingje.

Duke rikujtuar se gjendja e jashtëzakonshme në Turqi është vendosur pas tentativës për grusht shteti të vitit të kaluar, Erdoğan tha se kjo gjendje vlen vetëm për luftën efikase kundër terrorizmit, dhe se kjo nuk rrezikon në asnjë mënyrë jetët e njerëzve dhe aktivitetet ekonomike, duke përfshirë ardhjen e investimeve të huaja.

Kritikat në llogari të gjendjes së jashtëzakonshme Erdoğan i ka vlerësuar si të pabaza, duke porositur kritikët se Turqia është ajo që përcakton kufijtë e gjendjes së jashtëzakonshme, dhe se këtë nuk do të bëjë brenda kufijve që përcaktojnë perëndimorët.

“Sigurisht se do të heqim gjendjen e jashtëzakonshme kur të mos ketë nevojë për luftë kundër terrorizmit. Procesi i luftës kundër FETO-s tashmë ka marrë konture të dukshme, kurse kemi përparuar edhe në luftën kundër terroristëve të PKK-së. Kështu që ekziston mundësia që në një të ardhme jo të largët të heqim gjendjen e jashtëzakonshme, e cila edhe ashtu në masë të madhe është kufizuar në fusha të caktuara”, përfundoi Erdoğan.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit